Kurti: E pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

0
146

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të hënën se e pranon propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “duke e konsideruar atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.

Ai deklaroi kështu pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë.

Mirosllav Lajçak tha pas takimit me Kurtin se kanë diskutuar “gjithçka” që lidhet me dialogun, por se diskutimi ka qenë i përqendruar te propozimi evropian. Ai përsëriti qëndrimin se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen.

Në takimin me emisarin evropian Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Takimi, i cilësuar drekë pune, u mbajt në një restorant në kryeqytetin e Kosovës.

Pas qëndrimit në Prishtinë, Lajçak do të udhëtojë për takime në Beograd.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Propozimi i Bashkimit Evropian, që më herët njihej si plani franko-gjerman, ka marrë mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq, më herët, gjatë së hënës, u takua me ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Kosovë.

Sipas njoftimit për media të Zyrës së Kryeministrit, temë qendrore e diskutimit ishte procesi i dialogut, propozimi evropian dhe rruga përpara.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – që ka mbështetjen edhe të SHBA-së – që nga viti 2011. Procesi synon të normalizojë raportet mes shteteve. Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit.

Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

(evropaelire.org, 06/02/2023)