Kohët e fundit me të drejtë na ofrohet një përshtypje që çështja mes Kosovës dhe Serbisë është reduktuar në dialogun mes këtyre shteteve. Megjithatë, dialogu, duke përdorur një fjalë angleze, nuk është një “panacea” (zgjidhje për çdo problem, ilaç) për marrëdhëniet mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Kjo për shkak se ekzistojnë probleme tashmë të rrënjosura mes të dy shteteve të cilat vështirë që mund të zgjidhen përmes një dialogu sado të suksesshëm dhe definitiv. Në fakt, sado që pesimiste kjo të tingëllojë, dialogu nuk pritet të jetë në gjendje t’i zgjidhë qartazi raportet mes dy shteteve pasi që mbetet i kushtëzuar nga faktorë të fuqishëm që, të paktën për momentin, parandalojnë një marrëdhënie normale bilaterale.
Së pari, Kosova dhe Serbia, vazhdojnë që të kenë një të kaluar të freskët të ndërlidhur me luftën e para 20 viteve. Në fakt, lufta e fundit në Kosovë mund të konsiderohet vetëm një lloj kulmimi i armiqësisë historike mes popujve që është intensifikuar me planin “Načertanije” të shek XIX, i cili konsiderohet si program i krijimit të Serbisë të madhe. Pra, ekziston një vazhdimësi e qartë historike e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë e cila u ofron të dy shteteve një bazë jashtëzakonisht të brishtë për përmirësim raportesh në të ardhmen. Në këtë mënyrë, derisa tani kemi ardhur në atë pikë kur dy shtetet aspirojnë për përmirësim të raportit bilateral përmes procesit të dialogut, nuk është që kemi predispozita historike për të qenë të bindur mbi atë se sa të qëndrueshme do të jenë raportet mes dy shteteve.
Ndonëse mund të argumentohet se as Kosova dhe as Serbia nuk kanë ndonjë ndikim të veçantë në marrëdhënie ndërkombëtare dhe se të dy shtetet janë vetë të ndikuara nga presionet e shumta ndërkombëtare, prapëseprapë, Kosova dhe Serbia, kanë sovranitetin e tyre territorial dhe në këtë mënyrë lirinë e pritshme për të vepruar brenda territorit të tyre si shtete. Në këtë drejtim, nuk mund t’i përjashtojmë sjelljet arbitrare të shteteve ku veprojnë jodetyrimisht në përputhshmëri me tendencat e proklamuara për rregullim raportesh. Ngjarjet e fundit ilustrojnë këtë fenomen. Së fundmi, Shqipëria dhe Kosova janë ankuar ndaj Serbisë që është duke fshirë adresat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në këtë mënyrë po ndërton “një pasqyrë krejtësisht të pasaktë të përbërjes demografike”, duke bërë kështu shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut. Pra, as në këtë kontekst, nuk vërehet ndërlidhje mes dialogut dhe përpjekjeve në terren për përmirësim raportesh.
Duhet theksuar që ndonëse dialogu është një proces i cili zhvillohet në nivel të shteteve, duhet patur parasysh që nuk ekziston një lloj vullneti për përmirësim raportesh as edhe në nivel të opinionit publik. Në këtë drejtim, nëse hipotetikisht do të ekzistonte një dimension demokratik në çështjen e dialogut ku do të vendosnin qytetarët, atëherë është pothuajse e sigurt që nuk do të kishte progres mes dy shteteve. Qytetarët e dy shteteve vazhdojnë të kenë një kujtim të freskët nga lufta e fundit. Për më tepër, ekzistojnë tanimë edhe përpjekje të shtuara të mediave në Kosovë e edhe në Serbi për riaktualizimin e çështjes së luftës në Kosovë. Këto përpjekje në mënyrë direkte ose jo vazhdojnë të thellojnë ndarjet mes dy vendeve dhe ndikojnë edhe në vullnetin popullor për ndryshim. Natyrisht, rëndësia e kësaj minohet nga fakti që bisedimet janë në nivel shtetëror por që çdo përpjekje për bashkëpunim mes Kosovës dhe Serbisë duket të jetë shumë jopopullore tek të dy popujt.
Dialogu vazhdon të perceptohet si instrumenti kryesor për përmirësimin e raportit mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo tingëllon si diçka e drejtë sepse nuk ekziston një skenar më real se skenari i arritjes së marrëveshjes përmes dialogut. Sidoqoftë, duhet të ritheksohet që efektshmëria e dialogut minohet nga faktorë jashtëzakonisht të fuqishëm të cilët e vënë praktikisht në pikëpyetje çështjen e dialogut. Këta faktorë janë nga e kaluara dhe e tashmja dhe varen edhe nga interesat vetanake të shteteve. Pra, me këto rrethana, raportet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten në pikëpyetje.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.