Më 15 shkurt Serbia shënoi ditën e shtetësisë. Pikërisht në këtë ditë në vitin 1835 u miratua kushtetuta që konsiderohet si një nga fillimet e shtetit modern serb. Dhe pikërisht në atë ditë, në vitin 2017, Gjilani gdhiu me grafite që nuk janë parë qe një kohë të gjatë. Prapë fjalë urrejtjeje nëpër rrugë. “Vrite serbin”, “UÇK” dhe kryqet e thyera në një shitore në rrugën e cila shpie tek kisha e Shën Nikollës, rrugë nëpër të cilën mund të thuhet që frekuentojnë më së shumti serbët. Hetimet treguan që autori është, as më pak e as më shumë, veçse një i mitur. Një gjashtëmbëdhjetëvjeçar. Në situata të këtilla, sipas ndonjë zakoni, mendojmë që autorët do të ishin persona më të rritur. Persona që kanë mbijetuar luftërat, për të cilët gjëra të tilla edhe nuk do të na habisnin aq shumë. Por kur dëgjojmë që një gjë të tillë e ka bërë një, të thuash, fëmijë, ky është një problem tejet i madh. Kjo është edhe e tmerrshme. Si është e mundur që fëmijët na u bënë të tillë? Prej nga kjo urrejtje tek fëmijët e cila solli deri tek shkrime si këto dhe kush i mësoi të bëjnë gjëra të tilla? Një pasojë tjetër thjeshtë e një nacionalizmi dhe ndarjeje në bazë përkatësie grupeve të ndryshme. Nëse fëmijët na rriten kështu, vështirë se do të vazhdojmë kah procesi i pajtimit. Edhe më vështirë do ta shmangim edhe një konflikt, vetëm se do të shkojmë më shpejt kah një i tillë. Në vend që gjashtëmbëdhjetëvjeçarët të punojnë për harrimin e luftës, ata propagandojnë urrejtjen, u bëjnë thirrje njerëzve që të vrasin. Rrëqethëse.
Përveç këtij incidenti në Gjilan, serbët edhe në këto Përshpirtje u pritën nga përmendoret e rrënuara në varrezat serbe. Ku na solli e tërë kjo dhe ku do të na shpie sërish? Deri tek porosia e qartë për serbët në jug të Ibrit se janë të padëshirueshëm. Të padëshirueshëm që të jetojnë këtu, e edhe më të padëshirueshëm nëse duan të kthehen në vendet ku kanë jetuar para lufte. Këto janë gjëra që të miturit dhe fëmijët e të dyja palëve mund t’i kthejnë kah nacionalizmi, mund t’i sjellin deri tek çmenduria e njëjtë që tashmë e kanë përjetuar njerëzit më të moshuar se ne. Ndarje, rrënime, luftëra, shpërngulje. Mbase të gjithë e kemi të qartë se të tilla kemi pasur mjaft. Bile edhe së tepërmi. Derisa “NEWBORN” i Prishtinës në ditën e shënimit të pavarësisë së Kosovës na porosit qartazi JO MURE, ne po ndërtojmë mure në kokat tona. Derisa qeveria e Serbisë më në fund vendosi të rrëzojë murin në Mitrovicë, nga ana tjetër bëjnë thirrje për vrasje të serbëve. Me rrugë të tillë nuk do të arrijmë askund. Mu për këtë arsye është me rëndësi që t’u flitet të rinjve për atë më të rëndësishmen, t’u flitet për njerëzinë. Nëse të gjithë do ta kishim në kokë se të gjithë ne, pa marrë parasysh nacionalitetin dhe besimin, jemi vetëm njerëz, kjo, besoj, do të na nxirrte në rrugë të drejtë. Nëse fëmijët i mësojmë për dashurinë, e jo urrejtjen ndaj kujtdo tjetër, do ta kishim shmangur tërë këtë urrejtje që vetëm se na shtyen në konflikte të ndryshme. Në fund të fundit, kjo varet prej nesh. Prej gjeneratës së të rinjve që ende i pret jeta. Nëse lejojmë që grindjet politike të na sjellin tek konflikte të reja, atëherë faji do të jetë vetëm i yni. Nëse lejojmë që edhe ne të jemi fëmijë të nacionalizmit, nuk na presin vite të një jete të mirë e të qetë, e mbase të gjithë po synojmë diçka të tillë. Bile do të duhej ta synonim këtë. Fakt është se bashkësia na e formëson jetën shoqërore dhe rritjen e fëmijëve. Nëse ne nuk e përmirësojmë dhe nuk e shërojmë këtë bashkësi kaherë të sëmurë në të cilën jetojmë, askush nuk do ta bëjë këtë. Prandaj, mos i mësoni fëmijët për dallime, mos i mësoni ata se njerëzit janë të mirë apo të këqij varësisht nga përkatësia kombëtare. Mësoni që t’i respektojnë dallimet. Mësoni për ngjashmëritë. Njerëzinë. Mësoni se të gjithë ne jemi njerëz. Kështu ndoshta do të na presë ndonjë ardhmëri e bukur e përbashkët. Kështu rinia dhe fëmijët tanë nuk do të përjetojnë atë që e kanë përjetuar prindërit e tyre.