Gati tre muaj pas zgjedhjeve, Kosova më në fund e formoi Qeverinë e re. Në një mënyrë vetëm se të pritur, në krye me Ramush Haradinajn. Nga ana tjetër prapë disi e pritur, me ndihmën e përfaqësuesve të komunitetit serb. Në të vërtetë, për të pasur shumicën në kuvend, apo saktësisht 61 vota, Haradinajt i duheshin edhe votat e deputetëve të Listës Serbe. Në fund edhe i mori. Shumë më parë se 9 shtatori, kur më në fund u formua Qeveria e Kosovës, Lista Serbe paralajmëronte mbështetjen për formimin e Qeverisë apo, siç thoshin, „nuk do të ndalnin formimin e institucioneve të Kosovës.“ Me vetë këtë, ishte tejet e qartë që prej përfundimit të zgjedhjeve se Lista Serbe do të jetë pjesë e qeverisë së re. Ndoshta e kemi pasur të qartë që nga fillimi se si do të përfundojnë këto zgjedhje dhe çka na pret, por duket se prapë kemi shpresuar se dikujt do t’i interesojë edhe çka mendojmë ne për formimin e Qeverisë me Ramush Haradinajn. Por natyrisht, për kushedi të satën herë u tregua që përfaqësuesit „tanë“ politik nuk brengosen aspak për atë se çka mendojnë banorët serbë për veprimet e tyre. E prapëseprapë, dëgjuam disa herë që „Kosova është Serbi“, Beogradi e mbështeti Listën, çka na duhet më shumë që t’u besojmë që ata po punojnë ekskluzivisht për të mirën tonë?
Që kjo kontradiktë e mbështetjes së Haradinajt të jetë edhe më e keqe, shumë nga partitë politike në Serbi filluan ta interpretojnë këtë vendim në mënyrat e tyre vetanake. Derisa SNS-ja e mbështetë vendimin e Listës Serbe, i cili sipas të gjitha gjasave e edhe përgjithësisht është e ditur, është pikërisht vendim i SNS-së, opozita e interpreton këtë vendim si tradhti të serbëve. Në të njëjtën kohë për shkak të këtij mendimi ata akuzohen nga ana e partisë në pushtet në Serbi se po e mbështesin Shqipërinë e madhe sepse heqja dorë nga mbështetja për Haradinajn do të nënkuptonte mbështetje për Albin Kurtin. Përpiqet njeriu prapë që për të satën herë të mos dëgjojë grindjet e tilla politike, por për kushedi të satën herë të kujtohet se kanë të bëjnë me ty, kështu që thjesht e pyet veten ku në të vërtetë qëndron problemi këtu? E para, as partia e Ramush Haradinajt e as ajo e Albin Kurtit nuk janë zgjedhja ime. Por po të doja të merresha me politikë dhe të merrja pjesë në marrjen e vendimeve në këtë mënyrë, së pari do të pyesja veten çka dëshiron populli që unë e përfaqësoj? Gjëja e parë është e sigurtë, të gjithë pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, e pranuan ose jo Kosovën, nuk dëshirojnë ta kenë Ramush Haradinajn në krye të Qeverisë. Në veçanti pas bujës në media dhe reagimit të Serbisë pas lirimit të tij. E dyta, po të isha e kyçur në politikë, do të pyesja veten a është ky vendim qoftë edhe pak i drejtë ndaj popullit serb. A është fer? Të gjithë ne e dimë paraprakisht përgjigjjen: natyrisht se nuk është. Të hysh në koalicionin që e ka marrë emrin „koalicioni i luftës“ vetvetiu është marrëzi. Në tërë këtë, t’i thuash popullit serb që kjo është ekskluzivisht për të mirën e tyre dhe për këtë ta marrësh mbështetjen nga Beogradi, është tejkalim i çdo kufiri të respektit të vullnetit dhe mendimit të njerëzve që jetojnë në Kosovë. Në fund të tërë kësaj, të thuash se është më mirë të kesh koalicion me Haradinajn se sa me dikë që sipas fjalëve të tyre dëshiron Shqipërinë e madhe nuk është në vetvete një arsyetim. Çkado që dëshiron Albin Kurti, definitivisht është një opsion më i mirë nga ajo çka përfaqëson Ramush Haradinaj për popullin serb. Në fund të fundit, do të ishte më e moralshme që të negociohet me Kurtin, nëse ka ekzistuar fare ndonjë shans për këtë, se sa të vendoset që Haradinaj është opsioni më i mirë. Në rastin më të mirë: çmenduri! Pas tërë kësaj, përfaqësuesit tanë kanë guximin që palët tjera t’i quajnë ithtarë të Shqipërisë së madhe, derisa ata vetë nuk e mbështesin askënd tjetër pos njeriun që gjendet në fletëarrestin e Republikës së Serbisë. Por duket që kundërthënia e politikës serbe edhe një herë u tregua në vepër.
Tani kur tashmë kemi Qeverinë e formuar, kur përfaqësuesit tanë e mbështetën atë kundër të cilit deri dje kanë folur me plot gojën dhe prej të cilit, sipas fjalëve të tyre, është dashur më së shumti të frikohemi, na mbetet vetëm që të presim zgjedhjet lokale. E me këtë të pyesim se a jemi të gatshëm të mbështesim ata njerëz të njëjtë të cilët për kushedi të satën herë i kanë zhgënjyer pritjet tona, të cilët i kanë dhënë votën Qeverisë dhe njeriut të cilit serbët kurrë nuk do t’ia jepnin. Atëherë ndoshta edhe zgjohemi që të ndryshojmë diçka.