Listat

Është e qartë se edhe njëra edhe tjetra palë i kanë listat e marrëveshjeve të pazbatuara dhe se arsyet për këtë sipas të gjitha gjasave janë të justifikueshme, bile nga këndi i atij që nuk i ka zbatuar, por një gjë është e qartë për të gjithë, e ajo është se qytetarët e thjeshtë po pësojnë nga ky moszbatim.

0
197

Pas raundit të fundit të negociatave në Bruksel, të dyja palët jo vetëm që nuk u pajtuan rreth temës së raundit të përmendur porse, edhe pas bisedimeve, të dy delegacionet vendosën të japin deklarata krejtësisht të kundërta. E gjithë kjo do të ishte e pritshme dhe në dukje normale nëse kjo nuk do të kishte të bënte me tërë rrjedhën e negociatave dhe asaj se kush ka bërë më shumë në fushën e zbatimit të asaj që është dakorduar. Një qytetar i thjeshtë do të mbetej i hutuar dhe, pas deklaratave të tilla, do të vinte në dyshim gjithçka që dihet deri tani për rrjedhën e negociatave. Akuzat e njërës palë në llogari të palës tjetër e në kuptim të gjatësisë së listës së marrëveshjeve të paplotësuara, morën një formë që çoi në konfuzion klasik në terren. Prej kohësh e kemi të qartë se dhënia e deklaratave të tilla është bërë normale, por disi kjo temë më vete nuk do të guxonte të jetë objekt konfuzioni.

Beogradi akuzohet se nuk ka zbatuar marrëveshjen për energjinë, edhe pse të gjithë e dimë mirë se ky proces po frenohet nga refuzimi i Prishtinës për të akredituar dy kompani në veri të cilat do të kryenin punën në fushën e furnizimit me energji elektrike. Por sigurisht që edhe në këtë fshehet një kuptim më i thellë, i cili nuk është i disponueshëm për ne qytetarët e thjeshtë.

Mirëpo, Prishtina refuzon kategorikisht të përmbushë postulatin bazë dhe pikën e parë të marrëveshjes në Bruksel, e që është formimi i AKS-së (Asociacioni i Komunave me shumicë serbe), nëse ky formim ka qenë baza për të hyrë në procesin e mëtejshëm të negociatave për normalizimin, kështu që në bazë të gjithë kësaj, shtrohet një pyetje e thjeshtë për sinqeritetin në të gjitha raundet që pasuan pas asaj të parës kur edhe është nënshkruar formimi i AKS-së. Secila qeveri e re në Prishtinë, qëndrimin e saj për mosformimin e AKS-së e mbron duke thënë që kjo është nënshkruar nga një qeveri e mëparshme me politikën e së cilës nuk pajtohet kjo e tanishmja, e kështu kjo sillet në rreth deri në pafundësi. Gjithsesi, është e qartë për të gjithë se formimi i Bashkësisë apo Asociacionit të përmendur nuk do të ndikonte në mënyrë domethënëse në ndryshimin e situatës në terren, por kjo është çështje parimesh dhe sinqeriteti dhe mbi të gjitha e konsistencës në zbatimin e asaj që është nënshkruar. Zvarritja e vazhdueshme, si në nivel politik ashtu edhe në atë administrativ, ka filluar të marrë një formë që sipas të gjitha gjasave askush nuk e ka shënuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, sido që të jetë, me këto gjëra jemi mësuar prej kohësh, ndaj edhe nuk e kemi të vështirë.

Marrëveshja për targat, e cila është aktualisht në fuqi, është e një natyre të përkohshme dhe është vazhdimisht në formën që zgjatet për një periudhë të caktuar kohore, dhe të gjitha indikacionet tregojnë se ajo do të zgjasë më shumë se sa që është pritur. Ndoshta, e tillë siç është, kjo marrëveshje do t’i mbijetojë shumë marrëveshje të tjera, si ato të zbatuara ashtu edhe ato të nënshkruara që cilat janë në listën e pritjes për zbatim.

Është e qartë se edhe njëra edhe tjetra palë i kanë listat e marrëveshjeve të pazbatuara dhe se arsyet për këtë sipas të gjitha gjasave janë të justifikueshme, bile nga këndi i atij që nuk i ka zbatuar, por një gjë është e qartë për të gjithë, e ajo është se qytetarët e thjeshtë po pësojnë nga ky moszbatim, po pëson edhe politika, d.m.th reputacioni i saj ndërkombëtar, por duke pasur parasysh se parimi politik në kushtet e sotme është një emër abstrakt, dhe se askush nuk i kushton vëmendje atij, barra e një reputacioni të keq nuk përbën shumë problem. Marrëveshjet mund të presin ndonjë qeveri të ardhshme, e cila do të jetë ose mjaft e guximshme ose e zgjuar për t’i zbatuar ato në terren, problemi i vetëm është se ku do të jetë populli që varet prej tyre. Të tilla si janë tendencat aktuale, ndoshta diku larg në Perëndim, ku zbatimi i këtyre marrëveshjeve do të jetë vetëm lajm në një portal dhe asgjë më shumë.   

Dhe ndërsa politika bën listën e gabimeve të të tjerëve, njeriu i zakonshëm bën një listë të gabimeve të politikës; gjëja më e keqe për të gjithë ne është se kjo lista e dytë është shumë më e gjatë, por për të askush nuk raporton në mënyrë kaq pompoze siç bëhet me të parën. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.