Qeverinë Kurti 2 e presin sfida të shumta. Një temë pa asnjë dyshim me rëndësi vitale mund të konsiderohet çështja e dialogut me shtetin serb. Është interesant fakti që disa herë me radhë, prijësi i Lëvizjes Vetëvendosje, tani kryeministër, Albin Kurti, e ka konsideruar çështjen e dialogut si një çështje jo me prioritet për shtetin e Kosovës duke qenë se shteti i Kosovës përballet me tema si korrupsion të rëndë, gjendje të rëndë ekonomike e pa dyshim aktualisht dhe me çështjen e pandemisë. Megjithatë, mendoj që nuk është e drejtë që dialogu të mos konsiderohet çështje prioritare e ndoshta edhe e një rëndësie primare për shtetin e Kosovës. Çështja e dialogut është në fakt prioritet dhe kjo do të bazohet në tri argumente: Së pari, mungesa e një ndërlidhjeje të qartë mes situatës me COVID dhe bisedimeve. Së dyti, Kosova duhet të punojë në drejtim të përmirësimit të pozitës në rrafshin ndërkombëtar dhe së treti për faktin që dialogun mund ta shohim edhe si agjendë të paracaktuar nga faktori ndërkombëtar.
Ndonëse tema e pandemisë është pa dyshim temë aktuale në nivel botëror, nuk mund të përdoret efektivisht si një argument kundër inicimit dhe shtyrjes së procesit të dialogut me shtetin serb. Kjo pasi që nuk mund të argumentojmë se përpjekjet e Kosovës në drejtim të normalizimit të situatës me COVID-19 kanë një ndërlidhje të qartë me të qenit shtet aktiv e ndoshta edhe proaktiv në përcaktimin e një qëndrimi dhe strategjie mbi atë se si Kosova do të sillet në procesin e dialogut. Për më tepër, asnjë implikim social ose ekonomik i pandemisë nuk mund të justifikojë mungesën e vullnetit të qeverisë Kurti për të punuar në një proces të tillë e sidomos kur tani më shumë se asnjëherë i kanë ardhur mundësitë një subjekti politik që të ketë një qasje konsistente dhe të bazuar në legjitimitet në procesin e dialogut. Pra, ndonëse qeveria Kurti mund ta ketë prioritet veçanërisht tejkalimin e situatës socio-ekonomike në përgjithësi, çështja e dialogut është e një karakteri politik dhe implikimet e saj janë po ashtu të një natyre kryesisht politike.
Kosova duhet të punojë në drejtim të përmirësimit të pozitës në rrafshin ndërkombëtar dhe dialogu në fakt parashihet që të jetë faktor kontribues në drejtim të këtij objektivi për shtetin e Kosovës. Në fakt, qeveria Kurti 1 kishte bërë hapa prapa në raportin me SHBA-në e drejtuar nga Donald Trump, duke mos qenë veçanërisht bashkëpunuese e duke bërë që një marrëveshje eventuale (edhe pse ekonomike në natyrë) të arrihet më pas nga qeveria Hoti. Po ashtu, duke patur parasysh që Bashkimi Evropian thekson në mënyrë të vazhdueshme normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe faktin që Kosova ende (edhe pse ndoshta padrejtësisht) nuk ka liberalizim vizash për “mosplotësim kushtesh”, puna drejt arritjes së një kompromisi eventual me shtetin serb do të dërgonte edhe një sinjal të qartë se qeveria Kurti, dhe kështu shteti i Kosovës, kanë vullnetin që të tregohen bashkëpunues dhe konstruktivë në arritjen e një zgjidhjeje në këtë proces me rëndësi për rajonin.
Një element tjetër që vlen të konsiderohet është ai që shteti i Kosovës pa marrë parasysh qeverinë udhëheqëse ka një lloj sovraniteti të kushtëzuar dhe që dialogu me Serbinë mund t’i paracaktohet në fakt Kosovës në krye të agjendës. Duhet patur parasysh ndikimin e Bashkimit Evropian në Kosovë, e veçanërisht të Shteteve të Bashkuara, dhe, ndërlidhur me këtë, edhe idenë se qeveria Kurti mund të vendoset në një pozitë të atillë ku dialogu me Serbinë do të shndërrohet prioritet për Kosovën. Kjo thjeshtë për faktin se marrëdhëniet mes dy shteteve nuk janë të izoluara dhe se një marrëveshje e tillë prodhon efekte për tërë rajonin dhe kjo përbën interes për vetë Bashkimin Evropian dhe SHBA-në. Rënia e qeverisë Kurti 1 shpesh është ndërlidhur edhe me mungesën e vullnetit të z. Kurti për të nënshkruar marrrëveshjen ekonomike të propozuar nga SHBA dhe një shembull i tillë shërben për të rikujtuar që shteti i Kosovës nuk është që mund të ndjekë një rrugë edhe bash të pavarur në një proces të tillë.
Pra, së fundmi nga Vetëvendosje e veçanërisht nga lideri i saj, kryeministri, Albin Kurti, është deklaruar që dialogu nuk përbën një prioritet, por që në fakt realiteti dëshmon se një deklaratë e tillë mund të mos jetë e mbështetur në gjendjen reale. Së pari, gjendja socio-ekonomike e vendit kryesisht e ndikuar nga pandemia COVID-19 nuk ka një ndërlidhje të qartë me mundësinë ose shpalljen e një vullneti të qartë për të ndjekur çështjen e dialogut. Argument tjetër mbi nevojën e Kosovës për të prioritizuar dialogun është edhe fakti që Kosova ka nevojë që të rrisë ‘fuqinë e butë’ në marrëdhënie ndërkombëtare duke treguar vullnet për veprim konstruktiv. Dialogu mund të shndërrohet në prioritet për Kosovën edhe si rezultat i presionit ndërkombëtar për të bërë një gjë të tillë. Ky skenar është real duke patur parasysh sovranitetin e brishtë të shtetit tonë. Pa marrë parasysh kursin që do ndjekë qeveria Kurti, dialogu është proces i paevitueshëm dhe do të duhej të konsiderohet si i tillë.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.