Nëse nisemi nga data, demonstratat që u quajtën edhe “pranvera e Kosovës”, për shkak të rinisë dhe vrullit rinor, por edhe për shkak të gjithë asaj që pasoi, më parë mund të thuhet se u ngut pranvera, e jo u vonua. Në hemisferën tonë si e dini pranvera fillon me 21 mars, ndërsa demonstratat “lulëzuan” qysh më 11 mars. Pakënaqësia e studentëve shumë shpejt u shndërrua në pakënaqësi te krejt shqiptarëve, si qytetarë dhe bashkësi etnike. Shikuar politikisht, ajo që u kërkua nga studentët në vitin 1981 arriti në Kosovë vetëm më 17 shkurt 2008. Se u vonua, u vonua! Por kush pret me shekuj dhe e ka arritë, ai nuk zhgënjehet. Qytetarët e Serbisë, për dallim prej shqiptarëve, kanë qenë më së paku të informuar për esencën dhe zhvillimin e këtyre demonstratave, prandaj e patën pranuar lehtë kualifikimin e tyre si armiqësore.
Titulli i këtij shkrimi, është në fakt titulli i një libri, ditar lufte i një ish-lideri komunist, i cili në të përshkruan ditët e tij partizane. Nuk ka aty asgjë për demonstratat. Në këtë libër vetëm në mënyrë metaforike shprehet ideja e lirisë e cila në Jugosllavinë e dytë po vonohej për shqiptarët dhe vetëm në vitin 1974 u arrit diçka që ngjante me liri. Se sa ishte e vërtetë kjo liri dhe sa e brishtë ishte baraspesha e krijuar me kushtetutën e vitit 1974, u pa menjëherë pas vdekjes së Titos, kur demonstratat e marsit e startuan makinerinë për (de)centralizimin e Jugosllavisë. Gjashtë republikat e atëhershme ishin në fakt shtete të cilat e kishin të drejtën e shkëputjes nga federata, dhe shumica do ta bënte këtë sikur të mos kujdestaronte ushtria, policia dhe partia federale të cilat ishin nën një kontroll të hekurt të “mbretit të kuq”, Josip Broz, më të njohur me pseudonimin Tito. Në fakt, ai deri më 1980 kur edhe vidq, me të vërtetë jetoi sikur një mbret. Ai ishte komunist ndërkaq jetonte në luks si mbret dhe ishte në marrëdhënie të mira me superfuqitë edhe se ishte një nga liderët e lëvizjes së mosinkuadrimit.
Socializmi dhe shteti jugosllav, në teori dhe praktikë, ishin një përpjekje për të qenë “diçka në mes”. Në këtë utopi ke mundur të jesh njëkohësisht edhe partizan krenar edhe nacionalist. Ke mundur të jesh edhe serb krenar, apo slloven, kroat, maqedonas, malazez, musliman krenar…! Në rregull, kroat ke mundur të jesh por jo krenar, për shkak të Jasenovcit dhe Shteti i Pavarur Kroat (SHPK). As musliman krenar nuk ke mundur të jesh për shkak të konotacionit fetar të emrit. Sqiptarët nuk mund të ishin asnjërën, përpos si gjuhëza e peshores.
Ke mundur të jesh proletar dhe komunist, por në të njejtën kohë edhe të jesh i pasur, më i pasur se çdo borgjez. Nuk kishte pengesë formale. Kombet, disa mes të cilëve konsideroheshin artificial, i kishin shtetet e tyre ndërkaq shqiptarët mund të ishin vetëm pakicë, dhe atë e ndarë në disa republika. Në ish-Jugosllavi nuk ke mundur të jesh shqiptar krenar, por ke mundur të jesh veç “shiptari ynë”, i dalluar nga ai i Shqipërisë, ose pakicë e lumtur kombëtare e cila është e lumtur sidomos që ka shkolla fillore në shqip. “Me aq tepër fëmijë, çfarë tjetër mund të ofronte shteti”, vërenin cinikët asokohe. Shkollimin tjetër, nëse ishe këmbëngulës dhe ambicioz ke mundur ta përfundosh në Beograd apo diku tjetër, në gjuhën serbokroate.
Në këtë do të kërkonim edhe arsyet e rebelimit studentor, i cili pastaj u shndërrua në demonstrata politike, konflikt të ushtrisë e policisë me popullin shqiptar në Kosovë, në një “thyerje të kundërevolucionit”, diçka e ngjashme kjo me atë çka ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore kur u fut administrimi ushtarak për të bindur shqiptarët me forcë se duhej të jetonin në Serbi e jo Shqipëri, pa ndonjë argument tjetër të vlefshëm.
Kur kalojnë katër dekada, çfarëdo ngjarje, sado me rëndësi të jetë, pjesa më e madhe e popullatës nuk e kujton atë kohë, sepse ende nuk ishin lindur apo ishin shumë të vegjël për të përcjellur ditarin televiziv i cili asokohe ishte shkolla kryesore politike për kombet dhe kombësitë e ish-Jugosllavisë. Njëjtë i binte, sikur ditari i i televizionit partiak të Serbisë apo të Kosovës që sapo ishte hapur. Gazetarët partiakë serb kishin instruksionet nga Beogradi dhe kështu u tregonin të tjerëve se çfarë po ndodhë në Kosovë, përderisa gazetarët kosovarë të cilët ishin tërë kohën aty, zyrtarisht nuk dinin se çfarë po ndodhte. E dinin se kanë të bëjnë me “armikun” dhe ashtu e emëruan.
Por e dinin se ky ishte një armik i fuqishëm për shkak të përkrahjes popullore, aq i fuqishëm sa po nxirrte me dhjetëra mijëra të rinj në rrugë për t’u përballur me policinë dhe ushtrinë serbe e cila për hir të së vërtetës kishte veshje jugosllave dhe vepronte e hapte zjarrë mbi rininë në emër të Jugosllavisë.
Edhe pse aktivistët, gazetarët përpiqeshin të fshihnin të vërtetën ajo ishte krejtësisht e dukshme – ajo zbulonte faktin se shqiptarët, të cilët ishin futur në Serbi dhe Jugosllavi kundër dëshirës së tyre dhe, përpos kësaj, e mbanin mbi kurriz edhe një regjim jodemokratik të partisë komuniste dhe aparatin represiv të shtetit serb, nuk ishin të kënaqur me pozitën e tyre dhe rinia po e shprehte këtë shumë vrullshëm dhe direkt. Edhe përgjigja e partisë dhe shtetit ishte e prerë dhe direkte. “Kështu duhej përballur me armikun”. Politika kosovare asokohe nuk kishte fuqi, e ndoshta as vullnet të qëndronte prapa studentëve dhe të përkrahte kërkesat e tyre.
Kështu, në procesin për të keq të famshëm të diferencimit ideopolitik, sa u diferencuan, u larguan nga pushteti apo u burgosën dhe gjithë kjo përfundoi në fund të decenies së njejtë, në vitin 1989 kur filloi të shpërbëhet Lidhja Komuniste e Kosovës dhe filloi rebelimi paqësor gjithëpopullor kundër shtetit serb i cili futi masat e dhunshme në organet e të gjitha niveleve. Krejt kjo e arriti kulmin me përzënjen e rreth një milion shqiptarëve në kohën e luftës së shkurtër 1998-99 kur hyri në këtë rrëfim tmerri edhe fuqia më e madhe ushtarake e kohës, NATO, për të kthyer popullin e përzënë nëpër shtëpitë e veta të djegura, dhe për të përzënë njëherë e përgjithmonë nga ky vend ushtrinë dhe policinë serbe. Këto nuk ishin pasoja direkte të demonstratave të marsit, por gjithësesi ato ishin një paralajmërim i ndryshimeve të mëdha që ndodhën më vonë në këto hapësira.
Kjo ishte matja e parë e forcave në mes të Serbisë dhe republikave veriperëndimore dhe shumë shpejt makineria luftarake e ish-Jugosllavisë u nis drejt Sllovenisë dhe Kroacisë në përpjekjen e tyre për të ndalur të pandalshmen, shpartallimin e federatës së atëhershme. Ajo çka pasoi është histori e njohur e luftërave dhe shkatërrimit të Republikës Socialiste Fedarative të Jugosllavisë dhe vetë idesë jugosllave.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.