Brainstorming për normalizim

Rrallëherë ndodh që shqiptarët e serbët e Kosovës të bashkohen për të diskutuar mbi problemet që i preokupojnë, e edhe më rrallë për sfidat politike dhe rezultatet që politika po i sjellë. Mitrovica në geto, Trepça me pronësi të kontestuar, Asociacioni i Komunave serbe ende i paformuar – të gjitha këto çështje janë shpërdorur, manipuluar e keqinterpretuar ashtu siç u është përshtatur partive politike, sidomos atyre në pushtet, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, për të përfituar politikisht.

0
1143

Rrallëherë ndodh që shqiptarët e serbët e Kosovës të bashkohen për të diskutuar mbi problemet që i preokupojnë, e edhe më rrallë për sfidat politike dhe rezultatet që politika po i sjellë. Mitrovica në geto, Trepça me pronësi të kontestuar, Asociacioni i Komunave serbe ende i paformuar – të gjitha këto çështje janë shpërdorur, manipuluar e keqinterpretuar ashtu siç u është përshtatur partive politike, sidomos atyre në pushtet, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, për të përfituar politikisht.

Fatkeqësisht, këto shpërdorime e keqinterpretime të shumta janë bërë në dëm të qytetarëve dhe si rrjedhojë kanë sjellë vetëm thellim të tensionit ndëretnik. Pjestarë të shoqërisë civile, të udhëhequr nga New Perspektiva dhe BIRN, u mblodhën ditë më parë në një brainstorming event për të përcaktuar disa pika të cilat i shohin si më të rëndësishme për t’u përfshirë në bisedimet midis Kosovës e Serbisë që rinisën në Bruksel. Shoqëria civile konsideron se duhet krijuar një grup i përbërë nga OJQ-të me qëllim që drejtpërdrejt të kenë mundësi të ndikojnë dhe të vlerësojnë procesin e implementimit të marrëveshjeve.
Ky aktivitet mblodhi përfaqësues nga fusha të ndryshme, me përkatësi të ndryshme etnike, përfshirë gazetarë, hulumtues, profesorë, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare, studentë, etj. Idetë u dhanë kryesisht mbi disa pika që kanë të bëjnë me normalizimin dhe si rrjedhojë përmirësimin e gjendjes në Kosovë, të cilat po i listoj më poshtë:
1. Informimi – Negociatat Kosovë-Serbi prej fillimit kanë qenë të ndërtuara mbi një ambiguitet që i ka lënë hapësirë të gjerë interpretimeve e lakimeve të shumëfishta. Ajo që u përdor si “ambiguitet konstruktiv” gjatë negociatave ka sjellë dilema të gjera te popullsia nëse këto marrëveshje do të implementohen njësoj; sikurse natyra e tyre dhe interpretimi i tyre i dyfishtë: një i Prishtinës e tjetër i Beogradit. Shoqëria civile është e interesuar që të jetë e përfshirë më shumë në këto bisedime; si dhe të jetë më shumë e informuar në lidhje me atë se çka do të bisedohet dhe në lidhje me rezultatet e arritura deri tani. Gjithashtu u kërkua me vendosmëri përfshirje më e madhe e komunitetit serb nga veriu i Mitrovicës në negociatat e Brukselit, të cilët, ndonëse po i përfaqëson Serbia, nuk ndihen se interesat e tyre po përfshihen mjaftueshëm.
2. Financat dhe ekonomia – Në këtë pikë shoqëria civile kryesisht u pajtua se duhet të krijohet një mekanizëm i cili do të siguronte qytetarët serb se nuk do të ketë ndryshime socio-ekonomike në dëm të tyre, ndryshime të cilat do të rezultonin me humbje të vendeve të punës, ndryshim të pagës, etj. U tha se ndonëse shumë vetë në veri e dinë se ndryshimet e nisura janë të pakthyeshme, dhe derisa ende vazhdojnë të kalojnë nëpër fazën e kuptueshme të mospranimit, ata kanë nevojë për masa të përkohshme për t’u ndihmuar që ta kalojnë këtë. Bashkimi Evropian, përmes financimit, duhet të vazhdojë të nxisë zhvillimin ekonomik. Gjithashtu rekomandohet që financimi nga ana e Serbisë për qëllime humanitare (jo politike) duhet të shihet si diçka pozitive përderisa bëhet me plane të qarta, jo të fshehura, dhe përmes rrugëve legjitime.
3. Edukimi – Në këtë drejtim, sugjerohet se duhet të lëvizet më shpejt në lidhje me njohjen e diplomave nga të dyja qeveritë, në mënyrë që të hapet rrugë për mundësi punësimi të barabartë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të të diplomuarve dhe vendndodhjen e univerziteteve dhe kolegjeve të tyre. Rëndësi e veçantë iu kushtua edhe çështjes se sa ka studentë serb në Universitetin e Prishtinës, si dhe sa është e mundur që ligjëratat në të ardhmen të ofrohen në gjuhën e tyre.
4. Asociacioni i Komunave Serbe – Kjo ishte ndër pikat më kritike dhe interesante për vetë faktin që në lidhje me këtë asociacion ka qëndrime dhe mundësi të ndryshme – përderisa në Kosovë shihet pothuajse si një OJQ, në Serbi ajo po interpretohet si diçka e ngjashme me Republika Srpska në Bosnje. Pra, sipas tyre, po krijohet një entitet brenda një shteti i cili ka karakter vetëqeverisës. Sipas komunitetit serb në Kosovë, ky asociacion është tejet i nevojshëm pasi do të ofronte më shumë mundësi për përfaqësim të nevojave të tyre, si dhe më shumë mundësi për zhvillim ekonomik; një vend ku mund të drejtohen kur mendojnë se nuk kanë ku tjetër. U përshkrua si gurthemel për atë komunitet. Shoqëria civile kërkon që Bashkimi Evropian të jetë më i qartë në lidhje me këtë asociacion, detyrat, obligimet si dhe të drejtat që do t’i ketë pas formimit.
Si përfundim, u kërkua që shoqëria civile, përfshirë komunitetin serb në Mitrovicë, të jetë më aktive në procesin e bisedimeve si dhe t’i ofrohet më shumë mundësi për shprehjen e nevojave të tyre gjatë këtij procesi pasi ajo është pikërisht shoqëria për të ardhmen e së cilës po merren vendime me rëndësi të madhe.