E di që edhe të tjerët tashmë kanë shkruar për këtë, e di që pothuajse të gjitha tashmë janë thënë, e di edhe atë se nuk dua që me shkrimin tim të vë veten midis atyre që tani e kanë ngritur zërin, tani kur tashmë është vonë. Por e di edhe atë se gati askush nuk e bëri pyetjen pse ndodhi e tërë kjo. Mendoj se është e panevojshme të theksoj se bëhet fjalë për vrasjen e Oliver Ivanović-it. Madje edhe ata që kanë shtruar pyetjen përse ka ndodhur kjo, menjëherë, si me shprehi, ofronin teoritë dhe përgjigjjet e tyre duke e ditur se një gjë e tillë tani është krejtësisht e parëndësishme. Midis nesh nuk është më ai që meritonte që të flitej për të para se të ndodhte e tërë kjo, që të flitej shumë më tepër dhe shumë më mirë. Tani jemi dëshmitarë se pothuajse kushdo që bile pak merr pjesë në jetën shoqërore të Kosovës dhe Serbisë po kapet me këtë temë, duke mos qenë të vetëdijshëm për pasojat e fjalëve të tyre. Në ditët pas vrasjes u bindëm përmes mediave se për njeriun bashkëkohor asgjë nuk është e shenjtë e bile as jeta e njeriut. Sa kohë duhet të kalojë që ne në këto hapësira të kuptojmë që marrja me politikë nuk duhet si pasojë të bartë me vete edhe rrezikun për jetë. Për fat të keq, jemi të vetëdijshëm që nuk jemi të vetëdijshëm për të gjitha këto.
Kujt i duhej që ai të mënjanohej? Kush është ai që i dha vetes të drejtën të ndajë një lloj drejtësie të veten dhe që sipas pikëpamjeve të tij të shtrembëruara të ndikojë në jetën e të gjithë neve. Jemi ngopur duke dëgjuar teori të ndryshme, akuza, analiza e shumëçka tjetër, por përgjigjjen nuk e kemi marrë, e sinqerisht dyshoj që do ta marrim ndonjëherë atë përgjigjje sepse kjo është edhe një vrasje në vargun e vrasjeve që do të mbeten të pazgjidhura. Pa marrë parasysh se edhe pala kosovare edhe ajo serbe po betohen që do të gjejnë vrasësin dhe urdhërdhënësin. Është vrarë dikush që ka pasur një rëndësi të madhe jo vetëm për Mitrovicën, por për të gjithë ne, në çfarëdo kuptimi, si njeri, si politikan, si forcë lëvizëse që me vite nuk ndryshoi dhe nuk u fik. Të shtënat mbi të nuk janë të shtëna mbi njeriun, por të shtëna mbi idenë, apo, siç e tha Nevena, ato ishin të shtëna mbi të ardhmen. Oliveri përfaqësonte atë politikë e cila donte që për të gjitha problemet të bisedohej deri në atë moment kur të vihej deri tek zgjidhja, politikë e cila ka qenë politikë në kuptimin e plotë të fjalës.
E sulmonin derisa ishte gjallë, e burgosën, e akuzuan, e gjykuan dhe e dënuan, e liruan, pastaj e mbyllën prapë e të gjitha këto i duroi me shpresë dhe nganjëherë me një qëndrim të pashpjegueshëm pozitiv ndaj gjithçkaje që i ka ndodhur në moment. Nganjëherë do të mund të mendohej se ka qenë utopist i cili verbërisht ka besuar në mirësinë njerëzore dhe drejtësinë e arritshme. Por, në fakt, ai përfaqësonte atë elitë politike e cila ka qenë elitë në kuptimin e plotë të asaj fjale. I bëri ballë të gjitha sulmeve, i hodhi poshtë të gjitha akuzat, i mbajti të gjitha burgjet, por nuk i bëri dot ballë gjyqit të atyre që në fakt duhet të gjykohen. Gjyqi i tyre ishte i tillë që nënkuptonte vetëm një dënim, një ndëshkim të cilin tani secili ia dëshiron pikërisht atyre pas tërë asaj që ata bënë.
Nuk dua të merrem me analiza, teori, supozime dhe spekulime se kush është vrasësi e kush është urdhërdhënësi. Nuk e konsideroj veten profesionist sa duhet, e para së gjithash nuk e konsideroj veten të denjë që të merrem me këtë. Ai nuk është më dhe ky është fakti i vetëmnë të cilin, fatkeqësisht, të gjithë tani jemi të bindur. E të gjithë neve tani na mbetet pyetja apo thënë më mirë pyetjet. Një milion pyetje e për fat të keq asnjë përgjigje. I vetëdijshëm për situatën, konsideroj që asnjë nga këto pyetje nuk do të marrë përgjigje të duhur. Me këtë tekst timin nuk kam dëshirë që edhe veten ta vë midis atyre që tani pas të gjithave aktrojnë të pikëlluarit duke i dhënë vetes atë të drejtë edhe pse nuk janë të denjë për këtë, nuk dua të akuzoj askend, jo pse nuk e dëshiroj një gjë të tillë, por se për akuza nuk kam fakte. E vetmja akuzë për të cilën kam fakte është akuza kundër të gjithë neve, që kemi shikuar por nuk kemi parë, të gjithë neve që kemi heshtur, të gjithë neve që me një qetësi të pashpjegueshme kemi shikuar se si ndaj një njeriu, i cili tërë jetën e tij na e ka dedikuar të gjithë neve, po bëhej një padrejtësi e tillë e që në atë rast nuk bëmë asgjë. Atëbotë shkrova një blog për të, e quajta Kafazi i artë, aty e ngrita zërin se pse ende gjendej në arrest shëpiak. Po ta dija që në liri do të mund t’i ndodhte kjo, do të angazhohesha që edhe më tej të mbetej në burg; aty ishte shumë më i sigurt. Nuk është kjo dëshira ime e sinqertë, porse për fat të keq vetëdije se tek ne edhe nocioni i lirisë e ka humbur kuptimin e tij të vërtetë, aq poshtë kemi rënë si shoqëri.
Ishte politikan para të cilit janë turpëruar edhe politikanë shumë më të mëdhenj, ishte ideator i idesë e cila ka qenë shumë më lart se ajo që ne arrinim të kuptonim, ka qenë gjithçka që na duhet tani e që tek të tjerët nuk po mund ta njohim. Ishte të gjitha këto, e tani është shumë më tepër se kaq. E vranë atë, por nuk e kanë vrarë idenë, e vranë njeriun por krijuan një legjendë. Patriku i ndjerë Pavle ka thënë: Të gjithë ne jemi njerëz, por duhet të jesh Njeri; prej sot mund të themi, ka qenë një Njeri, ai quhej Oliver Ivanović.