A u bë parlamenti serb me “Vetëvendosjen” e vet?

A mundemi edhe ne në Serbi të presim ndoshta një mënyrë të tillë të “luftës politike” të cilën kemi pasur rastin ta shohim gjatë disa viteve të fundit në Prishtinë? A do t’ia dalë opozita e tanishme të ndikojë në rrjedhën e negociatave të dirigjuara midis Beogradit dhe Prishtinës dhe t’i bëjë ato më të pasigurta dhe më të dobishme apo nuk do të ketë negociata fare?

0
1152

A mundemi edhe ne në Serbi të presim ndoshta një mënyrë të tillë të “luftës politike” të cilën kemi pasur rastin ta shohim gjatë disa viteve të fundit në Prishtinë? A do t’ia dalë opozita e tanishme të ndikojë në rrjedhën e negociatave të dirigjuara midis Beogradit dhe Prishtinës dhe t’i bëjë ato më të pasigurta dhe më të dobishme apo nuk do të ketë negociata fare?

Të dielën, më 24 prill në Serbi u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Po, prapë! Po, po, e di që janë mbajtur para pak kohe. E di që edhe Vučić-i e ka pasur shumicën absolute dhe jo, nuk e kam idenë pse tani prapë zgjedhje. Askush nuk e ka idenë pse. Mos prisni as nga ata që ta dinë këtë, ata që kanë qenë në pushtet dhe ata që do të jenë prapë në pushtet. Çka t’ju them, shpjegimi i vetëm, gjithsesi jo racional, është dëshira e një njeriu që sa më gjatë të sundojë dhe që t’ia sigurojë vetes edhe katër vite sundim, mbase derisa populli të mos e ketë kuptuar ende kështu që kjo mund të kalojë. Po a nuk është ky thelbi i politikës? Mendoj bile në Serbi…e me këtë edhe në Kosovë… paj në tërë Ballkanin!

Sunduesi i madh serb, evropiani më i madh midis rusofilëve e rusofili edhe më i madh midis evropianëve përsëri mori mbështetjen absolute të popullit në Serbi (natyrisht, përfshirë edhe këta nga Kosova). Prapë partia e tij do të ketë mundësi që vetë të formojë Qeverinë, prapë, siç ishte rasti me zgjedhjet e kaluara, fati ynë është absolutisht në duart e tij. Këtë mendim e kam në kokë dhe rrënqethem vetëm kur e mendoj këtë, kushdo që të ishte ky njeri. Thashë që mori “mbështetjen absolute të popullit”, e nuk besoj aq as vetë në këtë. E si të besoja kur e di që para disa muajve është bërë një hulumtim në Kosovë në të cilin rezultatet kanë qenë të tilla që 14% e njerëzve nga veriu i Kosovës e mbështesin politikën dhe vetë sunduesin absolut, derisa tani, një ditë pas zgjedhjeve marrim informatën se si mbi 50% e qytetarëve të Kosovës i kanë dhënë mbështetjen pikërisht atij. Çka na tregon kjo? Mua shumë, nuk e di për Ju.

Por, le t’i kthehemi temës, pas zgjedhjeve të kaluara në parlamentin e Serbisë gjendeshin katër lista, dy prej të cilave përbënin koalicionin qeverisës. Dy të tjerat kanë qenë pikërisht sunduesit e mëparshëm, por aq të dërrmuar nga rënja nga pushteti, por edhe me rezultatet zgjedhore më pas sa që nuk kanë përbërë absolutisht kurrfarë opozite për të, për të vetmin dhe më të madhin. Dhe kështu ky i yni, i vetmi dhe më i madhi, bëri çka i donte qejfi, përfshirë edhe të gjitha marrëveshjet e dëmshme (edhe ndonjë të mirë mes tyre) në negociatat me kolegun e tij poashtu të vetmin dhe më të madhin nga ana e kundërt (po, mendoj në presidentin e Kosovës), e që populli nuk pati të drejtë të thotë asgjë për këtë, as që ka pasur përfaqësuesë në parlament që do ta bënin këtë në vend të tyre. Populli fliste vet me vete për të gjitha ato që ka pasur t’i thotë, këtë e kanë ditur të gjithë por prapë askush nuk e ka ditur. Këtë e ka ditur edhe ai, i vetmi dhe më i madhi, por as ai nuk e ka ditur. Sepse populli nuk është i rëndësishëm. Zgjedhjet do të vijnë prapë dhe populli prapë do ta mbështes atë.

Dhe ato zgjedhje erdhën, ai fitoi përsëri, përsëri tejet bindshëm, por tani me një ndryshim të vogël. Në parlament prej tani do të jenë shtatë lista zgjedhore në vend të katër sosh që gjendeshin në përbërjen e mëparshme. E kjo diferencë prej tri listash zgjedhore është ndoshta çështja kyçe e këtyre zgjedhjeve. Sepse, kush janë ata? Paj ata janë radikalët, d.m.th Partia Radikale Serbe e Vojislav Šešelj-it, pikërisht partia nga e cila është ndarë partia e tanishme në pushtet dhe prej së cilës ndoshta i vetmi dhe më i madhi më së shumti druhet, pikërisht për shkak të së kaluarës së tij në atë parti. Mirëpo, kjo edhe nuk është çështja kyçe, çështja kyçe është se ajo është absolutisht parti proruse dhe parti që i kundërvihet BE-së, NATO-s, si dhe negociatave me Kosovën. Kurse metodat e luftës së saj politike janë… hm… paj le të themi pak specifike. Koalicioni tjetër i ri në parlament është koalicioni DSS-Dveri, po ashtu shprehimisht prorus e që po ashtu fuqishëm kundërshton negociatat me Kosovën, në të njëjtën kohë edhe koalicion i cili mbështetjen më të fuqishme e ka pikërisht në Kosovë. Lista e tretë e cila është e re në parlament nuk i ndan vlerat e njëjta si ato dy që u përmendën më heret, por edhe ajo për disa arsye personale dhe politike do të jetë një opozitë tejet e papërshtatshme.

Deri tek cila pyetje më sjell e tërë kjo? A u bë parlamenti i Serbisë me “Vetëvendosjen” e vet? A mundemi edhe ne në Serbi të presim ndoshta një mënyrë të tillë të “luftës politike” të cilën kemi pasur rastin ta shohim gjatë disa viteve të fundit në Prishtinë? A do t’ia dalë opozita e tanishme të ndikojë në rrjedhën e negociatave të dirigjuara midis Beogradit dhe Prishtinës dhe t’i bëjë ato më të pasigurta dhe më të dobishme apo nuk do të ketë negociata fare? Ka shumë pyetje që më sillen nëpër kokë, por më duhet të pres edhe ndonjë muaj për përgjigjet; do të më duhet të pres derisa të formohet Qeveria dhe të ndizet lufta parlamentare.

E unë? Unë do të blej kokoshka dhe do të vëzhgoj… tani për tani!