Në çdo shoqëri multinacionale, bashkëjetesa mes komuniteteve është e një rëndësie jetike dhe, në një vend si Kosova, kjo po vjen në shprehje çdo ditë e më shumë.
Bashkëjetesa bëhet më e lehtë kur pjestarët e komuniteteve komunikojnë mes vete pa ndërmjetësim dhe për ketë ndihmon njohja e gjuhës së njëri-tjetrit.
Në një bisedë për New Prespektivën, mësuesjae gjuhës serbe, Teuta Kastrati, tregon se interesimi për mësimin e gjuhës së njëri-tjetrit ka filluar të shprehet haptazi, pa ngurrim, pas luftës, diku në vitin 2005.
“Kjo ka ndodhur kur në takime dhe biseda shoqërore, apo edhe zyrtare, kemi vërejtur se të dy palët kërkojnë të dinë se ‘çka po thotë’ një palë serbe apo edhe ajo shqiptare. Pastaj fjalia e cekur ‘bash kisha pasur dëshirë ta flas gjuhën serbe dhe nga ana tjetër gjuhën shqipe’, ka bërë që organizata ndërkombëtare IOM, që vepron që 20 vite në Kosovë, ta vërej këtë gjë dhe OJQ-ja Qendra për Inciativa Sociale e cila harton një projekt me plot kuptimin e fjalës platformën VOCUP e cila është metodë inovative duke e përdorur metodën tradicionale të mësimit të gjuhës,” thotë mësuesja Kastrati.
Ajo jep edhe hollësi se çka përmban platforma VOCUP, e cila është falas për secilin pjesëmarrës që tregon interesim për ta mësuar gjuhën shqipe ose atë serbe.
“Kjo platformë përmban video, leksione, sqarime tekstuale, ushtrime si dhe fjalorë të shprehjeve të reja të cilat mund t’i gjejë çdokush nga ju në faqen e internetit. Kjo platformë është falas për secilin pjesëmarrës i cili tregon interesim dhe dëshirë për ta mësuar gjuhën e njëri-tjetrit. Ky projekt e ka gjetur përkrahjen e madhe të organizatës IOM, e cila ka qenë dhe mbetet implementuese, dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe e cila është financuese e këtij projekti.”
Ish-nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Bojan Stamenković, thotë se idenë për t’u ofruar mundësinë serbëve të kësaj komune për të mësuar gjuhën shqipe e kishte pasur së bashku me ish-kryetarin, Qëndron Kastratin.
“Kemi filluar me kurset e gjuhës në vitin 2018, idenë e kemi pasur me kryetarin Qëndron Kastrati. Shumë shpejt, organizata e IOM-it, në bashkëpunim me Iniciativën Sociale, filloi një projekt të financuar nga Ambasada Britanike dhe UNMIK-u,” tregon Stamenković.
Ideja e mësimit të gjuhës së njëri-tjetrit përmes kurseve të gjuhës shqipe dhe asaj serbe fillimisht u zbatua në vetëm gjashtë komuna.
“Pas interesimit të madh është vendosur që të zgjerohet edhe në shumicën e komunave të Kosovës. Këtë vit do e fillojmë gjeneratën e katërt,” thotë mësuesja Kastrati dhe shton se se nuk ka pasur paragjykime nga askush për këto kurse.
“Pritjet e të dy palëve mund të themi se kanë qenë të shkëlqyeshme, pa paragjykime, thjesht të përgatitur për të mësuar”, tregon ajo.
Në Kamenicë fillimisht kishte hezitime për ta mësuar gjuhën shqipe nga serbët e kësaj komune, por dita-ditës interesimi u shtua.
“Në fillim kishte një numër të vogël të interesuarish, por menjëherë pas grupit të parë ky numër u rrit dhe sot kemi 250 të regjistruar për këtë cikël kursesh. Sipas disa informacioneve, më shumë se 600 persona kanë kaluar deri tani kurset për të mësuar shqip. Po kjo tashmë është shtrirë në të gjitha komunat dhe, siç e përmenda, për këtë cikël kemi gjithsej 760 persona që kanë aplikuar për kurset e gjuhës shqipe dhe serbe,” tregon Stamenković.
Platforma VOCUP për mësimin e gjuhës shqipe dhe asaj serbe është vizituar dhjetëra mija herë deri tani, sipas mësueses Kastrati.
“Deri tani janë rreth 65 mijë njerëz të ndryshëm të cilët së paku një herë kanë hyrë në platformën VOCUP. Këtë vit janë lajmëru 750 persona për ndjekjen e kursit. Deri tani rreth 2 mijë persona e kanë ndjekë kursin, shumica fillojnë me nivelin A1, A2 dhe B1,” rrëfen ajo.
Ky trend i mësimit të gjuhës shqipe nga serbët dhe gjuhës serbe nga shqiptarët e Kosovës duhet të vazhdojë, sipas mësueses Kastrati.
“E dimë që Kosova është shoqëri multinacionale dhe gjuha serbe është gjuhë e dytë zyrtare në vendin tonë. Për ta lehtësuar komunikimin dhe përmirësuar mirëqenien tonë sociale është më se e domosdoshme ta dimë gjuhën e njëri-tjetrit. Vlen të ceki se interesimi ekziston në veçanti tek të rinjtë shqiptarë dhe serbë. Për këtë arsye mendoj se një projekt i tillë duhet të vazhdojë,” shprehet mësuesja Kastrati.
Arben Ahmeti nga Gjilani ka filluar ta mësojë gjuhën serbe i shtyrë edhe nga profesioni i tij.
“Unë kam filluar të mësoj gjuhen serbe që një vit; ideja më ka ardhur duke u nisur nga problemet e shumta rreth profesionit si jurist si dhe thellimi në rrafshin shkencor dhe akademik,” tregon Ahmeti për New Prespektivën.
Ai ka palë të nacionalitetit serb, gjë e cila e ka motivuar për ta vazhduar mësimin e gjuhës serbe, dhe thotë se nuk ka pasur shumë vështirësi.
“Nuk ka qenë e vështirë gjuha serbe, vetëm çirilica [shkrimi cirilik] në fillim m’u ka dukur e vështirë, por me kalimin e kohës jo. Motivimi apo arsyeja ka qenë që të forcohem si jurist pasi që shumë lëndë dhe palë në gjykatë janë të nacionalitetit serb. Të tjerët nuk më kanë kritikuar e as paragjykuar pse po e mësoj serbishten kurrë,” thotë Ahmeti.
Ivan Maksimović kishte nisur ta mësojë gjuhën shqipe në vitin 2018. Edhe ai thotë se nuk kishte pasur vështirësi.
“Gjuhën shqipe fillova ta mësoj në vitin 2018 pasi e pashë që kam shumë nevojë që ta di këtë gjuhë në të shkruar dhe komunikuar. Nuk ishte e vështirë të mësoja shqip, pasi kisha vullnet të mirë dhe një profesor profesional,” tregon Maksimović nga Kamenica.
Ai shton se gjuha shqipe i duhet kudo që shkon në Kosovë.
“Motivi ishte se doja të mësoja gjuhë të reja në mënyrë që të krijoj miqësi të reja. Shqipja është gjuhë zyrtare në Kosovë dhe më duhet kudo që shkoj. Madje të tjerët u gëzuan kur dëgjuan se unë kisha mësuar të flisja shqip dhe e prisja me padurim.”
Arta Biçkaj, po ashtu nga Gjilani ishte rritur në një ambient ku kishte çdo ditë kontakte me gjuhën serbe.
“Njohuritë mbi gjuhën serbe i kam marrë nga fëmijërija. Mjedisi në të cilin jam rritur ka ndikuar që pothuajse çdo ditë të jem në kontakt dhe në njohuri të vazhdueshme për këtë gjuhë. Andaj vështirësi nuk është se kam ndierë se e kam mësuar ndër vite,” tregon Arta Biçkaj.
Ajo e sheh mësimin e gjuhës serbe si një epërsi për të ardhmen e saj.
“Gjuhën serbe kam rifilluar ta mësoj me qëllim të përforcimit të gjuhës, mësimit të rregullave dhe koncepteve të reja gjuhësore. Secila gjuhë tjetër për të cilën kemi njohuri shtesë është vetëm një plus për ne, andaj edhe njohuritë për gjuhën serbe nuk përbëjnë dallim aspak nga gjuhët e tjera. Andaj gjuha serbe është e nevojshme për hapjen e rrugëve për punësim, ashtu edhe për shoqërim dhe udhëtime,” thotë Biçkaj.