Në njërin prej blogjeve të mëparshme kam folur për pajtimin dhe atë se si pajtimi është rruga e vetme që Ballkani duhet të ndjekë në mënyrë që të ketë paqe dhe prosperitet në këtë regjion. Sidoqoftë, në këtë blog do të flasë më gjerësisht për format apo metodat të cilat mendoj që janë më të mira për t’u përdorur në rastin tonë në mënyrë që procesi i “shërimit” nga plagët e luftës të jetë më i shpejtë dhe efikas.
Ballkani në përgjithësi nuk është se ka ndonjë histori të proceseve gjyqësore të mirëfillta apo të drejta. Drejtësia na ka munguar, dhe shpeshherë, ashtu si tani, po na pengon të ec-im përpara. Mirëpo, konsideroj se konflikti Kosovë-Serbi nuk ka qenë ndonjë konflikt i thjeshtë. Në fakt, ky konflikt ka përfshirë elemente sociale si religjioni, nacionaliteti, por ka pasur edhe elemente që më shumë kanë të bëjnë me ekonomi, si për shembull ndarja e zonave me pasuri nëntokësore si dhe gara për të zotëruar sa më shumë nga to. Prandaj, supozoj se konflikti Kosovë-Serbi nuk do të mbaronte me një kërkimfalje nga ana e Serbisë. Ballkani si dhe dy shtetet tona kanë nevojë për një drejtësi shumëdimensionale. Më poshtë do të flas për disa nga opsionet që mund të ndjekim dhe që po përkrahen edhe nga OJQ të ndryshme të cilat merren me të kaluarën.
Komisionet e së vërtetës dhe pajtimit
Në regjion tash e një kohë po rriten zërat nga përfaqësues të shoqërisë civile që të ngriten komisione të tilla të cilat për detyrë do ta kenë ekskluzivisht të merren me të vërtetën, me individët dhe me dëmet që ka pësuar secili person nga konfliktet në ish Jugosllavi. E vër-teta është se ka shumë dilema legale që duhet të sqarohen, dhe prandaj edhe udhëheqësit e shteteve nuk janë shumë në “qejf” për të filluar procese të tilla. Përfaqësues të iniciativës RECOM mblidhen në konferenca vjetore me fokus në drejtësinë tranzicionale, dhe për çdo vit diskutojnë se çka mund të bëhet që të ecet përpara me drejtësinë. Në fakt, në takimin e fundit të RECOM përfaqësuesit u shprehën se është arritur në një pikë ku shoqëria civile nuk mund të lëvizë më tutje në këtë aspekt dhe se duhet të bëhet diçka në mënyrë që krerët e qeverive të pajtohen që këto komisione të krijohen. Në anën tjetër, kri-jimi i këtyre komisioneve me aprovimin e qeverive të secilit vend do të largonte shumë mundësi për interpretime të shumëfishta të udhëheqësve të ndryshëm, pasi që do të dilte me përfundime të tilla për të cilat janë pajtuar të gjitha qeveritë. Specifikisht, nëse entitetet apo shtetet brenda Ballkanit kanë aprovuar ato komisione, atëherë ato entitete apo shtete nuk do të ishin në gjendje që në kushte normale t’i kontestonin vendimet e këtyre komisioneve. Së fundmi, bazuar në logjikën e deritanishme të gjykatës së Hagës, ku vetëm liderët gjykohen, nuk besoj që është shumë e drejtë që të injorohen krimet e luftës të kryera nga të gjithë ata që kanë funksionuar nën direktivat e tyre ose që ata të lihen të qarkullojnë lirshëm nëpër territoret e ish-Jugosllavisë.
Pagesa e reparacioneve
As sa i përket pagesës së reparacioneve nuk është bërë mjaftueshëm në Ballkan, sidomos nga Serbia, Kosova e Maqedonia. Në fakt, Serbia në fund të vitit të kaluar propozoi një legjislacion të ri i cili parashihte që të mos përfshinte në kompensim viktimat e dhunës seksuale si dhe familjet e të zhdukurve. Në këtë aspekt, Kroacia qëndron më mirë duke njohur kategori të ndryshme të viktimave si: viktimat e dhunës seksuale, viktimat e mitura, familjet e të pagjeturve, etj. Në rastin e familjeve të të pagjeturve, Gjykata Komunale e Za-grebit në mars të 2015 vendosi që qeveria kroate duhej të paguante kompensim për familjen e një serbi, për vrasjen e të cilit ishin përgjegjëse forcat kroate. Kjo iniciativë është çmuar dhe përkrahur shumë edhe nga lëvizjet e ndryshme për të drejtat e njeriut dhe besoj që duhet të praktikohet edhe më shumë në mënyrë që viktimat e luftës të paktën të kenë një mbështetje financiare pas gjithë atyre dëmeve që u janë shkaktuar.
Rishqyrtimi i historisë dhe promovimi i paqes
Librat tanë të historisë janë të mbushur më heronj, me fakte të paraqitura në forma abso-lute dhe si zakonisht nuk mungojnë as interpretimet e shumëfishta e të shtrembëruara. Në Ballkan, përgjatë shekujve, historia është keqpërdorur në forma të ndryshme, duke shërby-er si bazë për të krijuar armiq, për t’u viktimizuar, krijuar e përvetësuar heronjtë, e shumë të tjera të cilat më tutje nuk do të duhej të përsëriteshin. Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore, gjatë viteve të kaluara është marrë intensivisht me promovimin e një ideje e cila synon krijimin e një libri të përbashkët historie për regjionin e Ballkanit. Në këtë projekt janë të përfshirë historianë, politikanë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile të cilët, përmes fjalëve të Profesoreshës Dubravka Stojanovic, historinë e shohin si “diskutim” e jo si një “të vërtet të vetme”. Duke e pasë parasysh historinë e mosbesimit mes këtyre shteteve si dhe inateve të ndryshme, një projekt i tillë është vështirë të real-izohet, mirëpo është tejet i nevojshëm në mënyrë që historia të jetë diçka e përbashkët e këtij rajoni. Tek e fundit, në një rajon kaq të vogël, të kemi 8 histori të ndryshme për një gjë të vetme nuk është se ka edhe shumë kuptim (nëse duam të jemi objektiv!).
Mediat si edukatorë
Mendoj që mediat tona, televizive dhe ato të shkruara, kërkojnë një reformim të gjerë. Faqet apo portalet e shumë nga mediat tona përdoren nga individ të ndryshëm, shpesh herë në kushte anonimiteti për të shpërndarë ide që nxisin urrejtje. Personat përgjegjës për media nuk duhet vetëm të kontrollojnë atë që shkruhet apo publikohet nga ata, mirëpo duhet edhe të kontrollohet se çka postohet nga individ të ndryshëm në artikujt e pub-likuar.
Për përfundim: kërkimfalja
Më në fund arritëm te kërkimi i faljes që mendoj se nuk është e lehtë as të bëhet e as të pranohet. Marrë parasysh raportet Kosovë-Serbi si dhe mospranimin nga ana e Serbisë të krimeve që kanë bërë në Kosovë, mendoj që është shumë e vështirë që kjo të arrihet. Për më tepër, cila është poenta e kërkimit të faljes nëse nuk janë kaluar të gjitha pikat që u përmendën më lartë? A do të kishte vlerë një kërkimfalje ku nuk janë gjykuar kriminelët e luftës, nuk janë kompensuar viktimat, nuk ka histori dhe media të cilat punojnë në frymën e përbashkët të paqes? Unë mendoj që ka shumë për t’u bërë në mënyrë që kërkimfalja të ketë efektin e vet, përndryshe nuk besoj që do të ketë ndonjë sukses. Kosova, Serbia dhe Ballkani në përgjithësi kanë nevojë për gjuhë të përbashkët në aspektet historike, ekonomike e sociale. Nuk është e lehtë që popujt të harrojnë sa shumë janë përbuzur e nëpërkëmbur pa pasur institucione që merren në mënyrë adekuate me dëmtimet e tyre.