Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi që taksa prej njëqind për qind në mallin që vjen nga Serbia dhe Bosna e Hercegovina do të hiqet në etapa nga data 15 mars 2020. Mirëpo, kjo gjë nuk ndodhi, kurse arsyeja për këtë është shumë qesharake. Në fakt, Kryeministri i Kosovës tha se nuk ka mundur ta bindë partnerin e koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për atë që ai është i bindur – se zëvendësimi gradual i taksës me reciprocitet është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme. Ky alibi flet në të vërtetë për atë se sa konsekuent është Kryeministri Kurti, se sa duhet të merren seriozisht qëndrimet dhe vendimet e tij. Secili ideolog, lider sadopak serioz qëndron pas vendimeve të veta e kështu nuk është me Kurtin. Normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës do të pres bile edhe ca kohë.
I dërguari amerikan për marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit, Richard Grenell, ushtroi presion të madh mbi qeverinë e Kosovës, por kjo nuk dha rezultate. Përveç Grenell-it, shumë zyrtarë tjerë amerikanë sugjeruan heqjen e taksës dhe vazhdimin e dialogut, por Kosova qartazi po luan një lojë tjetër. Nuk di se çka pret Prishtina pas këtij injorimi? Pikërisht Amerika qëndron pas shumë sukseseve të Prishtinës, kështu që kjo padëgjueshmëri më tingëllon si vendim i paarsyeshëm.
A ndikuan në qëndrimin e Kryeministrit Kurti kërcënimet apo sugjerimet e politikanëve kosovarë apo ndoshta inicimi i disa shteteve ervopiane si Gjermania? Çka në të vërtetë ndikoi në Kurtin që të ndryshojë vendimin e tij, shoqëruar me kërkimfalje popullit të Kosovës? Sa është ky vendim i tij e sa i ndonjë fuqie tjetër perëndimore e cila ndoshta qëndron prapa gjithë kësaj? Sido që të jetë, pasojat e politikës së Kurtit më së shumti do t’i ndiej populli i Kosovës.
Amerika ka filluar ta mbyllë rubinetin, por a do të pasojë bllokada politike apo ca sanksione në të ardhmen? Përgjigjja tashmë po duket – nëse Kryeministri Kurti qëndron konsekuent ndaj vendimit të tij që të mbajë taksat, Kosova do të ketë probleme. Se me Amerikën nuk ka shaka flet edhe fakti që Prishtinës i është shkurtuar ndihma në vlerë prej rreth 200 milionë dollarësh kryesisht të destinuara për sektorin e energjisë, siç po shkruajnë mediat. Padëgjueshmëria i ka kushtuar mjaft edhe Serbisë gjatë viteve të 90-ta, SHBA-ja diti ta dënojë atë mjaft mirë, e sa do t’i kushtojë kjo Kosovës? Duke i futur gishtin në sy Amerikës, duke kundërshtuar dhe nënvlerësuar angazhimin amerikan të viteve të tëra, Kosova do të fillojë të humbë mbështetjen politike.
Pa të hollat amerikane, do të viheshin në pikëpyetje gjëra nga më të ndryshmet duke filluar nga reforma e administratës publike, gjyqësisë, prokurorisë, arsimit, e nëse nuk ka asgjë nga këto atëherë rritet pakënaqësia e qytetarëve, për çka do ta akuzojnë pushtetin e sapoformuar, të cilit tani nuk i duhen probleme të tilla.
Se marrëdhëniet janë të tensionuara në qeverinë e Kosovës flet edhe deklarata e liderit të LDK-së, Isa Mustafës, që “taksa nuk është hequr për shkak të qëndrimeve dogmatike dhe konspiracioneve të Kryeministrit Kurti“. Konsideroj se qëndrimi i Isa Mustafës është i drejtë, se taksat duhet të hiqen plotësisht për të mirën e të gjithëve, e në veçanti të Kosovës.
Situata e jashtëzakonshme në Kosovë për shkak të problemit global të cilin e shkaktoi virusi korona qartazi tregon se qytetarët e Kosovës kanë probleme me mungesën e miellit. Për shkak të kësaj, pjesëtarë të nacionalitetit shqiptar ngarendën në veri të Kosovës për rezerva të miellit dhe prodhimeve të tjera. Ky është një shembull i pastër se është paradoksale të mbahen taksat mbi mallra. Tregtia e lirë do t’i mundësonte të gjithë banorëve të Kosovës një të ardhme më të qetë, e ky është një hap para kah normalizimi i marrëdhënieve në relacioni Prishtinë – Beograd.
Shpresoj që lojërat e Kryeministrit Kurti do të ndalen dhe që do të marrin dhe zbatojnë vendimet në mënyrë më të ndërgjegjshme. Pozita e Kryeministrit kërkon udhëheqje serioze të politikës, në dobi të të gjithë qytetarëve. Përleshjet me policinë, arrestimet, gurët, gazi lotsjellës, ideologjia revolucionare nuk janë për këto kohëra, bile jo në Kosovë.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.