Mungesa e vullnetit për progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Deri më tani, as Kosova dhe as Serbia nuk kanë shprehur ndonjë vullnet të veçantë për të bërë ndonjë kompromis ndaj kërkesave të palës tjetër. Në fakt, për të qenë të sinqertë, liderët e kanë përdorur një qasje të tillë për të projektuar një lloj imazhi populist dhe nacionalist te popujt e tyre për interesat e tyre politike dhe rrjedhimisht e kanë transformuar dialogun në një mjet politik.


0
199

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet joproporcionalisht i rëndësishëm në agjendën e qeverisë së Kosovës. Në fakt, shikuar nga komunikimi politik i liderëve të shteteve ndër vite mund të vijmë në përfundimin që ky proces është esencial si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Megjithatë, shikuar jashtë një retorike relativisht të tepruar për punën në proces, praktikisht është bërë pak dhe, në fakt, procesi është karakterizuar me një mungesë të qartë vullneti nga ana e palëve për të bërë progres. Agjenda e paqartë, jostabiliteti i palëve në dialog dhe një prirje e fuqishme për të mos bërë kompromis bëjnë që një proces i tillë të shihet me pesimizëm.

Së pari, duhet gjithmonë të theksohet se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është dizajnuar që të jetë esencialisht një proces politik me synimin final që të arrihet një marrëveshje e përgjithshme që kulminon me njohje të ndërsjellë mes dy shteteve. Megjithatë, gjer më tani, ka ekzistuar një prirje e qartë që dialogu shpesh të shndërrohet në një proces teknik dhe që kështu të zhvendoset fokusi nga qëllimet bazë të procesit. Po ashtu, palët kanë dëshmuar një prirje për të sforcuar agjendën në mënyrë të atillë që në tavolinë të vendosen vetëm ato çështje që ata i kanë konsideruar si prioritare për interesat e tyre specifike. Për këtë ka reaguar së fundmi edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili është shprehur i pakënaqur duke deklaruar se “kur negocion, njëra palë dëshiron një gjë, pala tjetër dëshiron diçka tjetër, por atëherë duhet të flitet për këtë. Dekurajohem kur shoh njërën palë që dëshiron një gjë, por nuk dëshiron që në tavolinën e negociatave të jetë një gjë që dëshiron pala tjetër.” Ky faktor çorientues bën që dialogu të largohet nga qëllimet bazë dhe rrjedhimisht dëmton fundamentalisht shpresën për sukses.

Faktori tjetër i një rëndësie të veçantë ka qenë edhe mungesa e stabilitetit tek të dyja palët në një proces të tillë. Shteti i Kosovës vazhdimisht është karakterizuar me ndryshim të palëve drejtuese të procesit dhe, në proces e sipër, kërkesat në dialog kanë pësuar një lloj metamorfoze të vazhdueshme që deri më tani vetëm sa e ka bërë edhe më të vështirë prirjen që shteti i Serbisë të jetë pranues në ato që i janë kërkuar. Më tej, shteti i Serbisë jo vetëm që ka vepruar por vazhdon të veprojë në një mënyrë që faktori ndërkombëtar nuk e ka parë si konstruktive. Pikërisht nga ambasadori Hill është kritikuar edhe konfuzioni serb mbi rrugën politike që ky shtet aspiron të ndjekë. Shteti serb rrjedhimisht është këshilluar që të ketë një orientim të qartë perëndimor, dhe, me fjalët e ambasadorit Hill, “e ardhmja është Perëndimi e jo Lindja e padefinuar.”  Kështu, përderisa shtetet  nuk e ndërrojnë kursin e veprimeve të tyre, është vështirë të pretendohet për progres.

Elementi i fundit dhe ndoshta edhe më i rëndësishmi konform progresit të limituar në proces është mungesa evidente e shteteve për të bërë kompromise eventuale. Pra, deri më tani, as Kosova dhe as Serbia nuk kanë shprehur ndonjë vullnet të veçantë për të bërë ndonjë kompromis ndaj kërkesave të palës tjetër.  Në fakt, për të qenë të sinqertë, liderët e kanë përdorur një qasje të tillë për të projektuar një lloj imazhi populist dhe nacionalist te popujt e tyre për interesat e tyre politike dhe rrjedhimisht e kanë transformuar dialogun në një mjet politik. Duke operuar në një situatë të tillë, është e qartë që nuk ka progres në këtë proces dhe mbi të gjitha duket se suksesi politik i kandidatëve specifikë do të ketë gjithmonë prioritet mbi progresin në procesin e dialogut. 

Duhet patur parasysh që para se të bëhet progres në çdo proces politik, e rrjedhimisht edhe në procesin e dialogut, duhet të ekzistojë vullneti politik i palëve. Megjithatë, për momentin një vullneti i tillë nuk duket që ekziston tek Kosova dhe Serbia dhe, në kushte të tilla, ka vërtetë pak hapësirë për optimizëm.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.