Normalizimi mes Kosovës e Serbisë dhe paparashikueshmëria në rritje e perspektivës evropiane

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë është i vështirë në kontekstin e paparashikueshmërisë në rritje të perspektivës evropiane për rajonin.

0
267

(Ky artikull është shkruar nergut për botim në New Perspektiva)

Kundruall sfondit të agresionit rus mbi Ukrainën, pati shpresë se Kosova dhe Serbia do të shfrytëzonin mundësinë për të përmbyllur dialogun dhjetëvjeçar për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre me një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse e ligjërisht obliguese, siç kërkon Bashkimi Evropian (BE). Udhëheqësit e shoqërisë civile në Kosovë argumentojnë se zhvillimet në Ukrainë bënë që një marëveshje mes Kosovës e Serbisë të jetë çështje urgjente, por duket se kështu nuk mendojnë edhe aktorët kyçë në vendet përkatëse. Kosova dhe Serbia, përmes (mos)veprimeve të tyre, lënë të kuptojnë se potencialisht janë në rregull me status quo, teksa një zero-sum game [ku njëra palë fiton e tjetra gjithsesi humb; shënim NP] po i mbizotëron qasjet në dialog. Status quo-ja është shkatërrimtare për të dyja vendet, por veçanërisht për Kosovën, siç nënvizohet në një publikim të fundit nga dy OJQ kosovare. Megjithëkëtë, nuk duhet vetëm lufta në Ukrainë të shërbejë si thirrje për këndellje që Kosova e Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre, por edhe paparashikueshmëria në rritje e procesit të anëtarësimit në BE duhet t’i shtyjë vendet e Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar bashkëpunimin rajonal dhe implementimin e nismave kryesore, siç është Tregu i Përbashkët Rajonal (TPR), tanimë i miratuar nga të gjashtë qeveritë në Sofje më 2020.

Por, gjer më tani, asnjëri zhvillim – këtë mund ta them – nuk po çon në ndryshime kuptimplota në qasjet ose sjelljen e Kosovës e Serbisë karshi dialogut për normalizim. Sidoqoftë, duket se as në BE nuk ka ndryshime serioze nga qasjet aktuale ndaj dialogut për normalizim. Duket se për momentin formula e pranuar është menaxhimi i procesit për të parandaluar ndonjë përshkallëzim e jo për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Situata në BE pjesërisht ushqehet nga mungesa e presionit që rrjedhë nga mungesa e rezultateve në dialog apo kur palët sillen në mënyrë konstruktive. Pjesa tjetër ka të bëjë me rënien e madhe të imazhit dhe namit të BE-së në rajon, apo perceptimin si aktor i aftë e i besueshëm.

Zgjidhja e krizës së kredibilitetit të BE-së në Ballkanin Perëndimor është pjesë e rëndësshme e nxitjes së dialogut për normalizm ndërmjet Kosovës e Serbisë, dhe kjo nënkupton – të paktën pjesërisht – që BE-ja duhet të ndalë rrjedhjen e ideve që çojnë te dyshime në Ballkanin Perëndimor për perspektivën e tyre evropiane. Ideja e presidentit francez Emmauel Macron për themelimin e një “Komunitetit politik evropian,” “një nivel i dytë i vendeve jashtë bllokut që ndajnë vlerat dhe gjeografinë e bllokut,” ka shtuar frikën në Ballkanin Perëndimor se BE ngadalë por sigurt po largohet nga zotimi për anëtarësim që i është bërë rajonit. Perceptime të tilla pa dyshim janë faktorë që kontribuojnë në atë se si liderët në Kosovë e Serbi i qasen dialogut të normalizmit të lehtësuar nga BE-ja. Samiti i Selanikut më 2003 thekson qartazi se synimi i procesit të integrimit evropian për rajonin është ‘anëtarësimi final në Bashkimin Evropian’, megjithatë, që atëherë, vetëm Kroacia ka arritur të anëtarësohet më 2013, ndërsa perspektiva për të tjerët vetëm sa është zbehur. Në tetor të vitit 2019, në samitin e BE-së, Franca pati bllokuar hapjen formale të negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë, edhe kur kjo e fundit ishte dakorduar të ndryshonte emrin si pjesë e Marrëveshjes historike të Prespës të arritur me Greqinë më 2018. Non-paper-i francez në atë kohë propozonte disa ndryshime në procesin e anëtarësimit, çka në thelb synonte ngadalësimin e anëtarësimit. “Jo”-ja e Francës ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë ishte quajtur “gabim historik” dhe konsiderohej se minonte progresin që ishte arritur në rajon në emër të anëtarësimit në BE.

Qasja në dukje normative e presidentit Macron ndaj reformimit të procesit të anëtarësimit është propozim vështirë i pranueshëm në rajon, duke e ditur se dy kompani franceze bashkë me një firmë kineze janë duke punuar së bashku për të ndërtuar një metro në kryeqendrën serbe, Beograd, teksa vetë presidenti Macron u takua vitin e kaluar me princin e kurorës saudite Mohammed bin Salman, për të cilin Perëndimi thotë se kishte miratuar vrasjen e gazetarit saudit në ekzil, Jamal Khashoggi. Me fjalë të tjera, nuk ka shumë njerëz në rajon që duket se besojnë që ajo çfarë Franca po tenton të bëjë me procesin e anëtarësimit njëmend synon t’i bëjë procedurat më meritore – ato më shumë duken sikur taktika për të menaxhuar politikën e brendshme, përfshirë ndikimin në rritje të populizmit të djathtë ekstrem në skenën politike franceze.

Duke e shikuar këtë situatë nga rajoni, perceptimi është se Franca nuk duket që e kupton mjaft sesi veprimet e tyre për të “reformuar” procesin e integrimit evropian kanë ndikim në çështje të tjera në Ballkanin Perëndimor, si dhe në reputacionin dhe besueshmërinë e institucioneve të BE-së, posaçërisht të Komisionit Europian. Prandaj, teksa BE-ja perceptohet se po shikon më shumë së brendshmi, ka tejet pak të ngjarë që të ketë ndonjë përçapje të koordinuar domethënëse nga ana e BE-së për të shtyrë një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë së shpejti. Është e qartë se kjo i shkon për shtati më së shumti presidentit Vučić, i cili pa dyshim nuk dëshiron një marrëveshje me Kosovën, duke marrë parasysh presionin me të cilin po përballet për të miratuar sanksione kundër Rusisë. Për presidentin Vučić, sa më shumë të vazhdojë dialogu për normalizim, aq më mirë. Planet e Serbisë për të blerë avionë luftarakë Rafale nga Franca, ka shumë të ngjarë se do të vijnë me një vlerë të shtuar për më shumë mirëkuptim për Serbinë në çështjet që kanë të bëjnë me BE-në, në dëm të  dialogut për normalizim.

Kosova duhet të lexojë me shumë kujdes kontekstin politik në BE duke iu qasur dialogut për normalizim të marrëdhënieve si aktor racional, çka nënkupton ndërmarrjen e hapave konkretë për të realizuar zotimet për të cilat vendi është pajtuar në këtë proces. Me rëndësi të veçantë për rastin e Kosovës është që të bëhet avokuese më e fuqishme e bashkëpunimit rajonal. Teksa perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është dërrmuar, duhet të shohim një vlerësim më të madh për bashkëpunimin rajonal dhe gatishmërinë për kompromis për të akomoduar zbatimin e katër lirive të BE-së në rajon: lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve. Në këtë kontekst, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të përqendrojnë bashkërisht përpjekjet për të nxitur (dhe kjo mund të nënkuptojë edhe më shumë qartësi rreth pasojave për dështimet) zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, për të cilin tanimë janë pajtuar të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes më 2020.

(Autori ka PhD në Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Dublin City University (DCU), Irlandë, dhe është Udhëheqës i Hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë)