Projektkodi i Procedures Penale në kuadër të të cilit është duke u trajtuar edhe çështja e gjykimit në mungesë, ende është në shqyrtim në Departamentin Ligjor të Ministrisë së Drejtësisë. Ai tani është “në fazën finale të shyrtimit nga ana e grupit punues dhe i njëjti do të procedohet në Kuvend gjatë muajit nëntor”, thonë në Ministrinë e Drejtësisë për New Perspektivën (NP).
Neni 346/A që rregullon gjykimin në mungesë iu shtua Kodit të Procedurës Penale në maj të vitit të kaluar, por deri tani nuk është zbatuar. Sipas një kumtese të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), një nga arsyet është se “nevojitet plotësimi i kushteve të cilat në praktikë vështirë mund të realizohen ashtu siç janë përcaktuar, në raste kur personi që kërkohet gjendet në Serbi”. Arsyeja tjetër, ajo thelbësore, është se me rastin e amendamentimit janë përvjedhur “lëshime të natyrës teknike” dhe kjo ka bërë që të ketë probleme në zbatim.
Në Ministrinë e Drejtësisë, në kapacitetin e sponzorizuesit të legjislacionit për fushën e drejtësisë, ku është duke u shqyrtuar Projektkodi i Procedurës Penale thonë se “gabimi ishte, se në vend që të derogohet (d.m.th. të hiqet nga zbatimi) për krimet e luftës, neni që rregullon afatin e hetimit (pra neni 159 i Kodit bazë të Procedurës Penale) është deroguar (pra është hequr nga zbatimi, po për krimet e luftës) neni i cili i referohet çështjes së pezullimit të hetimit (neni 157), edhe pse gabim teknik, por që rezultoi pastaj me probleme në zbatim.“
Një vit pas miratimit të ligjit që rregullonte çështjen e gjykimit në mungesë, Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë, bashkë me Komitetin për Legjislacion dhe Çështje Normative të Odës së Avokatëve të Kosovës, realizuan një takim virtual me Komisionin e Venecias ku moren Opinionin e tyre mbi këtë ligj.
“Me 19 qershor 2020, Komisioni i Venecias ka dhënë një Opinion, duke e vënë në dukje, se sipas standardeve dhe ligjit ndërkombëtar për të drejtën humanitare, gjykimi në mungesë në vetvete nuk konsiderohet i papajtueshëm me të drejtën për një gjykim të drejtë. Sidoqoftë, ky lloj gjykimi lejohet vetëm në rrethana të veçanta dhe me kusht që të ofrohen masa mbrojtëse efektive procedurale për të pandehurit”, shpjegon z. Lars-Gunnar Wigemark, Shef i EULEX-it.
Ministria e Drejtësisë thotë se Komisioni i Venecias ka rekomanduar një numër ndryshimesh në këto nene në mënyrë që të garantohet një zbatim më korrekt dhe efikas, dhe se “ndryshimet e rekomanduara sa i përket çështjes së Gjykimit në Mungesë, nuk janë të natyrës substanciale, por janë një kontribut në drejtim të saktësimit dhe avancimit të dispozitës.”
Në amendamentimin që iu bë Kodit të Procedures Penale në maj 2019, neni 346/A – Gjykimi në mungesë, në Paragrafin 8. thotë se “në rastin kur personi i gjykuar në mungesë shpallet fajtor me një vendim të formës së prerë, ai vendoset në kërkim në çdo sistem juridik ndërkombëtar ku Republika e Kosovës është anëtare, për t’u sjellë për vuajtje të dënimit në Republikën e Kosovës. Vuajtja e dënimit në një shtet të tretë mund të lejohet vetëm nëse për një gjë të tillë Republika e Kosovës ka marrëveshje ndërkombëtare bilaterale me shtetin pranues.” Ndërkaq, “në rast të ekstradimit të të dënuarit në mungesë në Republikën e Kosovës, ai ka të drejtë të kërkoi rigjykim, në bazë të mjeteve juridike të jashtëzakonshme”, thuhet në Paragrafin 9. të këtij Neni.
Meqenëse Kosova nuk është anëtare në Interpol e as Europol, New Perspektiva u interesua të mësojë se si do ta ndihmoi dhe mbështesë EULEX-i arritjen e Drejtësisë Tranzicionale në Kosovë kur është fjala për të arrestuar dhe sjellë të pandehurit për krime lufte para gjyqit në Kosovë; ose, në rastet e të dënuarve në mungesë, për ekstradimin e tyre për në Kosovë për të vuajtur dënimin me burg?
Shefi i EULEX-it, z. Wigemark thotë se “vërtetë, Kosova nuk është anëtare në Europol dhe Interpol. Megjithatë, Misioni ynë mbështetë Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit policor mes Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europolit apo Ministrisë së Brendshme të Serbisë”.
Në Ministrinë e Drejtësisë thonë se ka pasur raste kur kanë sjellë para drejtësisë persona të dyshuar për krime lufte edhe nga shtete fqinje, përkundër mungesës së anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe Europol: “Veçse i kemi ekstraduar disa të kërkuar për krime lufte, madje kemi realizuar ekstradimin e një të dyshuari për krime lufte edhe nga Bosnja dhe Hercegovina, shtet që nuk e ka njohur Kosovën, si dhe nga Mali i Zi si shtet fqinj, ndërsa sa i përket ekstradimit të dënuarve në mungesë do e shohim pasi të kemi raste të tilla”.
Sipas raportit me titull“Amnistia e Krimeve të Luftës në Kosovë” të botuar më 17 shtator 2020, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), “gjatë periudhës kohore tetor 1999 – qershor 2020, nga gjyqtarë të UNMIK-ut, EULEX-it, dhe atyre vendorë, me aktgjykime të formës së prerë janë dënuar gjithsej 40 persona, prej tyre plot 35 shqiptarë dhe vetëm katër (4) serbë… që shprehur në përqindje, i bie se nga të gjithë të dënuarit për krime lufte nga UNMIK-u, EULEX-i dhe gjyqtarët vendorë, 87.5% e tyre janë të etnisë shqiptare dhe vetëm 10% e tyre janë të etnisë serbe.”
Në njërin nga rastet e rrëfimeve të familjarëve të viktimave të luftës në Kosovë, të përfshirë në këtë raport të IKD-së, Adelina Gjinovci, nga Skenderaj, thotë se për dy pjestarë të familjes së saj të zhdukur dhe për djalin e axhes, trupi i të cilit ishte gjetur dhjetë vite pas lufte, asnjëherë nuk janë intervistuar nga prokuroria në kohën e UNMIK-ut, EULEX-it, apo PSRK.
“Lidershipi politik në Kosovë dhe partitë politike asnjëherë nuk i kanë marrë seriozisht hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë. Ky mosveprim dhe neglizhim i politikës në Kosovë, përfshirë mungesën e kërkesës dhe mbajtjes llogaridhënës Misionet e UNMIK-ut dhe EULEX-it për të përmbushur mandatin e tyre është përcjellë me mungesën e rezultateve, dhe drejtimin e ndjekjes dhe gjykimit kryesisht të shqiptarëve dhe amnistisë ndaj aparatit shtetëror serb dhe serbëve që kanë kryer krime në Kosovë”, konkludon IKD në raportin e tyre, duke shtuar se e njëjta qasje ka vazhduar edhe pas vitit 2014, kur kompetencat janë transferuar tek vendorët.