Mbrojtja e lartë

Pas raportit të fundit të EUROPA NOSTRA-s në të cilin thuhet se është e cenuar siguria e manastirit si dhe që është cenuar statusi i trashëgimisë kulturore nën mbrojtjen e UNESCO-s, menjëherë në skenë u paraqitën deklaratat e përsëritura dhe të plotësuara të ministrave aktual në Prishtinë. Nganjëherë fitohet përshtypja se e tërë kjo është pjesë e një plani të paramenduar, e nganjëherë që ky është vetëm fryt i moskuptimit të multietnicitetit dhe mozaikut kulturor të një mjedisi. Sido që të jetë, problemet po mbeten dhe nuk po zgjidhen.

0
152

 

Kohë pas kohe, nëpër media prapë po përvidhet edhe rrëfimi për Manastirin e Deçanit, por gjithsesi jo në kontekstin kulturor apo religjioz porse në atë politik dhe te sigurisë. Edhe pse vetë manastiri dhe të gjitha përreth tij assesi nuk bëjnë pjesë në atë domen të ngjarjeve shoqërore, për një kohë të gjatë termi Deçan përmendet në njëfarë konteksti, i cili vetvetiu shkakton nga njëra anë brengosje dhe pakënaqësi nga ana tjetër. 

Pas raportit të fundit të EUROPA NOSTRA-s në të cilin thuhet që është e cenuar siguria e manastirit si dhe që është cenuar statusi i trashëgimisë kulturore nën mbrojtjen e UNESCO-s, menjëherë në skenë u paraqitën deklaratat e përsëritura dhe të plotësuara të ministrave aktual në Prishtinë. Si me automatizëm, dhe sikur të ishte paraprakisht e shkruar, u komunikua një deklaratë e cila vetvetiu kapërcen kortezinë e zakonshme diplomatike dhe atë në kuptimin që pretendimet në raport u quajtën të pakuptimta, kurse vetë organizata EUROPA NOSTRA u akuzua se është nën ndikimin e Serbisë. Edhe pse vetë kjo organizatë është themeluar më 1963 në Pariz, larg nga të gjithë ne dhe nga të gjitha ato që po na ndodhin tani, dikush i  ka dhënë të drejtën vetes që atë organizatë ta akuzojë se i shërben Serbisë për qëllime politike.  

Për t’i bërë gjërat edhe më paradoksale, u ngrit edhe çështja e arsyeshmërisë së mbrojtjes fizike të Manastirit të Deçanit nga KFOR-i, edhe pse e dimë shumë mirë se vetë manastiri ka qenë nën kërcënim të vazhdueshëm që prej disa vitesh, në kuptimin fizik, dhe se numri i incidenteve dhe serioziteti i tyre është rritur gjatë viteve të fundit. Më parë do të mund të shtrohej pyetja se në ç’kahje edhe është dhënë ajo deklaratë dhe është bërë një pyetje e tillë. Sepse nëse dikush e bën një pyetje të tillë, pavarësisht të gjitha gjërave, është e qartë se qëllimi i tij nuk është i mirë, sepse është e vështirë të besohet se bëhet fjalë për mosinformim.

Vazhdimisht një histori e tillë inicohet vetëm në lidhje me Manastirin e Deçanit, edhe pse situata nuk është aspak më e mirë as me manastiret e tjera, por për ndonjë arsye kjo gjë vazhdimisht po neglizhohet dhe, thënë kushtimisht, po futet nën tepih. Është hapur edhe çështja e trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe kujt i përket ajo; u shtrua çështja e pasurisë së manastireve, me çka po ashtu është i njohur Manastiri i Deçanit; dikush madje, me gjithë provat materiale, i lejoi vetes të shtrojë çështjen e origjinës së vetë manastireve. Të gjitha këto pyetje janë bërë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, pyetja e vetme që mbetet të shtrohet  është pse? Kujt i pengojnë manastiret dhe prona e statusi i tyre? Kush është ai që i vuri vetes synim për t’i hequr apo ndryshuar të gjitha këto? Kjo pyetje mbetet, dhe përgjigja për disa është e qartë e për disa të tjerë jo; edhe pse deri tek një përgjigje e tillë nuk do të arrihet kurrë, gjithmonë, madje edhe përpjekja për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje do të jetë e mbështjellur me fraza diplomatike dhe politike të mbështetura nga disa dispozita të miratuara për këtë rast, të cilat do të vlejnë tamam aq kohë deri sa të arrihet qëllimi i caktuar.

Nganjëherë fitohet përshtypja se e tërë kjo është pjesë e një plani të paramenduar, e nganjëherë që ky është vetëm fryt i moskuptimit të multietnicitetit dhe mozaikut kulturor të një mjedisi. Sido që të jetë, problemet po mbeten dhe nuk po zgjidhen. Çdo përpjekje e gjertanishme për të zgjidhur ndonjë gjë në këtë kuptim ka qenë e pasuksesshme. Deri atëherë nuk na mbetet tjetër veçse të falënderojmë ushtarët italianë që kanë qenë aty gjatë gjithë këtyre viteve. Vetëm se, para së gjithash, është e trishtueshme që dikush nga jashtë duhet të vijë dhe të sigurojë paqen këtu. Çështje dhe probleme të tilla duhet t’i zgjidhim ne vetë.


Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.