Një vit më vonë

A do të binin përsëri në grackën e tregimit për trenin ata njerëz të njëjtë, të zakonshëm, qoftë shqiptarë apo serbë, që jetojnë në Kosovë, tani, një vit pas tërë atyre gjërave? A do të binim përsëri në grackën e tregimit për gjendjen e luftës lidhur me murin? Unë nuk kam përgjigje në këtë pyetje, por disi po shpresoj që bile diçka ka ndryshuar brenda një viti, që kemi mësuar të jemi më të mençur. Që kemi mësuar të mos biem në tregimet e politikanëve të cilët vetëm i blejnë vetes poena dhe vota, që kemi mësuar se paqen për të cilën kemi nevojë duhet ta ndërtojmë ekskluzivisht vetë, sepse duke marrë parasysh trenin, ai dhe rastet e ngjashme me të janë vetëm përpjekje që ajo paqe të prishet.

0
1027

Mëngjes, 14 janar. Mbrëmë, saktësisht në mesnatë, besimtarët ortodoks pritën vitin e ri sipas kalendarit Julian. Pikërisht në këtë ditë, para një viti, saktësisht, Serbia nisi trenin i cili duhej të bashkonte Beogradin dhe Mitrovicën. Saktësisht para një viti, për pak sa nuk hymë edhe në një konflikt, për shkak të – as më pak as më shumë – një treni të dërguar, as më pak as më shumë, nga politikanët serbë.   

Për fat të mirë, treni i cili për pak nuk shkaktoi gjendje të jashtëzakonshme, u ndalua me kohë, me pak dramë mediale dhe deklarata politike. Sot, një vit pas kësaj ngjarjeje e cila na shkundi deri në pikën kur menduam se do të vijë deri tek konflikte të reja, mezi edhe e kujtojmë atë ditë. Mendova se nuk ka asgjë që do të mund të thuhej për të, por për fat të mirë, ende ka gazetarë të mirë që na rikujtojnë pikërisht kur duhet gjëra të cilat nganjëherë ngapak po i harrojmë. Sikur këtë tren, i cili ka qenë gjithçka vetëm jo një tren „normal“. Përplot freska dhe mbishkrime „Kosova është Serbi“ ai u dërgua që të udhëtojë „normalisht“ midis Mitrovicës e Beogradit. Vështirë që edhe unë do të guxoja të shkruaja çkado për atë tren po të mos ishin, siç e thashë, gazetarët që të na e rikujtojnë këtë. KoSSev-i, për fatin tonë të mirë, bëri një reportazh të mirë me titullin „Treni i cili nuk arriti kurrë“. Sot, ai eksperiment i politikës serbe, përshkon relacionin Kralevë -Jagodinë, e derisa mbishkrimet „Kosova është Serbi“ ende mbijetojnë, siç thotë reporteri i KoSSev-it, freskat brenda trenit tashmë janë të gatshme për restaurim.

Përveç asaj që na tregoi mirë se në çfarë gjendje është treni për shkak të të cilit për pak sa nuk e filluam prapë luftën, ky reportazh është një nxitje e mirë për të bërë pyetjen çfarë ka ndodhur gjatë vitit të kaluar në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.

Serbia ka presidentin e ri. Ai i cili na bënte thirrje për luftë për Kosovën u zhduk nga skena politike sikur mos të kishte ekzistuar kurrë, kurse vendin e presidentit e zuri njeriu i cili gjithsesi kishte fjalën kryesore për çfarëdo teme, me ose pa post presidenti, Aleksandar Vučić. Që kjo të mos jetë e tëra, ndodhi edhe një ndryshim. Miša Vacić, i cili zbriti nga treni famoz në Rashkë, në vend se nëpunës në Qeverinë e Serbisë, u bë njëri nga udhëheqësit e „të djathtës serbe“. Ja, gjërat megjithatë po ndryshojnë. Por, megjithëkëtë një gjë mbeti e njëjtë. Njeriu i cili e dërgoi atë tren që kryeministri i atëhershëm Vučić të kishte një arsye për të punuar në ruajtjen e paqes, Marko Đurić, mbeti në pozitën e tij – drejtor i Zyrës për Kosovë dhe Metohi.

Nga ana tjetër, Kosova ka kryeministrin e ri. As më pak e as më shumë por Ramush Haradinajn, i cili në zgjedhjet për parlamentin e Kosovës ia arriti të krijoi të ashtuquajturin „koalicion të luftës“ dhe me ndihmën e, kujt tjetër pos, Listës Serbe, të formojë Qeverinë e re. 

Përveç asaj që për pak sa nuk filluam luftën rreth trenit, e mandej edhe për shkak të murit në Mitrovicë, pyetja është se ku ndodhen marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës në raport me vitin e kaluar? Treni nuk shkoi, Lista Serbe e mbështeti Qeverinë, muri nuk u ndërtua, gjyqtarët serbë u integruan në sistemin gjyqësor të Kosovës… Pra ka disa ndryshime, apo jo? Por pyetja ime më shumë ka të bëjë me atë se çfarë ndryshime kanë ndodhur tek njerëzit, a do të binin përsëri në grackën e tregimit për trenin ata njerëz të njëjtë, të zakonshëm, qoftë shqiptarë apo serbë, që jetojnë në Kosovë, tani, një vit pas tërë atyre gjërave? A do të binim përsëri në grackën e tregimit për gjendjen e luftës lidhur me murin?

Unë nuk kam përgjigje në këtë pyetje, por disi po shpresoj që bile diçka ka ndryshuar brenda një viti, që kemi mësuar të jemi më të mençur. Që kemi mësuar të mos biem në tregimet e politikanëve të cilët vetëm i blejnë vetes poena dhe vota, që kemi mësuar se paqen për të cilën kemi nevojë duhet ta ndërtojmë ekskluzivisht vetë, sepse duke marrë parasysh trenin, ai dhe rastet e ngjashme me të janë vetëm përpjekje që ajo paqe të prishet. Sepse po ai tren, pas tërë asaj rëndësie që i patën dhënë, tani diku nëpër Serbinë qendrore bart njerëz në baza ditore, kurse serbëve të Kosovës në periudhën kur u dërgua u solli vetëm ditë ankthi dhe frike, dhe asgjë më shumë se aq. Pas një viti shpresoj që e kemi kuptuar se politikanët na shfrytëzojnë sipas nevojës, e nëse i lejojmë, do të na përdorin edhe më tej për qëllime politike. Sipas nevojës, do të na dergojnë edhe ca trena të rinj.