‘Idetë e mëdha’ të popujve të vegjël

Populli i përvuajtur nga luftërat, krizat, destabilizimi në çdo aspekt shumë lehtë i pranon idetë se me diçka është më i mirë se popujt fqinj e me këtë edhe i takon atij më shumë nga kjo tokë e jona ballkanike. I bartur nga ide të tilla, ai bëhet i pandjeshëm dhe i gatshëm për gjithçka, bile edhe për luftë, vetëm e vetëm që ato ide të realizohen në praktikë. Edhe pse historia na ka mësuar se asnjë luftë në Ballkan e cila është zhvilluar me atë ide nuk ka përfunduar me fitore. Të gjitha luftat e tilla janë humbur.

0
800

Deklarata e Daniel Serwer-it, njërit prej njohësve më të mirë në SHBA të situatës në Ballkan, se Shqipëria dhe Kosova duhet të hedhin poshtë idenë për krijimin e Shqipërisë së Madhe në një mënyrë qartazi vendosi para nesh qëndrimin e SHBA-së lidhur me këtë çështje. 

Mirëpo, ide të tilla nuk janë karakteristike vetëm për popullin shqiptar porse në fakt për shumicën e popujve që jetojnë në këto hapësirat tona ballkanike. Prej shqiptarëve, serbëve, kroatëve, e në një mënyrë edhe maqedonëve, deri tek bullgarët dhe grekët, të gjithë kanë pasur idenë për krijimin e atdheut të tyre të madh. Në ndonjë periudhë historike ide të tilla kanë qenë karakteristike për të gjithë ne, edhe pse që në fillim kemi qenë të vetëdijshëm se janë të parealizueshme pa luftë dhe destabilizim të tërë regjionit. E neve në Ballkan, lufta   na ka dalë për hunde, të themi ashtu, kështu që secili person normal sapo të përmenden ide të tilla pyet sa larg mund të shkojnë aspiratat e tilla të popujve të caktuar, por edhe atë nëse liderët që angazhohen për to janë fare të vetëdijshëm për pasojat e mundshme. Më së shpeshti ato ide përdoren për qëllime parazgjedhore, si motiv shtesë për votuesit, por edhe në deklarata paszgjedhore, derisa pushteti të vendoset në formatin e tij të plotë. E kur të bëhet kjo, rrëfimet për shtetet e mëdha zhduken brenda natës, sikur nuk kanë ekzistuar fare, dhe mbeten ashtu të presin deri në zgjedhjet e radhës kur do të përdoren sërish. 

Natyrisht që ky lloj të menduari nuk është karakteristik vetëm për ne në Ballkan. Ide të tilla ka kudo në botë, por është karakteristike se vetëm tek ne ato shkaktojnë aq të këqija sa kjo bëhet simptomatike dhe gjithnjë e më shumë e papërballueshme. Politika që përdor ide të këtilla për të fituar poena politik më së paku është politikë e më së shumti është politikanizëm dhe amatorizëm i thjeshtë. Por, populli i përvuajtur nga luftërat, krizat, destabilizimi në çdo aspekt shumë lehtë pranon idetë se me diçka është më i mirë se popujt fqinj e me këtë edhe i takon më shumë nga kjo tokë e jona ballkanike. I bartur nga ide të tilla, ai bëhet i pandjeshëm dhe i gatshëm për gjithçka, bile edhe për luftë, vetëm e vetëm që ato ide të realizohen në praktikë. Edhe pse historia na ka mësuar se asnjë luftë në Ballkan e cila është zhvilluar me atë ide nuk ka përfunduar me fitore. Të gjitha luftat e tilla janë humbur. 

Kjo na sjell tek konkludimi se nganjëherë edhe mentorët tanë nga anash, qoftë nga Lindja apo Perëndimi, nganjëherë e shfrytëzojnë tërë këtë përulje tonë ideve të tilla ashtu që të na kontrollojnë dhe sipas nevojës të ndalojnë procesin e vetëdijësimit, i cili do të na çonte përpara kah diçka pozitive. Sido që të jetë, këto ide nuk do të na braktisin edhe për një kohë të gjatë, bile jo deri sa të mos hyjmë në një bashkim siç është BE-ja, i cili do të na detyronte të heqim dorë nga ato ide me politikat e tij ligjore. Deri atëherë këto ide do të jenë pjesë e përditshmërisë sonë, nëse jo përherë atëherë bile gjatë fushatës parazgjedhore, e zgjedhje kemi me bollëk. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.