Kriminaliteti në Kosovë

Mund të vërehet se nëpër rrugë po ka gjithnjë e më shumë shpërndarës të drogës dhe gjithnjë e më shumë të rinj që janë bërë konsumues të drogës. Duke qenë se Kosova është treg i vogël, i kufizuar, dhe sasitë që vijnë dhe prodhohen këtu janë shumë të mëdha, është tejet e sigurt që droga përmes kanaleve të caktuara përfundon nëpër rrugët evropiane.

0
976

Që nga lufta e “99-s e deri më sot, në Kosovë kanë lindur shumë oportunistë, veçanërisht në veri të Kosovës ku për një periudhë koxha të gjatë ka mbretëruar një anarki e përgjithshme. Konturat e atij sundimi janë ende të pranishme edhe sot, ku individët po kanë fitime tejet të majme duke u përfshirë në aktivitete kriminale. Edhe pse krimi dhe korrupsioni po lulëzon në mbarë Kosovën. A do të marrë ky lulëzim fund? Unë kam dyshime për këtë, por duhet luftuar për vlerat e duhura, në përpjekje për të çrrënjosur krimin. Mendoj se qeveria aktuale po përpiqet të ndikojë në këtë problem të rrezikshëm social.

Vjedhja e makinave, kontrabanda e emigrantëve, kontrabanda e armëve, shpërndarja dhe prodhimi i narkotikëve, korrupsioni dhe shumë faktorë të tjerë të pranishëm kriminogjen që krijojnë një imazh mjaft të shëmtuar për Kosovën. E gjithë kjo është pasojë e luftës, anarkizmit, mjerimit, papunësisë, varfërisë dhe tranzicionit nëpër të cilin po kalon Kosova.

Kryeministri Kurti ka premtuar se do t’i kundërvihet kriminelëve dhe më duket se disave u ka dhënë goditje. Ajo që gëzon është se sikur po vërehen disa përparime në luftën kundër krimit. Këtu para së gjithash po mendoj për lëndët narkotike. Kohët e fundit, shpeshherë kemi pasur rastin të lexojmë tituj se si policia e Kosovës ka konfiskuar sasi të mëdha droge, si në veri ashtu edhe në jug të lumit Ibër. Është e qartë se policia ka informacione për shumë punë të paligjshme, por fokusi në reduktimin e sasisë së narkotikëve në rrugë dhe luftimin e korrupsionit është një ide e shkëlqyer. Shumë policë dhe zyrtarë të tjerë u etiketuan dhe u gjendën prapa grilave, gjë që patëm rastin t’i shohim në të kaluarën. Ky është një tregues i qartë i lidhjes së krimit me policinë, gjë që tregon qartë se bëhet fjalë për grupe të organizuara kriminale. 

Ditëve të kaluara, në një fshat në veri të Kosovës, policia së bashku me doganën zbuloi edhe një laborator për prodhimin e narkotikëve, të tretin me radhë këtë vit. Në një plantacion të sapo zbuluar policia ka gjetur mbi 10,000 kërcej të marihuanës të gatshme për shitje të paligjshme në treg në vlerë prej 6 milionë euro, këtë e ka konfirmuar ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. Me atë rast është qëlluar në drejtim të zyrtarëve policorë, fatmirësisht pa pasoja. Si kartelet meksikane, kriminelët nga kjo zonë janë gati të përplasen me forcat e rendit, vetëm për të mos rrezikuar biznesin e tyre. Gjithashtu, laboratorët e zbuluar më parë prodhonin marihuanë, vlera e së cilës matej në miliona euro, çka tregon se ky është një terren pjellor për biznes të paligjshëm.

Kohët e fundit Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona dhe ka konfiskuar 56 kilogramë marihuanë në dy aksione në Mitrovicën e Jugut dhe në Fushë Kosovë. Janë arrestuar të dyshuarë për trafik droge nga Shqipëria në Kosovë dhe më pas jashtë Kosovës. Vitin e kaluar u arrestuan disa persona me mbi 400 kg kokainë që mbërriti në Kosovë nëpërmjet portit të Durrësit nga Shqipëria. Këto lidhje midis Kosovës dhe Shqipërisë flasin për logjistikën e grupeve kriminale dhe nevojat e shpërndarjes. Këta janë vetëm disa shembuj ku prodhimi dhe shpërndarja e lëndëve narkotike përfundoi me veprimin e policisë dhe mediat e ekranizuan atë. Sipas të gjitha gjasave, ka pasur edhe veprime tjera të suksesshme ku kriminelët janë vënë para drejtësisë. Ajo që mund të supozohet është sasia e madhe e lëndëve narkotike dhe parave të marra nga droga që janë shndërruar në biznese të ligjshme. Mund të thuhet pothuajse me siguri se sasi të mëdha droge janë në qarkullim dhe shumë kriminelë bëjnë biznes pa u penguar.    

Mund të vërehet se nëpër rrugë po ka gjithnjë e më shumë shpërndarës të drogës dhe gjithnjë e më shumë të rinj që janë bërë konsumues të drogës. Duke qenë se Kosova është treg i vogël, i kufizuar, dhe sasitë që vijnë dhe prodhohen këtu janë shumë të mëdha, është tejet e sigurt që droga përmes kanaleve të caktuara përfundon nëpër rrugët evropiane. Paratë e mëdha do të krijojnë edhe më shumë kriminelë, do të tërheqin të rinj që janë gati të bëjnë çdo gjë për të kënaqur lakminë e tyre. Ky biznes i pistë do të rrezikojë shoqërinë tonë nëse institucionet nuk e kuptojnë seriozitetin e problemit.  

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.