Çfarë mendojnë serbët e veriut?

Të shohësh se më në fund organizata jo-qeveritare që kryesisht punojnë me komunitetin serb në Kosovë po organizojnë aktivitete në të cilat shpalosin nevojat dhe kërkesat e tyre, tregon një hap të madh në krahasim me të kaluarën kur ato kryesisht adresoheshin përmes mediumeve të ndryshme.

0
1164

Të shohësh se më në fund organizata jo-qeveritare që kryesisht punojnë me komunitetin serb në Kosovë po organizojnë aktivitete në të cilat shpalosin nevojat dhe kërkesat e tyre, tregon një hap të madh në krahasim me të kaluarën kur ato kryesisht adresoheshin përmes mediumeve të ndryshme.

OJQ Aktiv me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), ka përpiluar një raport i cili tregon opinionet e serbëve të veriut të Kosovës për çështje të ndryshme si perceptimi i gjendjes ekzistuese dhe pritjet për të ardhmen, marrëveshjen e Brukselit, besimi në institucione e Kosovës, etj.

Shpalosja e raportit u bë nga njëri prej autorëve të tij, drejtori i programit të OJQ-së Aktiv, Branislav Nešović, në një konferencë të organizuar në Prishtinë, ku kishte përfaqësuesë të institucioneve të ndryshme, shoqërisë civile, organizatave dhe disa gazetarë. Z. Nešović tregoi për gjetjet e raportit dhe pastaj shprehën opinionet e tyre edhe dy folës tjerë të ftuar.
Është interesant të shihet se si shumë nga problemet që i ka komuniteti serb janë të përbashkëta me ato të shqiptarëve, edhe pse me siguri nuk janë në proporcione të njëjta. Komuniteti serb ashtu si ai shqiptar, ka kritika për transparencën e qeverisë së Kosovës dhe asaj serbe në lidhje me marrëveshjet e arritura, nuk kanë punë, mungon stabiliteti ekonomik, etj. Sidoqoftë, sipas këtij raporti, mendimet nuk janë tërësisht të njëjta as kur bëhet fjalë për vetë komunitetin serb brenda Kosovës pasi që pjesa që jetojnë në veri të Mitrovicës janë kryesisht më pesimistë dhe kritikë ndaj qeverisë së Kosovës në krahasim me ata që jetojnë në Graçanicë dhe komunat tjera në pjesën tjetër të Kosovës. Në bazë të raportit gjithashtu është me rëndësi të vërehet fakti se si qytetarët ndajnë problemet politike dhe ato ekonomike. Për shembull, qytetarët e komunitetit serb në Mitrovicë dhe Zveçan, i shohin problemet politike si më me rëndësi, ose si shkak për cilësine e dobët të jetesës së tyre. Ndërsa, qytetarët e Zubin Potokut i shohin problemet ekonomike si shkak i cilësisë së dobët të jetesës së tyre. Një grup fare i vogël i qytetarëve gjithashtu mendon se ata vet janë përgjegjës për situatën e krijuar pasi që nuk janë duke marrë pjesë mjaftueshëm në jetën politike në Kosovë. Mirëpo, në këtë raport në përgjithësi problemet politike janë theksuar më shumë nga qytetarët si arsye e problemeve të tyre sociale.

Në pyetjen se si qytetarët e perceptojnë jetën e tyre në komunën ku jetojnë dhe si e konsiderojnë cilësinë e jetesës, 69% e qytetarëve të veriut janë përgjigjur se e shohin si të dobët. Ndërkaq në pyetjen se si e shohin cilësinë e jetesës së qytetarve në anën jugore të Ibrit, 44% e tyre kanë thënë që bashkështetasit e tyre kanë cilësi të dobët të jetesës. Nga kjo pra shihet se perceptimi i cilësisë së jetesës së serbëve të veriut në raport me qytetarët në pjesen tjetër të Kosovës, ndryshon. Ngjashëm në pyetjen se a po shkon Kosova në drejtimin e duhur apo të gabuar, 77% janë përgjigjur që po shkon në drejtimin e gabuar.

Gjatë prezentimit të gjetjeve të raportit, rëndësi e madhe iu dha edhe mënyrës se si marrëveshja e Brukselit po portretizohet dhe se si komuniteti serb po e sheh atë. Fatkeqësisht, ashtu si për shumicën shqiptare, edhe për komunitetin serb, ky proces është i mbushur me ambiguitet, dyshime e mosbesim. Frika më e madhe ende mbetet në faktin se çfarë do të ndodhë me serbët të cilët tani punojnë me rregullore të institucioneve paralele. A do të mund ata punonjës të punësohen në institucionet e Kosovës pasi të shuhen ato paralele? Çfarë do të ndodhë me kurrikulat e arsimit të lartë? Çfarë është natyra e Asociacionit të Komunave serbe, si do të udhëhiqen ato dhe nga kush do të financohen? Këto dhe shumë pyetje tjera mbeten ende pa përgjigje dhe nuk janë adresuar në mënyrë direkte as nga delegacioni kosovar e as ai serb.

OJQ Aktiv shprehet se financimi prej shtetit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë nuk duhet të shihet si kërcënim nëse ai bëhet përmes procedurave të rregullta dhe me ligjet e Kosovës. Lidershipi kosovar dhe ai serb duhet të njoftohen drejtpërsëdrejti me potencialin e shoqërisë civile serbe në Kosovë dhe të adresojnë çështjet të cilat i brengosin ata.
Fatkeqësisht, edhe në këtë konferencë, si shumë të tjera ku adresohen të drejtat e njeriut dhe minoriteteve, nuk pati një përfaqësim të madh nga sfera politike dhe ajo e mediave.