Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ndonjëherë me deklaratat e saja na habit të gjithëve, qoftë kur e thotë një të vërtetë të madhe apo kur komunikon ndonjë lajm të paverifikuar duke i dhënë vlerën e të vërtetës sepse nuk është presidentja kushdo qoftë – nënkuptohet se një person në atë pozitë ka gjithmonë informacione të sakta dhe të verifikuara. Por në gjithë rajonin tonë kjo nuk konsiderohet e obligueshme, madje ndonjëherë konsiderohet edhe diletantizëm politik, sepse dihet që sa më shumë të akuzoni kundërshtarin, aq më të vlefshëm jeni vetë. Natyrisht, gjithçka që u tha më parë ishte me një dozë të madhe ironie, sepse po të mos ishte ky lajmi që po qarkullon në media këto ditë askush nuk do ta mendonte një gjë të tillë sepse do të mund të konsiderohej të paktën si një shaka e mirë. Por, sido që të jetë, një lajm i tillë ka ardhur nga pozita më e lartë, ndaj kjo i jep vlerë dhe rëndësi dhe kur kjo ndodh, askush nuk qesh me lajme të tilla, sepse politikanët seriozë nuk thonë batuta dhe lajme të paverifikuara, apo ndoshta edhe e bëjnë, koha le ta tregojë këtë.
Sido që të jetë, në një kohë të pështjellimeve të përgjithshme globale dhe luftës kundër koronavirusit, numri më i madh i vendeve i harrojnë grindjet dhe u vijnë në ndihmë atyre për të cilët ndihma e miqve është me rëndësi jetike dhe të cilët pa atë ndihmë nuk do t’ia dilnin të luftonin asnjë lloj lufte. Është e vërtetë që Serbia dërgoi një numër të caktuar vaksinash në shumë vende si formë ndihme, është gjithashtu e vërtetë që kjo ndihmë u përcoll si në mënyrë mediale ashtu edhe politikisht, por që kjo ndihmë është në fakt një formë presioni, pakkush mund të besojë një gjë të tillë. Po ashtu, kjo e njëjta Serbi i dërgoi ndihmë kësaj Kosove të njëjtë vitin e kaluar në formë të testeve PCR, që natyrisht u vendosën në magazinë deri në datën e skadimit dhe më pas u shkatërruan, sepse përfaqësonin “ndikimin malinj të Rusisë dhe eksponentit të saj, Serbisë”, edhe pse, të rikujtojmë, testet ishin nga Kina, por kjo nuk është aspak e rëndësishme në politikë. Në fund të fundit, kushdo që e kërkon armikun e sheh atë në të gjithë ata që e rrethojnë ndërsa testet ishin vetëm një armë e asaj lufte të heshtur. Përsëri ironi, por si të interpretohet ndryshe gjithë ky konfuzion i shkaktuar nga asgjëja.
Pak kohë pas donacionit serb të testeve në Kosovë, teste të njëjta të tilla i dhuroi Kosovës edhe Turqia dhe ato teste u përdorën menjëherë, kështu që u bë e qartë për të gjithë se testet janë, le të themi, sikur një verë e shtrenjtë – kanë origjinë gjeografike që ua rrit vlerën. Vaksinat janë bërë produkti më i kërkuar në botë; të gjithë po shtyhen në radhë për të marrë edhe kontigjentin më të vogël ashtu që të nisin procesin e vaksinimit. Vendet e vogla janë të dënuara të presin dhe të kenë durim të nevojshëm sepse të mëdhenjtë dhe të pasurit blejnë sasi të mëdha paraprakisht dhe nuk brengosen për ne të vegjëlit, madje edhe nëse brengosen atëherë kjo është vetëm në letër dhe deklarative. Duke mësuar nga e gjithë kjo, në vend që të paktën t’i thërrasim mendjes dhe të mbahemi me njëri tjetrin në një kohë kur shëndeti është e vetmja gjendje të cilën mund t’ia dëshirojmë vetes, ne merremi me histori të vogla kafenesh që ngjallin lloje të ndryshme emocionesh në një pjesë të publikut, të cilat me një përdorim të duhur lehtësisht shndërrohen në poena politikë.
Përveç kësaj, shtrohet pyetja se si këto vende të vogla e shumë të vogla papritmas kanë një rëndësi për Kosovën në kuptimin politik. Kur shtetet e tilla apo të ngjashme afrikane i tërhiqnin njohjet, atëherë rëndësia e tyre zvogëlohej dhe bëhej objekt talljeje në Kosovë, kurse tani krejt papritur, vetëm për shkak të donacionit serb të vaksinave, ato bëhen të mëdha dhe me ndikim, dhe kështu edhe temë e diskutimit të Presidentes së Kosovës. Hipokrizia politike prej kohësh është bërë normë, por kjo qasje ndaj gjithë kësaj e ngre këtë të njëjtën hipokrizi në një nivel më të lartë. Në fund të fundit, nëse gjithçka është ashtu siç ka deklaruar presidentja e Kosovës, atëherë pikërisht Kosova do të duhej të merrte donacionin më të madh të vaksinave nga Serbia.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.