Kashta e Kumtrit

E tërë kjo është vepër e disave për të cilët urrejtja është diçka e natyrshme kurse dashuria çështje e njerëzve të pafuqishëm. Pas të moshuarve mbetet urrejtja dhe interpretime të shtrembëruara të gjithçkaje si një trashëgimi e një ardhmërie që vetëm ata e njohin. Me dëshirën që fëmijëve të tyre t’u sigurojnë kushte më të mira, krijuan klimë përçarjeje dhe urrejtjeje ku as nuk lëvrohen arat e as nuk mbillet gruri, as nuk dëgjohet kënga nëpër ato ara, pa marrë parasysh se në cilën gjuhë.

0
366

Kanë kaluar 22 vite nga masakra në Grackën e Vjetër, një gjeneratë e tërë është rritur në Grackën e Vjetër e që nuk e ka marrë vesh ende se kush ua vrau baballarët, xhaxhallarët, vëllezërit atë ditë të nxehtë korriku në arë, gjatë korrjes. Pa qëllimin që të theksohet për së tepërmi simbolika e tërë kësaj, mbetet një shije e hidhur në gojë që dikush vendosi që t’i vrasë ata që gjendeshin në arë për të mbledhur të korrat e asaj vere aspak të qetë. Katrëmbëdhjetë vetë u vranë në mënyrën më të tmerrshme vetëm sepse ishin serbë, jo sepse qenë ushtarë, as terroristë, as diçka tjetër, ata ishin thjesht korrës. Pa armë, duarthatë, me traktorë dhe një kombajnë, ata shkuan dhe nuk u kthyen më. E kush është fajtor, qartazi ata vetë sepse nuk u larguan me po ata traktorë, por mbetën, ndoshta ky është faji i tyre i vetëm sepse faj tjetër nuk kanë pasur, përndryshe po të kishin ata do të iknin vetë. Por ata mbetën se e kanë ditur që askujt nuk i kishin bërë asnjë të keqe, se gjithmonë kishin qenë njerëz normal dhe të ndershëm, që kanë pasur shokë, miq midis fqinjve shqiptarë, disa sosh edhe kumbarë. Mbijetuan luftën, bombat, të gjitha që u bënë presion si gjithë të tjerëve në Kosovë dhe atëherë kur erdhi dikush që duhej t’u garantonte paqe dhe siguri, ata ranë si dorëzat e grurit të cilat kishin ardhur t’i mbledhin. Dikujt i pengoi kënga e korrësve, apo vetëm gjuha në të cilën këndohej apo që thjesht ishte këngë, që nuk ishin vajtim dhe të qara. Ai dikush të cilit nuk ia dimë emrin bëri gjithçka që këngën ta shndërroj në të qara, që në vend të kallinjve të bien kokat, që në vend se të kthehen me traktorët plot të kthehen në ta, që Grackën e Vjetër, në vend se me hambarë plot ta zbukuronin me epitafe. Ai dikushi i bëri të gjitha që nuk është dashur dhe as nuk ka guxuar t’i bëjë, kurse ata bënë atë që duhej bërë. Ashtu qëndronin gjërat atëherë në Kosovë, ka vrarë kush ka dashur dhe kë ka dashur, vidhej, dëbohej e të gjithë heshtnin, të gjithë ata që është dashur të thonë diçka heshtën, kurse ata që është dashur të bënin diçka u fshehën pas procedurave dhe mungesës së provave. I dyshuari u arrestua pastaj u lirua, për kryesit e veprës po gjurmohet, të afërmit çdo vit i vajtojnë viktimat e arat edhe më tej lëvrohen, vetëm se tjetër këngë dëgjohet nga ato ara.  

Pikërisht kjo duhet të tregohet aty ku takohen përfaqësuesit në raunde sikur po merren me boks, për këtë duhet të dihet e jo të heshtet, për këtë duhet të mësohen të rinjtë e jo për atë se si dikush dikur e ka trashëguar mëkatin dhe fajin prandaj çdo krim ndaj tij është në fakt i justifikuar, për këtë duhet të flitet, kurse për nacionalizmin, urrejtjen dhe të gjitha të këqijat të mos thuhet asgjë. Dhe po, kjo është një luftë për të gjitha ose asgjë, për të vërtetën ose gënjeshtrën, për drejtësinë dhe padrejtësinë. Jemi mësuar ne me të gjitha këto, por rinia duhet të mësohet me diçka më të mirë, sepse ja deri ku na ka sjellur kjo shprehi e jona. Rinia po largohen, të moshuarit po mbesin, e me ta po mbetet edhe urrejtja sepse ata e krijuan atë me vite, kjo është vepra e tyre jetësore. E tërë kjo është vepër e disave për të cilët urrejtja është diçka e natyrshme kurse dashuria çështje e njerëzve të pafuqishëm. Pas të moshuarve mbetet urrejtja dhe interpretime të shtrembëruara të gjithçkaje si një trashëgimi e një ardhmërie që vetëm ata e njohin. Me dëshirën që fëmijëve të tyre t’u sigurojnë kushte më të mira, krijuan klimë   përçarjeje dhe urrejtjeje ku as nuk lëvrohen arat e as nuk mbillet gruri, as nuk dëgjohet kënga nëpër ato ara, pa marrë parasysh se në cilën gjuhë. Kur njëherë në arë fillon vajtimi dhe të qarat, aty nuk ka këngë më për askënd.  

E për këtë duhet të negociohet – ardhmëria është nocion i gjerë dhe i largët, nuk është ajo një periudhë deri në fund të mandatit, kjo zgjatë disa gjenerata, nëse do të ketë të tilla fare këtu, sepse gjithnjë e më pak ka të rinj e ardhmëria mbetet tek ata e jo tek të vjetërit. Koha po kalon e nëpër ara ka gjithnjë e më pak njerëz, ka mbetur vetëm kashta e zbrazët, e në Grackë të Vjetër ajo është e mbushur me diçka që është më e vlefshmja – me gjakun e viktimave të pafajshme për të cilët askush nuk flet më.    

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.