Në veri nuk ka kushte për vazhdimin e punimeve rreth urës, thotë policia

Vendimi i kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakić për ndërprerjen e punimeve në Sheshin “Mbreti Petar” vazhdon të jetë në fuqi. Për shkak të disa incidenteve afër urës, Policia e Kosovës në veri ka vlerësuar se për momentin nuk ekzistojnë kushtet për vazhdimin e punimeve

0
882

Viti 2017 u përmbyll pa u hapur ura kryesore mbi lumin Ibër për shkak të ndërprerjes së punimeve në afërsi të vendit ku lidhen pjesa veriore dhe ajo jugore e Mitrovicës, përkatësisht në sheshin “Mbreti Petar”. Derisa institucionet qendrore kanë thënë se varet nga organet komunale të Mitrovicës së Veriut kur do të rinisin punimet, Policia e Kosovës ka vlerësuar se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet e sigurisë që të zhvillohen ato.

Si pretekst për ndërprerjen e punimeve në prill të 2017-ës nga ana e kryetarit Goran Rakić u përdorën disa incidente të ndodhura afër shtatores së “Car Llazarit”. Rakić është rizgjedhur ne krye të komunës së Mitrovicës, e cila as tani nuk ka ndonjë datë të re se kur mund të rinisin punimet në shesh.

Derisa shumica e punëve në pjesën jugore kanë përfunduar, një grumbull me kubëza të cilat do duhej të ishin shtruar gjatë verës përgjatë sheshit “Mbreti Petar”, kanë mbetur të paketuara dhe vazhdojnë të qëndrojnë afër urës kryesore të Mitrovicës. Pengesa vazhdon të ruhet nga një patrullë e policisë. “New Perspektiva” ka pyetur në Policinë e Kosovës nëse ekzistojnë kushtet e sigurisë për rinisjen e punimeve.

“Në të kaluarën, ka pasur incidente sporadike që shkaktuan një vëmendje më të madhe të publikut dhe rritje të tensioneve. Meqenëse veprat u kryen në një vend që është i ndjeshëm për një periudhë kohore, ne mendojmë se për momentin nuk plotësohen të gjitha kushtet për vazhdimin e punimeve”, ka thënë Policia e Kosovës – rajoni në veri. “Vlerësimi është bërë pas intervistave me qytetarët, me faktorë relevantë dhe përfaqësuesë të institucioneve në veri të Mitrovicës. Gjithashtu, janë përdorur burime të veçanta informacioni”, ka shtuar ajo.

Katrëmbëdhjetë incidente përreth urës

Sipas Policisë së Kosovës, që nga prilli i vitit 2017 deri në dhjetor janë hapur 14 raste të incidenteve përreth urës. Incidenti i fundit i regjistruar është më 29 shtator 2017. Policia ka konfirmuar se vetëm 3 prej tyre zgjidhur.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) është pjesë e marrëveshjes trepalëshe ku janë të përfshirë Bashkimi Evropian dhe komuna e Mitrovicës Veriore rreth realizimit të projektit të BE-së deri në kufi të Sheshit “Mbreti Petar”. Në MMPH kanë thënë se ata vetëm i monitorojnë punimet në ndërtimin e zhardinjerës (pjesa dekorative – shpjegim i NP).

“Projekti i Sheshit në pjesën veriore të Mitrovicës, është kompetencë e qeverisë lokale – Komuna e Mitrovicës së Veriut, prandaj lidhur me këtë pyetje drejtohuni organeve kompetente të komunës së veriut. Ndërprerja e punimeve në ndërtimin e sheshit dhe të zhardinjerës siç u theksua në fillim, nuk është kompetencë e nivelit qendror. MMPH nuk është nënshkruese e projektit të sheshit për të cilën flisni, por është pjesë e marrëveshjes trepalëshe ku janë të përfshira BE, dhe komuna e pjesës veriore të Mitrovicës rreth realizimit të projektit të BE-së deri në kufi të Sheshit “Mbreti Petar” ku MMPH monitoron punimet vetëm në ndërtimin e zhardinjierës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. 

Për çështjen e urës ishte paralajmëruar se do të diskutohet edhe në takimin e fundit në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe. Por rinisja e negociatave pas më shumë se një viti u ndërpre pas vrasjes së politikanit të njohur nga veriu, Oliver Ivanović.

BE: Përfundimi i punimeve, lehtëson lëvizjen e lirë

Ndërkaq zyra e Bashkimit Evropian ka vlerësuar se përfundimi i punimeve do të ndikonte në lehtësimin e komunikimit mes qytetarëve.

“Përmes marrëveshjes për urën e Mitrovicës, palët kanë rënë dakord që BE-ja ta rivitalizojë urën e Mitrovicës dhe rrethinën e saj. Punimet filluan në gusht të vitit 2016. Komuna e Mitrovicës Veriore gjithashtu do të rivitalizojë hapësirën përgjatë sheshit Mbreti Petar, në një rrugë për këmbësorë. Në këtë drejtim, ka pasur përparim”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-s në Prishtinë. “Rivitalizimi i urës si dhe sheshit Mbreti Petar do të kontribuojnë në lehtësimin e komunikimit ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës Veriore dhe Mitrovicës Jugore. Punimet pritet të përfundojnë para fundit të vitit 2017”, thoshte zyra e BE-s.

Por hulumtime që masin disponimin e qytetarëve në veri thonë se ata nuk janë të gatshëm për hapjen e urës. Sipas anketës të fundit të realizuar nga Organizata joqeveritare “Aktiv” me seli në veri, serbët vazhdojnë të jenë kundër hapjes së urës së Ibrit. Rreth 77 për qind e banorëve të veriut janë deklaruar se hapja e kësaj ure do të ndikonte negativisht në situatën e sigurisë, 20 për qind thonë se ajo nuk do të kishte ndikim dhe vetëm 2.4 për qind mendojnë se kjo do të ndikonte pozitivisht.

Shkelja e afateve

Deri më tani janë shkelur disa herë afatet për hapjen e urës. Ndërkaq në janar të vitit të kaluar për shkak të vendosjes së një muri prej betoni rreth dy metra të lartë, u prodhuan edhe tensione. Largimi i pengesës u bë pas dy muajsh dhe vetëm pas nënshkrimit të një marrëveshjeje shumë palëshe mes qeverisë, komunës së Mitrovicës Veriore, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas marrëveshjes, përgjatë hapësirës ku ka qenë muri ilegal, do të ndërtohet një bazament i ri konstruktiv nga betoni me një lartësi prej 70 centimetra dhe gjerësi 120 centimetra. Plani i dakorduar nga të gjitha palët, parasheh një strukturë tjetër betoni të cilës do t’i shtohen vetëm disa shtylla lëvizëse. Ato do të ulen në tokë vetëm për raste emergjente. Mbi pjesën e murit, sipas planit, do të vendosen disa pemë. E gjithë zona prej ku nis Mitrovica Veriore do të jetë park dhe hapësirë e dedikuar vetëm për lëvizjen e këmbësorëve. Sipas projektit të prezantuar, do të bëhet rehabilitimi i niveleve të sipërme dhe të poshtme të urës së Mitrovicës, do të ketë qasje rrugore nëpërmjet ndërtimit të dy rrethrrotullimeve të reja, si dhe qasje për këmbësorë përreth urës. Punimet, po ashtu do të përfshijnë ndërtimin e urës, rrugën e asfaltuar, trotuare për këmbësorë, rrugë të re të çiklizmit, strukturë çeliku, ndriçim të rrugëve, gjelbërim si dhe pajisje urbane. Projekti parasheh edhe një kënd basketbolli nga ana veriore e lumit dhe një shesh lojërash për fëmijë  tek krahu jugor i lumit.