E ardhmja në dukje e pashmangshme për Kosovën dhe Serbinë

Duhet patur parasysh që orientimi perëndimor për Kosovën dhe Serbinë nuk nënkupton vetëm stabilitet rajonal por është në fakt zgjidhja optimale dhe gati e detyrueshme edhe për të dy shtetet në mënyrë të veçantë.

0
520

Ndonëse bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë vijojnë të jenë klasike në aspektin që shquhen nga një diskurs i ngjashëm në mes dy palëve, nuk mund të themi se procesi i dialogut nuk ka një pikë të përbashkët për të dyja vendet dhe kjo në fakt nuk është fare utopike. Ky diskurs konsiston në atë se shteti i Kosovës vijon me insistimin që të arrihet një marrëveshje e përbashkët ku në thelb qëndron njohja e Kosovës nga ana e Serbisë kurse Serbia qëndron e palëkundur në idenë se ky akt është praktikisht i pamundur. Megjithatë, jo vetëm që nuk është e thënë që situata të mbetet e tillë, por në fakt racionaliteti më i madh për të dy shtetet është që të arrihet një marrëveshje e përbashkët në proces të dialogut me epilogun e njohjes së shtetit të Kosovës. Kështu të dy shtetet duhet të dëshmojnë që kanë një ambicie për të ndjekur rrugën perëndimore e cila është faktikisht zgjidhja optimale për to në procesin tashmë të tejzgjatur të dialogut. Që Kosova dhe Serbia duhet të ndjekin agjendën perëndimorë janë dy argumente të cilat mund të karakterizohen si bazë: ky skenar është kyç për arritjen e stabilitetit të shumëkërkuar në rajonin e Ballkanit dhe se për asnjërin nga shtetet tanimë nuk do të ishte racionale ta shmangnin rrugën drejt perëndimit.

Autorët James Jay Carafano dhe Luke Coffey në artikullin e tyre “Serbia në udhëkryqin e fuqive të mëdha” shkruajnë se në projektin e Evropës së lirë dhe në paqe, të simbolizuar me Bashkimin Evropian, është evidente zona e Ballkanit si zonë me potencial për krim dhe konflikt. Ata më tej theksojnë se “epiqendra e përçarjes aty vazhdon të jetë e përqendruar pikësëpari në tensionet midis Serbisë dhe Kosovës”, duke iu atribuuar në një formë potencialin për destabilitet rajonal këtyre dy shteteve. Me idenë që dialogu shihet si mekanizëm për stabilitet rajonal, autorët shtojnë më tej se “kapërcimi i dallimeve me Kosovën mund të jetë çelësi për shpërfaqjen e Serbisë si një forcë e rëndësishme në zhvillimin dhe stabilitetin rajonal” duke lënë të kuptohet në një mënyrë që dialogu i suksesshëm është çelës në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Një orientim i të dyja shteteve në rrugën evropiane jo vetëm që sjellë stabilitet në një kontekst të sigurisë në Ballkan, por njëkohësisht influenca e Perëndimit vlerësohet se do të ketë impakt pozitiv edhe në rritjen e prosperitetit për Ballkanin Perëndimor dhe për shtetet në fjalë në mënyrë specifike.

Duhet patur parasysh që orientimi perëndimor për Kosovën dhe Serbinë nuk nënkupton vetëm stabilitet rajonal por është në fakt zgjidhja optimale dhe gati e detyrueshme edhe për të dy shtetet në mënyrë të veçantë. Së pari, sa i përket shtetit të Serbisë, siç edhe vlerësohet nga autorët e lartpërmendur, rruga më e mirë për të përmirësuar raportin e saj me Perëndimin është që të njohë Kosovën. Normalisht, kjo tingëllon më lehtë në teori sesa në praktikë por nëse vlerësojmë racionalitetin e veprimeve, do të vijmë prapëseprapë në përfundimin se nuk ka ndonjë zgjidhje më të mirë për ta. Situata e tanishme e cila praktikisht nuk çon në asnjë konkluzion duket si një veprim kokëfortë dhe njëkohësisht joproduktiv për shtetin serb që në fund të fundit nuk do të duhej ta sakrifikonte (siç po e bën tani) të ardhmen e saj perëndimore për shkak të Kosovës.

Edhe situata e Republikës së Kosovës mund të paralelizohet me atë të Serbisë sa i përket orientimit perëndimor. Kjo tendencë e Kosovës është theksuar gjithmonë dhe vazhdon të riafirmohet. Së fundmi kryeministri, Avdullah Hoti, theksoi që “Republika e Kosovës është e përkushtuar ta ndërtojë të ardhmen e saj euroatlantike dhe të bëhet sa më parë pjesë e NATO-s dhe e institucioneve të tjera ndërkombëtare” duke përforcuar vizionin perëndimor. Normalisht, shteti i Kosovës ballafaqohet me barriera evidente nga shtetet të cilat janë pjesë e BE-së që individualisht nuk e njohin atë por megjithatë nxitjet ekonomike dhe politike janë të dukshme dhe thërrasin gjithmonë për një orientim perëndimor.

Ndonjëherë veprimet në dukje nacionaliste dhe me karakter realist (siç kuptohet termi në marrëdhëniet ndërkombëtare) tingëllojnë si të pakuptimta kur të dy shtetet duket që janë të destinuara për të lënë pas të kaluarën dhe për të vazhduar orientimin e tyre perëndimor. Natyrisht, barrierat dhe interesat për këto dy shtete janë evidente por autorët Carafano dhe Coffey shprehen shumë bukur dhe qartë kur thonë: “Është domosdoshmëri tani që të dyja vendet t’i fuqizojnë marrëdhëniet me Perëndimin, dhe shtegu më me ndikim i ecjes përpara është që të kuptohet se e ardhmja e dy vendeve është të jetuarit pranë njëri-tjetrit në paqe dhe me njohje të dyanshme.” Mund të ketë probleme dhe dilema për Kosovën dhe Serbinë por kjo tingëllon një e ardhme e pashmangshme.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.