Vende të mbytura në lot dhe të zhytura në vuajtjet e banorëve që ditët i kalojnë duke pritur diçka, e ata më të moshuarit vetëm vdekjen. Ata që janë më të rinj prapëseprapë besojnë në mrekullira, ëndrra, besojnë në një ndonjë jetë më të mirë – ndonjëherë. Ky do të ishte përshkrimi im më i shkurtër i mundshëm i njerëzve që kanë mbetur të jetojnë nëpër enklava.
Është shekulli njëzet e një e enklavat janë vende të vetme të tilla në Evropë, në Kosovë. Serbët janë të gjykuar të banojnë në to, në vatrat e tyre (hmm pasojat e luftës). Këto fshatra duken si kampe pa tela ku rrojnë shpirtërat e torturuar, me mjerim gjithmonë të pranishëm, kurse problemet lindin me çdo ditë të re. Këtu shpresa nuk tregon shenja jete, jeta thuret diku jashtë, kështu që edhe ëndrrat janë thjesht gri.
Kështu ndjehesha edhe unë kur m’u dha rasti të shkojë deri në Shtërpcë (jugu i Kosovës) dhe të qëndroj atje disa ditë me miqtë e mi, thjesht gri. Shpirti im aventurier assesi nuk deshi të humbas një rast të tillë. Vetë rruga u duk mjaft interesante, kaluam nëpër vende për të cilat kishim dëgjuar nga prindërit tanë, sodisnim, bisedonim, qeshnim. Pas vizitës së disa pikave serbe të denja për t’u parë, kryesisht manastire, arrijmë në destinacionin e fundit, Shtërpcë. Me ndjenjë disi euforike përpiqemi që të shkrihemi me mjedisin, të njihemi me njerëzit që na pritën dhe fillojmë të bisedojmë me ta. Të këndshëm dhe mikpritës, ata lënë një përshtypje të mrekullueshme, por vërehet një shembje tek ta. Së shpejti u imponua tema e vështirë, rastësisht? Jo, assesi rastësisht, këta njerëz kalojnë nëpër krajata të mëdha, kjo shihej edhe në sytë e tyre. Kërkojnë një rrugëdalje të rrejshme, e sjellin veten në mashtrim, dëshirojnë të besojnë në një të ardhme më të mirë, por qartazi u mungon forca. E tërë ajo që kam mundur të shoh gjatë 3-4 ditëve sa qëndruam aty ishte mallëngjyese. Atë qeshje gjatë rrugës për në Shtërpcë e zëvendësoi serioziteti, dhembshuria për njerëzit që i njohëm.
Njerëzit të cilët i shikoja rrezatonin mirësi por edhe dëshpërim. Njerëz të cilët jetojnë nga dita në ditë. Njerëzit që e shohin Serbinë si shpëtim, Serbinë, e cila edhe i solli ata në këtë situatë. Vetë fakti që ata janë të rrethuar nga pjesëtarët e komunitetetit tjetër, popullit me të cilin vetëm 16 vjet më parë e shikonin njëri-tjetrin përmes nishanit, e tani për shkak të rrethanave bashkëpunon me të, flet shumë. Morali dhe besimi tek këta njerëz është zhdukur, ka humbur, kurse jeta shoqërore-sociale është në prag të kolapsit. Shumica e tyre jetojnë nga mëshira, sepse është shumë e vështirë të gjendet një punë. Përpiqem t’i kuptojë njerëzit që mbesin këtu e është më e qartë përse shumë prej tyre (kryesisht të rinjtë) janë larguar për të kërkuar një jetë të re. Emocionet shpërthyen, më lindi një dhembshuri për këta njerëz, pastaj u paraqit një mpirje. Pyes veten “a do të kisha mundur unë të kalojë këtu pjesën e mbetur të jetës?” Jo, assesi, kjo do të ishte vetëvrasje. Asgjë nuk mund të zëvendësojë lirinë.
Melankolinë në mua lidhur me udhëtimin e shkurtër në Shtërpcë para disa vitesh e zgjoi filmi serb “Enklava”. Ky qëndrim në jug të Kosovës do të më ndryshojë edhe mua, do ta çmoj shumë më tepër lirinë. Edhe shkruarja e këtij blogu është një lloj i apelit për të gjithë njerëzit e arsyeshëm dhe të vullnetit të mirë të ndihmojnë këta njerëz, t’u ofrojnë sadopak shpresë.