Ndonëse suksesi i Listës Srpska në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë është përceptuar si shqetësues për Kosovën me supozimin se kjo fitore nënkupton një lloj ndërhyrjeje në sovranitetin e popullit kosovar, ne mund të argumentojmë se ky pohim nuk është detyrimisht i saktë dhe se kjo mund të shihet nga një këndvështrim tjetër. Përmes këtij shkrimi do të argumentohet që fitorja e 10 komunave nga komuniteti serb mund të krahasohet me situatën e komunave tjera me shumicë shqiptare, që ky rezultat mund të reflektojë pozitivisht lidhur me demokracinë në Kosovë dhe mbi të gjitha që është hap pozitiv lidhur me normalizimin e paevitueshëm të marrëdhënieve mes shtetit të Serbisë dhe atij të Kosovës.
Së pari, konform parimit themelor të demokracisë përmes të cilit vlerësohet zëri i shumicës është tejet normale që në komunat me shumicë serbe të fitojnë kandidatë që i përkasin popullsisë shumicë – pra kandidatët e Listës Srpska. Duke qenë të vetëdijshëm për një lloj vetëdije kombëtare që çdo popull ka të drejtë ta gëzojë, edhe serbët kanë vepruar në mënyrë racionale (dhe ndoshta të natyrshme) duke ruajtur prezencën dhe ndikimin në ato pjesë ku dominon komuniteti i tyre. Duke bërë një paralelizëm me komunat me shumicë shqiptare (në të cilat në mënyrë të natyrshme fitojnë kandidatë nga shumica shqiptare), nuk është e drejtë dhe e arsyeshme të pritet që diçka tjetër të ndodhë në rastin e komunave me shumicë serbe. Të gjitha këto komuna janë fituar pa balotazh e me përqindje të fitores deri në 87% siç është rasti i Graçanicës dhe në këto rrethana mund të flitet për një proces zgjedhor të natyrshëm dhe legjitim për të cilin s’është e nevojshme të diskutohet shumë.
Po ashtu, pavarësisht se është argumentuar nga analistë të ndryshëm që fitorja e komunave nga serbët rrezikon sovranitetin e shtetit të Kosovës, kjo mund të konsiderohet ekzagjerim. Siç u theksua më lartë, fitorja nga serbët në komunat me shumicë serbe mund të konsiderohet si diçka e natyrshme në shumë aspekte. Në këtë kontekst, komuniteti serb në mënyrë racionale ka përkrahur strukturat të cilat i sheh si të nevojshme për konsolidimin e pozitës së serbëve në Kosovë. Një shtrirje e tillë e ndikimit nga shteti serb duhet të merret pothuajse si e mirëqenë sepse shprehë dëshirën legjitime për unitet të komunitetit serb në Kosovë në komunat ku ky komunitet është shumicë.
Për më tepër, duke konsideruar që zgjedhjet e fundit janë parë si fer dhe korrekte, fitorja e Listës Srpska në këto komuna duhet të shihet si pozitive në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve kur marrim parasysh që shteti i Kosovës njeh vullnetin e popullit serb në Kosovë. Duke u ndërlidhur me fitoren e serbëve në këto komuna në funksion të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ky rezultat i zgjedhjeve mund dhe duhet të reflektojë pozitivisht edhe në komunitetin ndërkombëtar. Siç edhe dihet, raporti Kosovë-Serbi ka qenë dhe mbetet në fokus të komunitetit ndërkombëtar dhe fakti që Kosova e ka pranuar mirë një nivel të tillë të autonomisë për komunitetin serb nënkupton një lloj pjekurie demokratike të shtetit kosovar. Për më tepër, duke konsideruar që normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve është një kërkesë e paevitueshme, çdo përpjekje për progres nga dy shtetet pritet të ketë vetëm efekte pozitive.
Fitorja e Listës Srpska në 10 komunat në Kosovë është parë me skepticizëm nga pala kosovare, por, megjithatë, kjo meriton të vlerësohet edhe nga një këndvështrim tjetër, më pozitiv. Ky shkrim argumentoi që fitorja e serbëve në këto komuna me shumicë serbe ka qenë diçka e natyrshme dhe legjitime. Për më tepër, këto rrethana do të duhej të vërehen si pozitive edhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi e mbi të gjitha për imazhin e shtetit të Kosovës në raport me komunitetin ndërkombëtar. Të gjitha këto rrjedhime të këtyre rezultateve duhet gjithmonë të përceptohen si mundësi për progres në përmirësimin e raportit Kosovë-Serbi, gjë që është shumë e nevojshme për të dyja shtetet.