Kryesimi i BE-së nga Franca dhe implikimet  për procesin e dialogut

Kryesimi i Bashkimit Evropian nga ana e Francës pritet të ketë implikime jo vetëm për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi por edhe për Kosovën dhe Serbinë. Franca si një faktor relevant në strukturën e BE-së gëzon potencialin që të rikonfirmojë të ardhmen evropiane për këto dy shtete dhe mbi të gjitha të përdorë mekanizma efektivë kushtëzues që do të mund të ndikonin në sjelljen e të dy shteteve në proces të dialogut.

0
268

Ndonëse viti 2022 ka sjellë sfida të reja për Kosovën dhe Serbinë, edhe këtë vit të dy shtetet do të vazhdojnë punën e përbashkët në procesin tashmë të tejzgjatur të dialogut. Megjithatë, ajo që mund të konsiderohet si shpresëdhënëse për këtë fillimvit është edhe ritheksimi i fokusit të Bashkimit Evropian në drejtim të shtyrjes së këtij procesi. Ky fokus i BE-së në proces të dialogut (por edhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi) është jashtëzakonisht i mirëseardhur në këtë fazë. Procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është dëshmuar që ka patur nevojë dhe do ketë nevojë të vazhdueshme për prezencë të ndërkombëtarëve pasi që gjer më tani nuk mund të flitet për progres dhe, mbi të gjitha, vullnet për të bërë progres.

Së fundmi, shteti i Francës ka deklaruar që gjatë kryesimit të Bashkimit Evropian nga ana e tyre do të organizojë një konferencë për Ballkanin Perëndimor ku ndër të tjera do të trajtohet edhe raporti mes Kosovës dhe Serbisë. Fakti që Franca do të kryesojë BE-në gjatë kësaj periudhe ka rëndësi të posaçme sepse shteti francez jo vetëm që ka influencë të veçantë brenda Bashkimit Evropian si strukturë por që tashmë mund të përdorë këtë influencë (dhe rrjedhimisht mekanizma të ndryshëm) për të kushtëzar Kosovën dhe Serbinë drejt bërjes së kompromiseve dhe arritjes së një marrëveshje të përbashkët. Pra, duhet patur parasysh që ndonëse Kosova dhe Serbia nuk janë në një pikë të njëjtë në rrugën e tyre për integrim, të dy shtetet varen në një formë nga vullneti i Francës për të shtyrë procesin e tyre për integrim në këtë strukturë. 

 Së dyti, kryesimi i Bashkimit Evropian dhe vullneti i Francës për të shtyrë përpara proceset që ndërlidhen mes Kosovës dhe Serbisë duhet parë edhe nga prizmi i lidershipit aktual të dy shteteve. Është tashmë pothuajse e pamohueshme që liderët aktualë të të dy shteteve, Albin Kurti ,dhe Aleksandar Vučić ndjekin një linjë veprimi tejet të ngurtë dhe nacionaliste, pa ndonjë tendencë për të arritur kompromis. Së fundmi, vetë Vučić ishte shprehur se ndonëse me liderët e mëhershëm kosovarë kanë arritur të merren vesh për tema të caktuara, me Kurtin nuk është e mundur të merren vesh për asgjë. Pra, pa marrë parasysh që ndërmjetësimi i deritanishëm i Bashkimit Evropian (dhe në përgjithësi ndërmjetësimi i faktorit ndërkombëtar) nuk ka rezultuar efektiv në përmirësimin e raportit mes shteteve, nuk mund të shpresojmë që Kosova dhe Serbia me lidershipin aktual të kenë ndonjë tendencë për kompromis. Në këtë kontekst, edhe Franca, ngjashëm me SHBA-në, në vitin 2020 do të duhej të krijonte nxitje të qarta që shtetet të binden për kompromise eventuale.

Ky angazhim i theksuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe Francës në mënyrë të veçantë është relevant edhe për shkak se rikonfirmohet edhe e ardhmja evropiane e të dy shteteve duke bërë të qartë që marrëveshja në proces të  dialogut nuk është thjeshtë qëllim në vete por mund të perceptohet edhe si mjet që qartëson dhe mbi të gjitha lehtëson rrugën e Kosovës dhe Serbisë për në Bashkimin Evropian. Vlen të theksohet që diskursi i dialogut deri më tani ka qenë i përqëndruar në çështje të karakterit nacional, si territori dhe sovraniteti, por që, në këtë fazë, me angazhim të shtuar të Bashkimit Evropian dhe Francës, dialogu do të fillojë të perceptohet si proces në funksion të integrimit evropian të të dy shteteve. Kjo në afat të gjatë do të ishte edhe perspektiva më utilitare në një proces ku deri më tani shtetet me qasjet e tyre nacionaliste kanë stagnuar pothuajse plotësisht në bërjen e ndonjë progresi.

Kryesimi i Bashkimit Evropian nga ana e Francës pritet të ketë implikime jo vetëm për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi por edhe për Kosovën dhe Serbinë. Franca si një faktor relevant në strukturën e BE-së gëzon potencialin që të rikonfirmojë të ardhmen evropiane për këto dy shtete dhe mbi të gjitha të përdorë mekanizma efektivë kushtëzues që do të mund të ndikonin në sjelljen e të dy shteteve në proces të dialogut. Është vitale që në këtë fazë procesi i dialogut të riformatohet si proces në funksion të integrimit të Kosovës dhe Serbisë në strukturat evropiane dhe një rol i shtuar i Francës mund të jetë i nevojshëm në përshpejtimin e një procesi të tillë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.