Besimet tona të vogla

A do të sillnin diçka më të mirë ca udhëheqës të rinj nëse do të hiqnin dorë nga mënyra e zakonshme e të vepruarit? Sipas të gjitha gjasave po, por kjo kërkon guxim të cilin askush në Kosovë ende nuk e ka - nuk e ka ose nuk është i gatshëm ta tregojë atë. Konkurrenca është tepër e fortë dhe ka shumë të tillë që çdo lloj kuptimi normal të politikës e vendosin në shtyllën e turpit.

0
552

Që nga lufta e vitit 1999 e deri më tani të gjitha dëshirat dhe synimet tona, në shumicën e rasteve, nuk janë realizuar dhe ngadalë njëra pas tjetrës kanë rënë në ujë. Nga pajtimi, liria, demokracia, barazia dhe të gjitha ato fraza të zbrazëta politike, na ka mbetur vetëm të besuarit si një komponentë thjesht psikologjike, ndonjëherë aq imagjinare saqë kufizohet me fantazinë. Por, sido që të jetë, po të mos ishte besimi se diçka do të ndryshonte për mirë, ne nuk do të ishim këtu ku jemi. Natyrisht, po flas për neve që kemi mbetur këtu, ata që kanë shkuar kanë treguar se besimi në një të nesërme më të mirë ka një afat skadimi dhe se është një kategori tejet personale e cila si e tillë asnjëherë nuk mund të merret si unike për tërë shoqërinë. Dhe besimi në një të ardhme më të mirë është i matshëm me përqindje si çdo gjë tjetër, mirëpo, për fat të keq, kjo përqindje është gjithnjë e më e vogël nga dita në ditë. 

Arsyeja për këtë assesi nuk është ndonjë faktor i jashtëm dhe i paprekshëm, veçse pikërisht ajo që shohim çdo ditë në terren. Vendime që askujt nuk i sjellin diçka të mirë – gjuha e urrejtjes, dëbimi, presionet dhe të gjitha ato që janë fryte të shoqërive në tranzicionin e pasluftës janë shndërruar në përditshmëri që ka filluar të konsiderohet si diçka normale dhe e pritshme. Pa këtë do të kishte qenë tejet e çuditshme dhe e pazakontë. Megjithkëtë, nëse e krahasojmë veten me shoqëritë e ngjashme, tek ne ky proces po stërzgjatet tepër shumë. Është e qartë se udhëheqësit politik të formuar në këto kohë janë mësuar me ikonografinë e luftës dhe të pasluftës dhe dhe nuk shohin të jetë i mundur ndonjë mënyrë tjetër e veprimit, kështu që duke e mbajtur shoqërinë në një gjendje frike, ata i krijojnë vetes një klimë për punë dhe veprim.  

A do të sillnin diçka më të mirë ca udhëheqës të rinj nëse do të hiqnin dorë nga mënyra e zakonshme e të vepruarit? Sipas të gjitha gjasave po, por kjo kërkon guxim të cilin askush në Kosovë ende nuk e ka – nuk e ka ose nuk është i gatshëm ta tregojë atë. Konkurrenca është tepër e fortë dhe ka shumë të tillë që çdo lloj kuptimi normal të politikës e vendosin në shtyllën e turpit. Shumëçka nga kjo gjendet nëpër rrugët tona, në Kuvend, në politikë, në të gjitha ato që ndikojnë në jetën tonë.  

Të gjitha besimet tona hyjnë vetëm në një mendim e kjo është një jetë më e mirë për të gjithë, por tekstualisht për të gjithë pa përjashtim. Është e qartë se është shumë të pritet diçka e tillë sepse, për fat të keq, një mënyrë e tillë e të menduarit ka hyrë në vetëdijen tonë e kjo është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një shoqërie. Fatkeqësisht, kjo gjë na ndodhi neve dhe tani është këtu me ne kështu që duhet të merremi me të në mënyrën më të mirë të mundshme në qoftë se kjo mund të ketë ndonjë anë që është më e mira. Jemi pak në numër që të urrejmë njëri-tjetrin, pak jemi që të vritemi me njëri tjetrin, por jemi pak edhe që të ndryshojmë diçka. Në këtë balancë të së keqes ne e gjejmë atë anën që është më së paku e dëmshme e cila na mjafton që të mbijetojmë por jo edhe që të jetojmë me mushkëri të plota.  

Gjeneratat shkojnë, vitet kalojnë, vijnë disa ide të reja dhe disa lëvizje të reja, por, për fat të keq, pa ide pozitive dhe përparimtare, porse të gjitha ato janë ende të ngjyrosura me ngjyra nacionale dhe mendime nacionaliste të cilat edhe na kanë sjellur deri tek të gjitha këto. Për këtë arsye, le të mos habitemi nëse gjithnjë e më shumë njerëz do të largohen dhe nëse në një të ardhme jo shumë të largët rrugët tona mbeten boshe. Vetëm shpresoj që atëherë dikush do të ketë guxim që të thotë se kush janë fajtorët për këtë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.