Pasi parlamenti votoi zgjedhjen e tij për kryeministër, Ramush Haradinaj ka thënë se bisedimet me Serbinë do të vazhdojnë, por vetëm pas zhvillimit të një dialogu të brendshëm në Kosovë.
“E para, ne dialogojmë me të gjithë fqinjët, jemi të hapur. Edhe pse kemi histori tragjike nuk e zhbëjmë faktin se jemi fqinjë. Por dialogun duhet ta kthejmë tek populli, duhet dialog edhe mes popujve, pra të arriturat e dialogut duhet të burojnë nga populli. Kemi nevojë për diskutime të brendshme për dialogun, me shoqërinë civile, me mediet, opozitën, në mënyrë që udhëheqësit tanë kur përfaqësojnë Kosovën mos të ketë situata pastaj të pamundësisë në zbatim të marrëveshjeve siç ka ndodhur në të kaluarën. Do të jemi të kujdesshëm në këtë drejtim,” tha Haradinaj.
Ditën kur u zgjodh kryeministër, Haradinaj i është drejtuar edhe në gjuhën serbe komunitetit serb në Kosovë. Ai tha se do të respektojë gjuhën, kulturën duke ua garantuar të gjitha të drejtat që u takojnë me kushtetutë. “Respekti do të jetë motoja ime për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë”, tha Haradinaj në gjuhën serbe.
Anash procesit të dialogut me Serbinë nuk është duke qëndruar as presidenti Hashim Thaçi, i cili deri më tani ka zhvilluar disa takime në Bruksel me homologun serb, Aleksandar Vučić. Gjatë një tryeze me Institutin Demokratik të Kosovës, Thaçi ka thënë se është koha që i tërë procesi të marrë një kualitet tjetër dhe të punohet për ta përmbyllur me sukses këtë proces.
Para disa ditësh presidenti e ka bërë publike iniciativën për themelimin e Grupit të Unitetit, i cili do të punojë bashkërisht për përmbylljen e këtij procesi. Grupi i Unitetit do të përbëhet prej përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Kosovës- të Presidencës, Qeverisë, Kuvendit ku janë të përfaqësuara të gjitha partitë politike parlamentare. Një rol të rëndësishëm në kuadër të punës së Grupit të Unitetit, sipas presidentit, do të luajnë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, akademia dhe mediet.
Sipas tij, kjo do të garantojë konsensusin politik në dialog, por edhe ekspertizën e nevojshme për dialog.
Faza e re e dialogut, në tetor
Në anën tjetër, Kryetari i Serbisë Aleksandar Vučić ka thënë se që nga tetori do të nisë faza e re e dialogut për Kosovën. Në një fjalim drejtuar opinionit në Serbi, Vučić ka folur për domosdoshmërinë e konsultimeve ku do të përfshihen të gjitha palët e interesit.
“Ky dialog duhet të zhvillohet në shumë nivele”, ka thënë Vučić teksa ka përkujtuar se para disa muajve ka lutur dhe ka ftuar gjithë opinionin, qytetarët, aktorët politikë, OJQ-të, kishën, Akademinë e Shkencave dhe të gjithë që të fillojnë të flasin për Kosovën, sepse “ajo është esenca e të tashmes sonë politike dhe e së ardhmes sonë politike”.
Sipas Vučićit, Qeveria serbe do të ndihmojë në organizimin dhe koordinimin e takimeve në kuadër të dialogut.
“Përgjigja jonë në çdo pyetje për Kosovën më herët ka qenë se nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës, se nuk do ta duam këtë, se nuk do ta duam atë. Pothuajse nuk kemi pasur politikë, pothuajse nuk e kemi pasur fare para sysh atë”. Ai ka shtuar se gjatë katër vjetëve ka pasur dhjetëfish më pak sulme ndaj serbëve në Kosovë, si dhe është ulur numri i shpërnguljes së serbëve.
Sipas fjalëve të Vučić, pas bartjes së bisedimeve në BE dhe vendosjes së EULEX-it, Serbisë i është dashur të luftojë që nga fillimi për ekzistencën e serbëve.
Edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić ka njoftuar për formimin e një grupi të përbashkët pune me Kabinetin e Presidentit të Republikës, i cili do të organizojë tryeza të rrumbullakëta në të gjithë Serbinë, në mënyrë që të dëgjojë mendimin e sa më shumë qytetarëve. Fillimi i një dialogu të brendshëm në Serbi është mbështetur edhe nga diplomatët e huaj, të cilët e shohin si hap pozitiv drejt arritjes së pajtimit të plotë mes Kosovës e Serbisë.
Mbetet për të parë se sa produktiv do të jetë dialogu për faktin se kryeministri Haradinaj vazhdon të konsiderohet “kriminel lufte” nga Serbia e cila ka ne fuqi një urdhërarrest ndërkombëtar kundër tij. Përkundër synimit të shprehur për dialog e pajtim, zyrtarë serbë kanë përjashtuar mundësinë të ndryshojë diçka sa i përket fletëarrestit ndaj kryeministrit të Kosovës.
Historia e dialogut Kosovë-Serbi deri më tani nuk ka prodhuar rezultatet e pritshme.
Pas negociatave të cilat fillimisht nisën si teknike e u shndërruan në politike, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit nënshkruan marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve, më 19 prill të vitit 2013. Por shumë pika të kësaj marrëveshje nuk kanë gjetur zbatim në terren as pas shtatë vitesh dhe për to ende negociohet në Bruksel. Nuk është përmbushur pika që ka të bëjë me themelimin e asociacionit, lirinë e lëvizjes në Mitrovicë, marrëveshja për drejtësinë si dhe marrëveshja për energjinë.
Me gjithë akuzat e opozitës për varësi nga Lista Serbe, Haradinaj ka mohuar t’i jetë vënë ndonjë kusht nga ky subjekt për të hyrë në koalicion. Por ditë më parë ka qenë kryetari i Listës Serbe, i cili ka thënë se kushti ka qenë Asociacioni i komunave me shumicë, për të cilin ka paralajmëruar se do të nisin së shpejti angazhimet në hartimin e statutit.