Debat mbi transparencën në dialogun Kosovë-Serbi

0
880

Dialogu i Brukselit ka qenë jotransparent dhe kjo ka ndikuar që mediat nganjëherë t’i ofrojnë publikut informata jo të plota, u tha në debatin e organizuar në Leposaviq.

Në debatin e organizuar nga OJQ-ja “New social initiatives” së bashku me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, i cili u mbajt në Leposaviq, panelistët e quajtën të gabuar qasjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Duke konsideruar se dialogu ka qenë i mbyllur, ata thanë se çfarë është biseduar në Bruksel ka mbetur në Bruksel.

Kryeredaktori dhe autori i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Kreshnik Gashi, sa i takon dialogut mes Kosovës dhe Serbisë tha se gjithçka ka qenë jotransparente dhe nga ky dialog ka mbetur të monitorohen vetëm marrëveshjet që bëhen atje.

“Marrëdhëniet në diskutimet Beograd-Kosovë nuk janë transparente dhe ne na ka mbetur vetëm që të monitorojmë ato marrëveshje të cilat arrihen në këtë proces dialogu”, tha Gashi.

Hulumtuesja nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Donika Emini tha se është dashur të krijojnë një grup hulumtuesish që të merren me çështjen e dialogut.

“Fillimisht, për qasje në informacione kemi kriju një rrjet hulumtues me dy organizata, një nga Beogradi dhe një nga Tirana, që të marrim informata të sakta sa i përket procesit të dialogut. E vetmja mënyre ishte që të thërrasim kolegë nga Beogradi që të marrim informacione”, tha ajo.

Donika Emini theksoi se ky proces i dialogut ka sjell zero progres.

Po ashtu, ajo tha se procesi i dialogut ka qenë i mbyllur për publikun.

“Qasja e dialogut deri me tani ka qenë e gabuar. Dialogu ka qenë një proces që është mbajtë vetëm brenda dy palëve. Deri tash në Bruksel kemi parë diplomaci me dyer të mbyllura”, tha më tutje Emini.

Drejtori i televizionit “MIR” në Leposaviq, Nenad Radosavleviq, gjatë debatit tha se qëllimi i këtij dialogu është normalizimi i raporteve mes Beogradit dhe Kosovës.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është normalizimi i raporteve Beograd- Kosovë”, tha ai.

Ndërsa, Nexhmedin Spahiu nga “TV Mitrovica” tha se Kosova ka shpenzuar shumë para për këtë dialog.

“Bisedimet në Bruksel kanë mundur të jenë edhe më ndryshe, por ata kanë vendosur që secila palë ta interpretojë marrëveshjen sipas mënyrës së vet dhe kjo normal që sjell telashe”, tha Spahiu.

E gazetarja e televizionit “MIR”, Sanja Sovrliq, tha se personat më të vështirë me të cilët mund të flasësh për dialog janë ata që janë pjesë e dialogut.

“Kur bëhet fjalë për media unë jam shumë kritike për mediat dhe organizatat joqeveritare sepse sipas bindjes time sa i përket organizatave joqeveritare duhet të kemi paraqitje të përbashkëta”, tha Sovrliq.

Ajo kërkon bashkëpunim mes mediave dhe organizatave joqeveritare e shoqërisë civile në lidhje me dialogun.

Debat i ngjashëm me këtë të sotmin është zhvilluar dy javë më parë në Mitrovicën Veriore.

Javëve të ardhshme pritet që të mbahen edhe tryezat apo debatet e radhës lidhur me këtë temë.

Aktualisht, dialogu i Brukselit është pezulluar përmes një rezolute të Kuvendit të Kosovës, e cila kërkon që Prishtina të mos marrë pjesë në këtë dialog deri në lirimin e Ramush Haradinajt, i cili është ndaluar në Francë më 4 janar në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Beogradi.

(kallxo.com, 18/04/2017)