Aleatët

0
185

Edhe pse lufta në Ukrainë ka kthyer shumë gjëra ndryshe dhe i ka vënë ato në një këndvështrim krejtësisht tjetër, një gjë është definitivisht e qartë e ai është nocioni i aleancës në Evropën moderne. Ndërsa nga njëra anë po vdesin ushtarë dhe civilë, pala tjetër po dërgon me gjithë zemër armë (më së shpeshti armë të vjetëruara dhe joefikase në luftën moderne) e me këtë, në vend që të zgjidhë konfliktin, edhe më shumë po e nxitë luftën. Nocioni i aleancës është parë prej kohësh gjatë historisë si një aleancë e vërtetë dhe e sinqertë e cila një armik të mundshëm do të synonte ta dekurajonte nga konflikti, e në qoftë se do të vinte deri tek konflikti, të kontribuonte në sigurinë e përbashkët përmes veprimeve të përbashkëta. Mirëpo, që kjo nuk është kështu u pa qysh në ditët e para të luftës në Ukrainë, kur të gjithë aleatët e Ukrainës u përcaktuan qartë për luftën dhe pjesëmarrjen e tyre vetanake në të. Dërgimi i ushtrisë as nuk vjen në shprehje, jehonte nga të gjitha anët, kurse armë dërgojnë të gjithë, edhe ata prej të cilëve nuk pritej diçka e tillë. Sigurisht, këto janë armë mjaft të vjetruara që janë vetëm një objektiv lëvizës në fushën e betejës, por dhuratës nuk i shikohen dhëmbët, do të thoshin të vjetërit tanë.  

Lufta po zhvillohet, njerëzit po vdesin, fatkeqësia është në çdo hap në Ukrainë – dita ditës po bëhet e qartë se lufta nuk i sjell mirë askujt; ne nga Ballkani e dimë këtë më së miri. Luftërat në rajonin tonë na kanë mësuar se kur flasin armët çmimi i jetës njerëzore zhvlerësohet dhe bëhet vetëm një numër në raportin ditor të humbjeve në front. Mirëpo, dita-ditës po bëhet e qartë edhe ajo se nuk ka aleatë të sinqertë; ka vetëm të tillë që në vuajtjen e dikujt do të shohin interesin politik, ushtarak, por mbi të gjitha atë ekonomik. 

Pasojat e luftës në Ukrainë më së shumti shihen në ekonomi, ndërsa të gjitha ndikimet e tjera ose janë shumë më të vogla ose nuk u kushtohet vëmendje. Bota është bërë brutalisht kapitaliste dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Ekonomitë e mëdha ndonjëherë duhet ta ushqejnë urinë e tyre me jetë njerëzore dhe kjo është bërë prej kohësh një praktikë. Me siguri po pyesni se çfarë lidhje ka kjo me ne! Këtë lidhje nuk e shohin vetëm ata që nuk duan ta shohin. Me përmendjen e parë të luftës, misionet diplomatike u aktivizuan menjëherë të cilat me vrap nëpër regjion po i bindnin vendet neutrale se si aleanca me to të garantonte paqe dhe stabilitet. Ndonjëherë, fjalori me të cilin ato negociojnë ka tone më të qeta e ndonjëherë përmban një lloj paralajmërimi dhe kërcënimi. Çdo përpjekje për të menduar ndryshe karakterizohet si një ndikim malinj i këtyre apo i atyre. Dikush e ka përcaktuar paraprakisht anën e duhur dhe në atë bazë i bazon të gjithë hapat dhe veprimet e tij, si në planin politik, ashtu edhe në atë diplomatik. Dhe popujt e vegjël si ne mbeten të habitur sepse si të zgjidhësh anën e duhur në botën e të mëdhenjve dhe çfarë kontributi mund të japin vendet e vogla për ato të mëdhatë në këto aleanca potenciale. 

Nëse shohim se si po kalon Ukraina, me mbi 40 milionë banorë, vetëm sepse ka shprehur aspiratën për integrime euroatlantike, si do të kalonin disa nga vendet tona më të vogla nëse do të bëheshin anëtarë me të drejta të plota të një aleance. Në fund të fundit, nëse shikojmë veprimet e shteteve individuale që janë shumë më të mëdha se ne në atë aleancë, shohim se dokumentet ligjore që përcaktojnë sjelljen në aleancë edhe nuk kanë aq shumë ndikim, por secili punon sipas mendjes dhe interesit të tij. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se në një aleancë të madhe, vendet e mëdha përcaktojnë interesat dhe lëvizjet, dhe vendet e vogla japin territorin dhe, për fat të keq, njerëzit që do të jenë ai numri që e përmenda në fillim. Natyrisht, nuk është gjithmonë kështu, d.m.th. nuk ka qenë gjithmonë kështu, por është bërë kështu dhe të gjithë ata që aspirojnë të hyjnë në ndonjë aleancë këtë duhet ta dinë paraprakisht. 

Lufta nuk i ka sjellë dobi ndokujt, as fituesit e as humbësit, dhe, siç tha dikush dikur, për një njeri të mençur çdo luftë është e humbur. Ne nga Ballkani e dimë këtë më së miri, nga dallimet tona kanë përfituar shumë vetë vetëm ne jo; ndërsa njerëzit tanë nga të dyja anët humbnin jetë, meritat i morën për vete ata që as nuk i kanë veshur uniformat. Mbase kemi mësuar të paktën kaq nga historia jonë më e fundit. Kjo është arsyeja pse edhe njëra edhe pala tjetër duhet të dimë se jo çdo aleancë është e mirë dhe e ndershme, të vdesësh për idealet dhe interesat e të tjerëve mbi të gjitha është marrëzi dhe e papranueshme, dhe unë sinqerisht shpresoj që kemi të paktën pak mend pas gjithë asaj që kemi përjetuar. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.