Më në fund, një hap para, ose prapa, sido që të jetë, interpretimin ia lëmë secilit person veç e veç. Sido që të jetë, u arrit një marrëveshje për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, e cila ende nuk është bërë e ditur në hollësi për qytetarët, por për këtë do të flasim në ndonjë rast tjetër. Natyrisht, menjëherë, që në fillim, pati interpretime të ndryshme se kush ishte fituesi i marrëveshjes, Prishtina apo Beogradi. Megjithatë, ajo që më së shumti e shqetëson qytetarin e thjeshtë është që ai të mos jetë humbësi i vetëm.
Qysh prej vitit 1999, konsumi i energjisë elektrike nuk është paguar në veri të Kosovës dhe ky ishte gati se një rast unik kudo në botë dhe, realisht, ka qenë i paqëndrueshëm, por ka qëndruar si status që u interpretua si problem social për shkak të gjendjes së keqe materiale të qytetarëve në veri të Kosovës dhe pamundësisë për të paguar. Natyrisht, ka kaluar shumë kohë dhe as ai status ekonomik nuk është përmirësuar, e as problemi i furnizimit me energji elektrike, i cili ka marrë më shumë karakter politik sesa teknik e procedural.
Marrëveshja në Bruksel rregullon faturimin, distribuimin, por edhe çmimet dhe tarifat sipas të cilave do të paguhet energjia elektrike dhe kjo në thelb është krejt normale, por qytetari i zakonshëm ka frikë nëse do të ketë pagesë retroaktive të rrymës së shpenzuar për periudhën e kaluar prej 23 viteve. Edhe pse përfaqësuesit e Beogradit premtojnë kategorikisht se kjo nuk do të ndodhë dhe se kjo është e specifikuar qartë në marrëveshje, në anën tjetër Prishtina po hesht përkitazi me këtë çështje. A është kjo heshtja e shkaktuar nga mospajtimi me atë që është nënshkruar apo nga frika nga opinioni publik që të pranohet se pikërisht ajo është nënshkruar, këtë nuk e dimë, por nuk ka reagime, ndërsa të mësuar nga përvoja, kjo di edhe të shkaktojë brengosje.
Reagimet ndaj marrëveshjes së arritur janë të ndara – ndërsa disa e mbështesin, me shpresë se kjo do të ndikojë në uljen e konsumit dhe, si rrjedhojë, një furnizim më të mirë, me më pak kufizime dhe cilësi më të mirë të vetë energjisë elektrike (tension, fuqi, etj.), nga ana tjetër, të gjithë të tjerët që të gjitha aktivitetet e tyre, si ato afariste edhe ato private, i lidhnin me energjinë elektrike brengosen se si do të ndikojë kjo në buxhetin e tyre. Pritshmëritë si të njërës ashtu edhe të tjetrës palë janë të justifikuara dhe të argumentuara, por duhet të shohim në të ardhmen se kush prej të përmendurve do të ketë të drejtë.
Më e keqja nga të gjitha është që një çështje pothuajse krejtësisht teknike duhej të zgjidhej në mënyrë politike dhe se, nën ndikimin e politikës, e gjithë kjo ishte ndërlikuar aq shumë sa që arriti në nivelin e një problemi të pazgjidhshëm. A është kjo njohje e pavarësisë? Sigurisht që jo, dhe disi duket gjithmonë qesharake kur dikush i krahason këto dy gjëra, por, gjithsesi është pjesë e mentalitetit tonë dhe këtu nuk duhet të presim ndonjë ndryshim.
Sido që të jetë, marrëveshja u arrit dhe me këtë iu hoq Prishtinës nga duart argumenti se vetëm kjo marrëveshje është pengesë për formimin e BKS-së [Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe] . Mbetet për t’u parë se sa imagjinatë politike ka qeveria aktuale për të dalë me një kusht të ri për mosformimin e bashkësisë së lartpërmendur. Nuk kemi dyshim se mungon imagjinata, mbetet për t’u parë se në cilin drejtim do të shkojë ajo dhe deri ku do të arrijë formimi i BKS-së, nëse fare do të vijë deri tek një gjë e tillë. Por le të mos i ngatërrojmë gjërat, megjithëse dikush i ka ngatërruar ato shumë kohë më parë.
Duhet të kuptojmë një gjë, energjia elektrike është mall dhe mallrat paguhen; me çfarë çmimesh dhe në çfarë mënyre, këtë e përcakton tregu dhe nuk duhet një mendje e madhe për ta kuptuar këtë. Sido që të jetë, kush do që të ketë rrymë duhet të paguajë dhe kush nuk dëshiron të paguajë shumë le të kursejë.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.