Milica Radovanović
Qeveria e Kosovës më në fund ka filluar zgjidhjen e problemeve që janë grumbulluar në veri që prej 12 vitesh.
Qeveria nuk është në konflikt me qytetarët në Veri, porse me strukturat kriminale dhe ilegale. Vendimi për reciprocitetin dhe vendosja nën kontroll e vendkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak nuk kanë qenë të drejtuara kundër komunitetit serb në Veri, por vetëm janë respektuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
Fjala është për një vendim legjitim i cili është në përputhje me sovranitetin e vendit dhe është ndërmarrë me qëllim që të vendoset siguria në tërë territorin e Kosovës dhe të forcohet lufta kundër krimit të organizuar që ka lulëzuar në disa pjesë të vendit, veçanërisht në Veri.
Është marrë vendimi më i drejtë i mundshëm. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë dhe të tolerojmë pafundësisht që një pjesë e territorit tonë të mbetet pikë e zezë jo vetëm e Kosovës por edhe e Evropës.
Me aksionin në Veri edhe një herë publikisht është demaskuar politika e Beogradit ndaj Kosovës, politika e kundërvlerës.
Nuk do të ketë kurrfarë kompromisesh dhe reciprociteti ndaj Serbisë do të zbatohet. Për momentin ka vështirësi, por Kosova nuk do të tërhiqet në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim.
Qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve duhet të qëndrojnë të qetë dhe të kenë besim në KFOR-in dhe institucionet e Kosovës.
Qeveria e Kosovës është e gatshme që të bisedojë me serbët e Veriut dhe të zgjidhë problemet në këtë pjesë të vendit. Biseda është e domosdoshme për t’ua shpjeguar se si institucionet e Kosovës mund ta përmirësojnë jetën e tyre, ashtu siç ka ndodhur me komunat e tjera serbe në jug, si Shtërpca dhe Graçanica.
Qeveria e Kosovës do të bëjë çmos që t’u shpjegojë atyre proceset nëpër të cilat po kalojnë, ashtu që serbët të marrin udhëzimet nga Prishtina dhe që të largohen nga mashtrimet që po ua plason Beogradi tanimë qe 12 vite.
Komunikimi është mënyra e vetme për të zgjidhur problemet e grumbulluara, por në asnjë rrethanë nuk do të zhvillohen bisedime me strukturat ilegale dhe kriminale. Ato do të ballafaqohen me drejtësinë.
Qeveria e Kosovës dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore, normalizim dhe përmirësim të marrëdhënieve me të gjitha vendet e rajonit dhe respektimin e obligimeve ndërkombëtare.
Dialogu në Bruksel për herë të parë në historinë e Kosovës është një dialog i barabartë ndërmjet përfaqësuesve legjitimë të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili ka munguar më parë. Kosova ka vendosur vija të kuqe dhe po zhvillohet dialog ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë.
Masat e reciprocitetit do të respektohen deri në fund dhe do të vazhdojë kontrolli i kufirit në tërë hapësirën. Kjo nënkupton që masat do të zbatohen në mënyrë rigoroze kurse kontrabanda është ndalur përfundimisht qind për qind. Do të çrrënjosen edhe të gjitha dukuritë e tjera negative në mënyrë shumë rigoroze.
Nuk është diskutuar e as që do të diskutohet për kurrfarë autonomie për Veriun. Kosova do të funksionojë si shtet i pavarur, sovran, i njohur ndërkombëtarisht, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët. Nuk do të ketë trajtim të veçantë për asnjë pjesë të territorit të Kosovës. Nuk do të ketë Republikë Serbe në Kosovë!
Skenari i Serbisë për ndarjen e Veriut të Kosovës nuk do të realizohet kurrë e me kurrfarë çmimi!
Tingëllon e njohur? Jo, këto nuk janë deklaratat e Albin Kurtit më 2022, por të Hashim Thaçit më 2011.
Kurti më 2022 po përdor argumentimin e Thaçit, derisa opozita në Kosovë po shërbehet me akuzat e Vetëvendosjes të para 10 viteve – që aksioni në Veri nuk ka qenë i organizuar si duhet dhe që është zbatuar pa kurrfarë plani, duke kritikuar Qeverinë se po tërhiqet nga Veriu.
Një rikujtim i vogël për të gjithë ata që e kanë harruar krizën në veri të korrikut 2011, e cila shpërtheu si rezultat i negociatave të dështuara për vulat doganore.
Ndoshta mund të tingëllojë e njohur – Serbia nuk donte t’i pranonte simbolet shtetërore të Kosovës përderisa Kosova insistonte në to. Tërhiq e mos këput, dy palët nuk arritën dot që të merren vesh.
Pak kohë pas kësaj, Qeveria e Kosovës vendosi që në bazë të reciprocitetit të fus embargon për importin e mallrave nga Serbia.
Më 25 korrik 2011, qeveria dërgoi një njësi speciale të policisë ROSU në përpjekje për të marrë kontrollin e dy vendkalimeve të diskutueshme (Jarinje dhe Bërnjak) me qëllimin e shpallur për zbatimin e vendimit për ndalimin e hyrjes së mallrave nga Serbia.
Si kundërpërgjigje ndaj këtij veprimi, serbët vendosën barrikada në 19 lokacione në veri të Kosovës, duke përfshirë vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak.
Ky aksion i Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, e cila edhe atëherë theksoi se „veprimet e njëanshme të cilësdo palë nuk mund të zgjidhin problemin“.
Më njëzet e pesë korrik 2011 u vra Enver Zymberi, pjesëtar i njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Ngjarjet në veri të Kosovës kanë bërë që të shtohet numri i incidenteve të dhunshme në jug të lumit Ibër. Sipas të dhënave të OKB-së, nga 25 korriku e deri më 15 tetor 2011, në Kosovë kanë ndodhur 151 incidente prej të cilave 38 në veri, kurse të tjerët në jug të lumit Ibër.
Deri në fund të vitit 2011, janë vrarë edhe tre serbë, Aleksandar Putnik, nga Hoça e Madhe, Savo Mojsić, nga Mitrovica e Kosovës, dhe Miodrag Komatina, nga Dobrusha afër Pejës.
Kriza zyrtarisht është përmbyllur me Marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar më 19 prill 2013, ndërsa barrikada e fundit është larguar vetëm pesë vite më vonë.
Asnjëra palë nuk ishte e kënaqur me Marrëveshjen e Brukselit, e më së paku serbët në veri, por shpeshherë harrohet se ishte vendimtare për integrimin e gjertanishëm në sistemin e Kosovës – kundër vullnetit të popullatës dhe duke përdorur mjete jodemokratike. Ajo që edhe më shpesh harrohet është se kjo është bërë me mbështetjen e Beogradit.
Ngjarjet e fundit që pamë të dielën, më 31 korrik 2022, nuk dallojnë në esencë nga ngjarjet e vitit 2011. U arrit në një rrugë qorre në dialog dhe, në pamundësi të arritjes së ndonjë marrëveshjeje, njëra palë vendosi të zgjidhte në mënyrë të njëanshme situatën në terren. Fakti që situata nuk u përshkallëzua më 31 korrik është falë kërkesës së ambasadorit amerikan për shtyrjen e zbatimit të vendimit të qeverisë së Kosovës për një muaj.
Së shpejti do të vijë 1 shtatori dhe përvoja e kaluar na mëson se imponimi i njëanshëm i një zgjidhjeje në Veri rezulton me reagimin e komunitetit lokal në formën e barrikadave. Largimi i tyre rezulton në konflikte dhe dhunë, dhe sa më shumë që të zgjasin negociatat për largimin e tyre, dhuna fillon të përhapet në pjesën tjetër të Kosovës.
Nga të gjitha veprimet e ndërmarra për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme në dekadën e kaluar, dialogu është dëshmuar të ketë qenë më i suksesshmi.
Megjithatë, ne ende nuk kemi parë në praktikë një plan për zgjidhjen e problemit e ai të mos jetë dialogu.
Atë vit, më 2011, partia sot në pushtet e kryeministrit Kurti është angazhuar për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, përfundimin e procesit negociator me Serbinë dhe aktivizimin e resurseve civile dhe institucionale me qëllim të mbrojtjes së Kosovës.
Po afrohet një shtatori dhe pyetja mbetet nëse prapë do të jemi dëshmitarë të vitit 2011 apo të planit tani për tani të parealizuar të Vetëvendosjes? Ose ndoshta liderët do të na befasojnë dhe do të tregojnë pjekuri të mjaftueshme për të parandaluar që kjo të mos ndodhë, gjë që, për dallim, do të ishte mirë ta shihnim.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.