Disa herë deri tani në blogjet e mia e kam theksuar që hapësira ku po jetojmë është e tillë që ndarjet, shumë lehtë, brenda natës dalin në pah dhe bëhen të tilla që është e pamundur të tejkalohen. Natyrisht, siç ndodh gjithkund në botë, një nga arsyet kryesore pse populli ndahet është pikërisht pushteti dhe të gjitha ato që ai i bart me vete. Mirëpo, për të ardhur deri te pushteti duhet që dosido të kalohet nëpër procesin zgjedhor e kjo është pikërisht fushëbeteja në të cilën shumë vetë po luftojnë ashtu që duke nxjerrë argumente kundër palës tjetër, shpeshherë edhe të pavërteta, po e ndajnë popullin duke vendosur barrën mbi shpinën e pikërisht atyre që e japin këtë pushtet, do të thotë, mbi popullin.
Këto ditë po zhvillohet fushata parazgjedhore e cila me asgjë nuk po dallohet nga fushatat e deritanishme, përveç për atë se barra e ndarjeve në këta dhe ata, apo në të tyre dhe tanët, po bëhet gjithnjë e më madhe dhe se si e tillë po kërcënon të mbetet aktuale edhe pas zgjedhjeve, e kjo pastaj nuk është diçka e mirë. Një ndarje e tillë është e dukshme tek të gjithë, e më së shumti tek kandidatët që vijnë nga radhët e komunitet serb në Kosovë. Derisa kandidatët shqiptarë garojnë me planet dhe mbështetjen e fuqive perëndimore, në anën tjetër kandidatët serbë ndahen në ata të cilët i mbështet Prishtina dhe ata që i mbështet Beogradi. Do të krijohej përshtypja që pikërisht këto dy qytete edhe po na ndajnë, edhe pse të gjithë e kanë të qartë se ndarja është shumë më e thellë dhe bart me vete shumë më shumë argumente kështu që është tejet e vështirë të bëhet një gjykim i qartë se kush është fajtori kryesor për të gjitha këto.
Fushata parazgjedhore nganjëherë di të jetë edhe komike në një mënyrë tejet ironike kështu që ndarjet vërehen madje edhe brenda një familjeje, kurse për përmasat e ndarjes në nivel fshati dhe qyteti është çmenduri edhe të flitet. Natyrisht, këto ndarje nganjëherë kanë edhe efekt pozitiv sepse edhe njërën edhe tjetrën palë i shtyejnë në propagandë e përpjekje më të madhe për t’u dëshmuar dhe kjo vetvetiu nxjerr në shesh edhe disa të vërteta që populli nuk i ka ditur deri atëherë, kështu që ai karakter informativ i fushatës nganjëherë sjellë edhe ndonjë dobi. Por gjithsesi çdo gjë ka masën e vet vetëm se teprimi tek ne bëhet disciplinë në të cilën bëjnë gara të gjitha palët e kjo pastaj megjithatë bëhet e pakuptimtë dhe plotësisht irrituese.
Natyrisht, me këtë nuk duam të themi se fushatat në vendet tjera janë më të mira por, megjithatë, krijohet përshtypja që kjo tek shumica e popujve paraqitet me shumë më pak vrull apo ndoshta ne nuk i kuptojmë mënyrat e tyre.
Ajo që e rëndon gjithë atë që u tha më lartë është edhe vetë procesi i negociatave, i cili në një mënyrë është edhe një nga arsyet pse erdhi deri tek zgjedhjet e parakohshme. E me këtë pothuajse të gjithë, edhe kandidatët serbë dhe shqiptarë, në prezantimet e tyre e kanë një pikë e cila ka të bëjë me negociatat, ndonëse të gjithë e dinë fare mirë që prapë do të duhet të ketë negociata dhe se ato heret a vonë duhet të përfundojnë e që epilogu i atyre negociatave nuk do të jetë i favorshëm as për njërën e as për palën tjetër. Sa i përket kësaj, prapëseprapë në mënyrën më reale paraqitet Lista Serbe, sepse vetëm kandidatët e tyre e interpretojnë këtë ashtu siç është derisa të gjithë të tjerët premtojnë diçka për të cilën edhe vetë janë të vetëdijshëm që nuk është reale. Por nuk duhet t’i fajësojmë për këtë, sepse, megjithatë, kjo është fushatë e gjatë saj thuhen ato që votuesi dëshiron t’i dëgjojë e jo ato që janë reale. Sido që të jetë, fushata zgjatë dhe do të zgjasë, e me të edhe ndarjet, vetëm se dallimi është që fushata ka fund kurse ndarjet qartazi jo.