E dini atë fjalën e urtë për këmbët e shkurtra? E dini! Në rregull, pra, për çka bëhet fjalë këtu? Për të vërteten apo për këmbët e shkurtra? Përndryshe, ata që e dinë se çfarë po ndodhë në Serbi, e dinë atë që nuk e dinë qytetarët e rëndomtë serb. Ata e dinë se Serbia dhe Shqipëria nuk kanë kufi shtetëror të përbashkët.
Këtë kanë mundur të lexojnë edhe në shtypin e ish-republikave “motra”, i cili pas lufte me Serbinë u bë shtyp i huaj. Të gjitha ato e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Pra edhe kufijtë e saj.
Shikuar nga këndi formal-juridik, nëse bazohet në kushtetutën e saj, fundja ku të bazohet tjetër, është normale që Serbia të pretendojë se ka kufi me Shqipërinë edhe pse në të dy anët e saj rrinë ulur doganierë të cilët flasin shqip, dhe, të cilët, as këndej as andej, nuk janë shtetas të Serbisë. Ata njohin vetëm atë që shkruan në kushtetutën e Republikës së Shqipërisë apo të Republikës së Kosovës. Në vendkalimet kufitare për të cilat Serbia pretendon se janë të saj valojnë flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës, dhe askund nuk ka as gjurmë të flamurit të Serbisë.
Kufitarët edhe doganierët nga Shqipëria e dinë se në anën tjetër është Republika e Kosovës, të cilën Shqipëria e ka njohur zyrtarisht, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.
Ndoshta, me inercion, apo me ndonjë rrugë të fshehtë të ndërmjetësimit ndërkombëtar, nga qarqe të cilat janë të interesuara të rikthejnë Serbinë në Kosovë dhe të anulojnë pavarësinë e saj, është bërë marrëveshje të krijohet një situatë e re, për të cilën përsëri do të detyrohej të deklarohej Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, apo OKB, rreth asaj se a kanë Serbia dhe Shqipëria kufi shtetëror të përbashkët dhe a munden ato të merren vesh për këtë nismë që parasheh “hapjen e kufijve për qarkullim të mallrave, njerëzve e shërbimeve midis Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut”, duke e injoruar faktin se në mes tyre ekziston një shtet i pavarur të cilin Shqipëria e ka njohur, ndërsa Serbia nuk e njeh.
A ka bërë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkelje të vendimeve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë e cila e ka njohur Kosovën në kufijtë e saj? A është në dijeni presidenti aktual i Kosovës për këtë marrëveshje e cila pason përpjekjet e pasuksesshme të “treshes” e cila me aq zell edhe përpiqej t’i impononte Kosovës idenë e ndarjes, diçka të cilën Kosova e refuzoi me unanimitet të plotë të të gjitha subjekteve politike?
A do të prodhojë kjo marrëveshje pasoja ligjore, të cilat në fakt e anulojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Kuvendit të Shqipërisë? A do të sillet kjo marrëveshje para kuvendeve të tri vendeve, dhe a do të thotë kjo edhe anulim i njohjes së republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut?
Pa dyshim, kjo lëvizje dinake taktike e politikës serbe, në bashkëpunim të (pa)vetëdijshëm me Ramën, nëse nuk e sjell sërish në tavolinë idenë e ndryshimit dhe të ndërrimit të kufijve, dmth ndarjes së Kosovës sipas së cilës “edhe Serbia do të merrte diçka”, me siguri do të sjellë konfuzion politik dhe juridik në marrëdhëniet në mes Serbisë, Kosovës, Shqipërisë e madje edhe Maqedonisë së Veriut. Në fakt, do të detyrohet të bisedohet se a është kufiri Serbi-Shqipëri ai me njohje ndërkombëtare, apo është ai në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këtu sërish do të vij në rend vetoja “serbe” (ruse dhe kineze) në OKB.
Duke e lëvizur kufirin kah perëndimi, duke mos e njohur kufirin me Kosovën si ekzistues, politika dinake e presidentit serb, Aleksandar Vučić, ndoshta po përpiqet t’i shtyjë të gjithë drejt një marrëveshje të Shqipërisë dhe Serbisë rreth Kosovës, dhe kjo të bëhet tema e një konference ndërkombëtare e jo njohja e një kufiri në mes të Kosovës e Serbisë.
A është kjo rrugë që çon në normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, siç po kërkon bashkësia ndërkombëtare, apo është një përpjekje që të tërhiqet drejt asaj që quhet ”marrëveshje me vullnetin e të dy palëve” të cilin të tjerët do të duhej ta pranonin? Duket qartë presioni ndërkombëtar në atë drejtim, nga ana e disa vendeve që e kanë bllokuar madje edhe procesin e bisedimeve për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
Përpos një çështje formale, kushtetuese, kjo është edhe një dilemë ndërkombëtare se si të zgjidhet çështja e Kosovës, e cila ka mbetur e vetmja në rajon pa lirinë e lëvizjes drejt BE, për qytetarët e saj.
A do të zgjidhet me bisedime të drejtpërdrejta Kosovë-Serbi, apo siç po dëshiron politika serbe, me bisedime në mes Shqipërisë dhe Serbisë për Kosovën, ku pala kosovare do të ishte vetëm objekt i bisedimeve, të cilat sërish do të hapnin çështjen e shteteve etnike në Ballkan?
Mini-Shengeni, me këmbët e shkurtra, padyshim ishte një përpjekje e radhës për të nxjerrë Kosovën jashtë tavolinës së bisedimeve. Me apo pa sukses?