Multi Perspektiva, projekt i ri i të kuptuarit të historisë

0
1583

New Perspektiva ka nisur një projekt të ri, Multi Perspektiva, që ka të bëjë me metodologjinë shumë-perspektivëshe të mësimdhënies/të mësuarit të historisë.

Multi Perspektiva është një uebfaqe si pikë referimi për mësuesit dhe në veçanti studentët që të shohin mënyra të tjera se si paraqitet historia e Kosovës dhe u ofron atyre një burim të cilit mund t’i qasen pavarësisht. Multi Perspektiva ofron shembuj dhe sugjerime të ndërlidhura me historinë e përbashkët të Kosovës dhe rajonit fqinj të saj.

Sipas themelueses së New Perspektivës, Joanna Hanson, uebfaqja nuk ka për qëllim të ndryshojë historinë por ta plotësojë atë dhe të paraqesë perspektiva të tjera.

New Perspektiva e ka krijuar këtë uebfaqe me metodologji shumë-perspektivëshe për dy arsye kryesore:

1. Kosova është shoqëri multietnike dhe sërish mësimdhënia/të mësuarit e historisë në shkolla bazohet në një qasje të vetme nacionale. Kjo qasje rrezikon t’i largojë komunitetet edhe më shumë dhe nuk e nxitë integrimin më të madh dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Metodologjia shumë-perspektivëshe do ta adresojë këtë qasje që është e gjymtë për nxënësit në shkolla.

2. Metodologjia shumë-perspektivëshe e mësimdhënies/të mësuarit së historisë i aftëson nxënësit ta vënë në pyetje dhe analizojnë historinë nga një perspektivë më e gjerë. Nga ana e saj, kjo metodologji i zhvillon ata si qytetarë më të përgjegjshëm. Ata mësojnë t’i dallojnë faktet prej interpretimeve. Nuk e shohin historinë si diçka që duhet të mësoht përmend – të mësosh përmendsh nuk është të mendosh.

Ky problem nuk është i veçantë për Kosovën. Është po ai që u shfaq shpejt pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të 1990. Në ish-Jugosllavi theks më i madh i ishte vënë përvojave të ngjashme historike dhe fatit të përbashkët historik të sllavëve jugorë. Identitetet e reja që dolën nga konfliktet e viteve 1990 dhe shpërbërja e Federatës Jugosllave, e theksojnë papërputhshmërinë absolute dhe dallimet në mes ish-bashkëqytetarëve. Historia është politizuar tejmase. Megjithatë, ka pasur ca ndryshime dhe hapje ndaj perspektivave më të gjera që kanë rezultuar zakonisht nga intervenimi ndërkombëtar. Këshilli i Europës, Instituti Georg Eckert, Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore, Friedrich Ebert Stiftung dhe Asosiacioni Europian i Edukatorëve të Historisë, EUROCLIO, janë disa nga faktorët ndërkombëtarë që janë përpjekur ta rrisin vetëdijësimin dhe të intervenojnë. Pavarësisht punës së tyre të admirueshme, ndryshimi ka qenë i ngadalshëm dhe në Kosovë vetëm sa po fillon.

As nuk është se problemi i historisë një-perspektivëshe gjendet vetëm në Ballkan. Në Europë, koncepti i “shumë-perspektivshit” hyri në diskursin e mësimdhënies së historisë në 1970. Pas 1989, kur përfundoi Lufta e Ftohtë, ky koncept u përdor më gjerë pasi që historia u desh të rishkruhej dhe të mësohej ndryshe pas rënies së komunizmit meqë shtetet europiane po bëheshin më diverse etnikisht dhe për shkak të zhvillimeve të tjera sociale. Diskursi i ri politik e pranoi se nxënësit në shkolla duhet t’i përvetësojnë aftësitë e analizimit, interpretimit dhe sintetizimit të dëshmive të marra nga një varg burimesh primare dhe sekondare. U pranua secilën herë e më shumë se historia ishte ligjëruar nga perspektiva mono-kulturore, etnocentrike, përjashtuese dhe jo gjithëpërfshirëse dhe ishte bazuar në supozimin se narrativa nacionale përputhej me historinë e grupit më të madh nacional, linguistik apo kulturor. Filloi të vihej re që shkollat duhej të bënin më shumë për t’i përgatitur të rinjtë për jetë në një botë të karakterizuar nga diversiteti etnik, kulturor, linguistik dhe religjioz.

Uebfaqja Multi Perspektiva nuk ka për qëllim të tregojë se historia e kujt është e vërtetë apo e gabuar, por të tregojë se historia zakonisht ka shumë aspekte dhe të vërteta.