Manifesta në Mitrovicë – Më shumë fat herën tjetër

Fituam një skulpturë apokaliptike, praktikisht të papërdorshme (një simbol i dekonstruktuar i qytetit), të vendosur në mes të një lumi të ndotur në afërsi të vendit ku derdhen fekale nga tubat e kanalizimit, e cila mund të konsiderohet më shumë një përmendore e një katastrofe dhe atë të një katastrofe ekologjike. Dhe kjo do të ishte krejtësisht në rregull, sikur qëllimi të ishte që të dërgohej një mesazh paralajmërues për banorët e Mitrovicës se Veriut dhe asaj të Jugut - “shihni sa e keni ngatërruar, tani po pajtoheni dhe po shoqëroheni mes baktereve dhe viruseve nga jashtëqitjet tuaja”.

0
206

 

Fituam një skulpturë apokaliptike praktikisht të papërdorshme (një simbol i dekonstruktuar i qytetit) i vendosur në mes të një lumi të ndotur në afërsi të vendit ku derdhen fekale nga tubat e kanalizimit, e cila mund të konsiderohet më shumë një përmendore e një katastrofe dhe atë të një katastrofe ekologjike. Dhe kjo do të ishte krejtësisht në rregull, sikur qëllimi të ishte që të dërgohej një mesazh paralajmërues për banorët e Mitrovicës se Veriut dhe asaj të Jugut – “shihni sa e keni ngatërruar, tani po pajtoheni dhe po shoqëroheni mes baktereve dhe viruseve nga jashtëqitjet tuaja”.

Në njëqind ditët e kaluara, përveç Prishtinës, edhe qytetarët e Mitrovicës patën mundësinë ta shijojnë Manifestën në qytetin e tyre. Në mes të lumit Ibër, pranë urës kryesore, simbolit të ndarjes etnike të qytetit në pjesë jugore dhe veriore, u shfaq skulptura “Evropa pa përmendore”, e konceptuar për të “mundësuar një vend të sigurt dhe të hareshëm për t’u mbledhur.“

Kjo vepër riprodhon format e përmendores së betonit që ndodhet mbi qytet, me ndihmën e skeleve. Mirëpo, në vend që të riprodhonin formën e saj të portës, të tri pjesët ishin përmbysur dhe shpërndarë pothuajse kuturu brenda lumit – thuajse një fëmijë kishte luajtur me disa blloqe ndërtimi – siç vuri në pah artistja.

Brenda konstruksionit gjendeshin hijet e pavijonit nga dielli dhe ndenjëse publike, ndërsa në skele mund të ngjiteshe dhe të luaje.  

Ideja ishte fisnike, e frymëzuar nga një citat i arkitektit Bogdan Bogdanović: 

„Ëndërroj për një Evropë pa përmendore. Me këtë dua të them pa përmendore vdekjes dhe katastrofës. Ndoshta një konstrukt filozofik: t’i ndërtojmë përmendore dashurisë, haresë, shakasë dhe qeshjeve.”

Për fat të keq, ky realizim arriti pikërisht të kundërtën. Fituam një skulpturë apokaliptike, praktikisht të papërdorshme (një simbol i dekonstruktuar i qytetit), të vendosur në mes të një lumi të ndotur në afërsi të vendit ku derdhen fekale nga tubat e kanalizimit, e cila mund të konsiderohet më shumë një përmendore e një katastrofe dhe atë të një katastrofe ekologjike.

Dhe kjo do të ishte krejtësisht në rregull, sikur qëllimi të ishte që të dërgohej një mesazh paralajmërues për banorët e Mitrovicës se Veriut dhe asaj të Jugut – “shihni sa e keni ngatërruar, tani po pajtoheni dhe po shoqëroheni mes baktereve dhe viruseve nga jashtëqitjet tuaja”. Por jo, qëllimi i proklamuar ishte krijimi i një „vendi të sigurt dhe të hareshëm për t’u mbledhur. “

Kur konturat e strukturës metalike filluan të shiheshin gjatë verës, unë, por edhe shumë të tjerë, ishim të intriguar se për çfarë bëhej fjalë. Së shpejti patëm mundësinë edhe të mësonim nga tabela e vendosur në breg të lumit, në afërsi të urës.

Ata që nuk e njohin aq mirë Mitrovicën nuk dijnë për erën e keqe që ndihet kur zbret kah lumi afër urës kryesore – arsyeja, midis tjerash, tubat e ujërave të zeza nga të cilat derdhen fekalet direkt në lumë.

Nuk njoh asnjë person nga Mitrovica që t’i ketë shkuar në mendje të hyjë në lumë madje edhe për t’i freskuar këmbët gjatë ditëve të nxehta të verës, (duke lënë anash situatën politike dhe marrëdhëniet e tensionuara ndëretnike) pikërisht për arsyet e përmendura më lart.  

Ndonëse isha e interesuar të përjetoja “Evropën pa përmendore”, lumi i ndotur dhe era e padurueshme ishin më të forta se dëshira ime për ngritje kulturore. 

Duke lexuar se si artistja e përjetoi lumin, e cila vuri re se uji në bregun jugor është i cekët, i kthjellët dhe i freskët, se ai bëhet më i thellë drejt pjesës veriore ku në mënyrë strategjike vendosën stola që qytetarët të mund të shtriheshin përmbi rrymën pak më të fortë të ujit dhe të ndienin lumin se si kalon dhe rrjedh poshtë tyre, pyesja veten nëse po flisnim për të njëjtin lumë.

Kam kontaktuar miqtë e mi që jetojnë në jug dhe në veri dhe duket se nuk jam e vetmja që e ndiej erën e keqe, se jashtëqitjet derdhen në lumë nga gypat e ujërave të zeza dhe se ai është plot me mbeturina. Nuk jam e sigurt se si artistja nuk i ka vërejtur asnjë nga këto.  

Nuk jam e sigurt se çfarë mundësoi kjo skulpturë për qytetarët e Mitrovicës, por e di se çfarë nuk ua mundësoi – një vend të sigurt dhe të hareshëm për t’u mbledhur. 

Me artisten pajtohem për një gjë, lumi është i bukur, vetëm edhe të mos ishte i ndotur dhe plot plehra e ta shijojmë vërtet, por ky tashmë është problemi ynë. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.