Në fillim të shtatorit u nënshkrua një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, e cila u paralajmërua si e madhe, u nënshkrua si e madhe dhe u promovua si e madhe, por, në thelb, madhësia e saj varet vetëm nga fakti se çka do të sjellë ajo si pasojë e zbatimit të saj. Dhe duke ditur se si zbatimi në vendin tonë mund të zgjasë shumë, për pasojat e gjithçkaje që është nënshkruar do të presim për një kohë tejet të gjatë.
Mirëpo, menjëherë pas nënshkrimit të saj u pa se cili në të vërtetë ishte qëllimi i tërë kësaj shfaqjeje. Përmendja e marrëveshjes në takim parazgjedhor të presidentit amerikan në kuptim të suksesit të madh të diplomacisë së Trumpit është provë e shkëlqyer dhe treguesi i vetëm se për çka në të vërtetë shërben ajo marrëveshje. Pasi që opinioni publik amerikan është i ndjeshëm sa i përket temës së përhapjes së demokracisë në botë, duhej që edhe administrata e tanishme të prezantohej si dikush që ka arritur që edhe në disa meridiane të largëta të sjellë paqe dhe stabilitet si edhe shumë administrata para saj. Por, pasi që marrëveshja nuk ka kufizime kohore për implementimin e saj, ka shumë gjasa që do të jetë aktuale edhe për një kohë të gjatë dhe si e tillë do të paraqesë një argument të fortë në duart e vetë ideatorit të saj, presidentit amerikan. Askush nuk garantoi se do të ketë beneficione për aktorët e tjerë, kjo është bile e qartë për të gjithë. Nëse shikohet përmbajtja e marrëveshjes, ka shumë të ngjarë që pikërisht kjo marrëveshje do t’u hakmerret të dyja palëve që janë pjesë e saj.
Duke qenë se pjesa më e madhe e marrëveshjes bazohet në çështje ekonomike, mbetet shpresa që të paktën njerëzit e zakonshëm do të përfitojnë nga e gjithë kjo, por, pasi rrethanat tek ne nuk janë si në pjesën tjetër të botës, nuk duhet t’i ushqejmë shumë shpresat për atë përmirësim.
Izraeli do të njohë Kosovën dhe kjo është humbje diplomatike për Serbinë, por duhet të kemi parasysh që diplomacia izraelite është e tillë që njohja edhe nuk do të thotë gjithaq shumë sa bashkëpunimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve në të gjitha fushat. Mes tjerash, Izraeli i njeh të gjitha shtetet arabe në fqinjësinë e tij, por nuk ka të zhvilluara marrëdhënie diplomatike me shumicën prej tyre. Kështu që ky hap nuk duhet parë as si sukses e as si mossukses sepse kjo varet vetëm nga interesat e Izraelit si një nga shtetet më të fuqishme botërore edhe pse kjo në shikim të parë nuk vërehet.
Ndërtimi i autostradave, projekteve energjetike, vendkalimeve kufitare dhe shumë gjërave të tjera janë vetëm si mbulesë për gjithçka çka në të vërtetë është kjo marrëveshje. Ajo është thjesht një hap prapa pa marrë parasysh sa absurde të duket kjo në këtë moment. Sepse me këtë marrëveshje palët janë obliguar të bëjnë shumë gjëra për të cilat kanë deklaruar se janë vija të kuqe. Por edhe vetë implementimi i saj është i pasigurt kështu që na mbetet të presim si për të gjitha gjërat tjera, edhe pse është mjaft e sigurt që dispozitat e kësaj marrëveshjeje gjatë zbatimit do të pësojnë edhe shumë ndryshime derisa të zbatohen në vepër.
Edhe njëra edhe pala tjetër i kanë pasur qëllimet më të mira për popujt e tyre dhe shtetet e tyre, por vetë takimi dhe marrëveshja janë megjithatë diçka tjetër. Kjo do të mund të përshkruhej me fjalën e urtë Senatores boni viri, senatus autem, mala bestia*.
Prapëseprapë në fund u pa që ai i cili që nga fillimi e ka formësuar rrjedhën e krizës e ka ndikimin e vetëm dhe ekskluziv për zgjidhjen e saj kurse të gjithë të tjerët mund të merren me çështje teknike dhe çështje të tjera më pak të rëndësishme. Shumë ujë do të kalojë nëpër Ibër derisa këtu të kuptohet se ku në fakt jemi në hartën e dikujt.
E deri atëherë le të shkojmë të gjithë tek liqeni i Gazivodës ….. apo Ujmanit …. apo Liqeni i Trumpit!
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës
*Senatorët janë njerëz të mirë, por senati është një bishë e ligë.