Shteti i Kosovës dhe ai i Serbisë vazhdojnë përballjen e tyre në procesin e dialogut në një proces të mundimshëm bilateral. Megjithatë, duhet patur parasysh që të dyja shtetet operojnë edhe si pjesë e Ballkanit, duke qenë në një mënyrë ndikues dhe të ndikuar edhe nga proceset që ndodhin në rajonin e Ballkanit. Mund të argumentohet që mosnjohja e Kosovës nga shteti i Serbisë vijon të shërbejë si një barrierë jo vetëm për dialogun poredhe për proceset rajonale në të cilat janë të involvuara këto dy shtete.
Së pari, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është karakterizuar me kushtëzime nga ana e të dyja shteteve dhe në këtë mënyrë kjo ka ndikuar që ky proces të shoqërohet me bllokime të vazhdueshme. Shumë thirrje të bëra nga ana e individëve të caktuar ose mekanizmave ndërkombëtarë që procesi të mos vazhdojë me kushtëzime kanë hasur në vesh të shurdhër- pra janë injoruar nga shtetet në qasjet e tyre shumë realiste në kuptimin politik të fjalës. Taksa e vendosur nga shteti i Kosovës ka ndikuar që shteti serb të mos vazhdojë procesin e bisedimeve. Në taborrin tjetër, Serbia refuzon ta njohë shtetin e Kosovës. Kjo, pa marrë parasysh faktin që Kosovën e kanë njohur më se 110 shtete. Për më tepër, shteti i Serbisë ka punuar aktivisht edhe në anulimin e njohjeve të deritanishme të shtetit dhe vazhdon me lobimin kundër pavarësisë së vendit. Kjo situatë e këtyre kushtëzimeve, por veçanërisht e qëndrimit të ngurtë sa i përket Serbisë ndaj Kosovës, vijon ta minojë edhe procesin e dialogut pasiqë arritja e marrëveshjes duket jo shumë reale në këtë pikë.
Së fundi, janë ideuar edhe nisma të cilat argumentojnë për fillimin e mekanizmave rajonalë në kuadër të Ballkanit të cilat kanë hasur në përkrahjen dhe shtyrjen e disa shteteve si Shqipërisë, Maqedonisë e Serbisë. Më konkretisht, është diskutuar ideja e krijimit të një “Mini-Shengeni” në rajonin e Ballkanit e cila nënkupton pra mundësi që qytetarët dhe mallrat të lëvizin lirshëm. Tri shtetet e lartpërmendura kanë arritur marrëveshje për një nismë të tillë. Megjithatë, siç argumenton edhe korrespondenti i njohur nga Bashkimi Evropian, Augustin Palokaj, nisma të tilla si krijimi i këtyre strukturave nuk janë në fakt zgjidhje adekuate e problemeve me të cilat përballen popujt e Ballkanit. Në fakt, sipas tij, nuk do të mund të arrihen zgjidhje të problemeve pa e njohur Serbia shtetin e Kosovës. Ai shton që kur Serbia ta njohë Kosovën, kjo do shënojë rastin e fundit në rajon kur një shtet do të ketë pretendime territoriale ndaj një shteti tjetër. Pra, në ndërlidhje me temën në shqyrtim, njohja e Kosovës nga ana e Serbisëështë vitale për momentin dhe ka potencialin që të shndërrohet në element stabiliteti për rajonin e Ballkanit.
Njohja e Kosovës nga Serbia mund të perceptohet si element kyç në rregullimin e raporteve bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë aspekt, njohja e Kosovës nga shteti serb nënkupton ndoshta parakushtin themelor për arritjen e një marrëveshjeje mes dy shteteve, e cila, sipas profesorit të London School of Economics, James Ker-Lindsay, nënkupton fitore për të dyja shtetet. Për më tepër, efektet e njohjes së shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë nuk do të kufizoheshin në raportin bilateral Kosovë-Serbi. Në këtë aspekt, njohja për shtetin e Kosovës nga Serbia parashikohet se do të kishte efekte stabilizuese edhe për tërë rajonin e Ballkanit. Në fakt, siç u theksua më herët në shkrim, parashikohet të mos ketë zgjidhje afatgjate në Ballkan pa njohjen e Kosovës. Njohja e Kosovës nga Serbia me të drejtë mund të shihet si element kyç për ndryshime fundamentale jo vetëm në raportin Kosovë-Serbi por edhe në tërë Ballkanin. Në të kundërtën vazhdojmë të përballemi me stagnim politik.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.