Kurti vendos kushtet për themelimin e Asociacionit, Vuçiq i quan “përrallë”

0
139

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të konsiderohet me disa kushte – mes tjerash, ai “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.

Një tjetër kusht, sipas tij, është që Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik. “Duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për vetëqeverisje lokale”, është shprehur Kurti.

Kryeministri i Kosovës i bëri këto deklarata gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, më 2 shkurt.

“Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”, ka thënë Kurti.

Kushti i katërt, sipas Kurtit, është që, para themelimit të Asociacionit, “strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.

“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet vetëm pas njohjes reciproke”, është kushti i pestë, sipas kryeministrit të Kosovës.

Duke numëruar kushtin e fundit, Kurti ka thënë se “presidenti serb [Aleksandar Vuçiq] duhet t’i tërheqë letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe te të tjerat për mospranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE”.

“Këto gjashtë kushte që i vendosa unë, janë kushte politike dhe kanë bazë në aspektin demokratik, universal dhe evropian të qeverisjes dhe politikëbërjes”, është shprehur Kurti.

Kushtet e Kurtit i ka komentuar menjëherë presidenti i Serbisë, Vuçiq. Ai i ka cilësuar “përrallë” kushtet e kryeministrit të Kosovës për formimin e Asociacionit.

Në një seancë të Kuvendit të Serbisë, gjatë diskutimeve për Kosovën, Vuçiq ka thënë se Kurti në fakt “nuk do të formojë Asociacionin”.

Përkitazi me kushtet e Kurtit ka reaguar edhe opozita në Kuvendin e Kosovës, ndonëse kryeministri ka thënë se krerët opozitarë kanë qenë në dijeni për to.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi njërin prej kushteve të vendosura nga Kurti, përkatësisht atë për çarmatosjen e veriut.

Abdixhiku tha se kjo nuk është çështje për dialog me Serbinë, por është detyrë e Kurtit dhe organeve të rendit që ta bëjnë një gjë të tillë.

“Jo gjashtë, por 22 udhëzime i ke nga Gjykata Kushtetuese. Të gjitha i ke me një vend, thonë respektim i rendit, Kushtetutës së Kosovës”, tha Abdixhiku.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se nuk e di se a është rastësi apo sinkronizim mes Kurtit dhe Vuçiqit, që në kohën kur në Kuvendin e Serbisë po diskutohet për dialogun, kryeministri kosovar e jep lajmin për themelimin e Asociacionit.

“Ky moment duhet të jetë një koordinim i mirë mes dy liderëve, Kurtit dhe Vuçiqit, të cilët në të njëjtën ditë, në të njëjtin moment, po japin lajme të rëndësishme për drejtimin që do të marrë kjo marrëveshje”.

“Ajo që është e rëndësishme është ndryshimi radikal, drastik, që është ndryshim jashtëzakonisht i madh i diskursit të Kurtit”, tha ai.

Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar, më 23 dhjetor të vitit 2015, se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ishin tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Kushtetuesja ka thënë se ky asociacion mund të formohet, nëse harmonizohen me Kushtetutën ato parime që nuk janë në harmoni me të.

Serbia, në anën tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociacionin.

(evropaelire.org, 02/02/2023)