Gojën e kemi plot normalizim. Plot e përplot. Të gjithë flasin për normalizimin! Dhe a e ka shikuar dikush me kujdes mënyrën në të cilën po ndodh ky proces?
Procesi i normalizimit për të cilin po flitet kaq shumë; procesi ndërmjet Serbisë dhe krahinës së saj (të shkëputur me akt të njëanshëm) që nga fillimi është nisur në çfarëdo mënyre vetëm se jo normale. Unë këtë proces më parë do ta quaja jonormalizim! Nëse është disi e mundshme që çkado këtu të jetë edhe më jonormale. Por ky proces çdo ditë po më bind se një gjë e tillë është e mundur.
A thua çka është normale në procesin e normalizimit i cili filloi me presione, duke i kushtëzuar të dyja palët që ta fillojnë atë. Të gjithëve na kujtohet se si dy palët u detyruan që të ulen në të njëjtën tavolinë dhe të “normalizojnë” marrëdhëniet. Erdhi dikush, e kapi për veshi edhe njërin edhe tjetrin dhe u tha: “Hajde tani, normalizohuni”! Dhe atë dikush që është gjithçka tjetër vetëm jo i pafajshëm apo naiv në tërë këtë problem i cili po zgjat këto 20 vitet e fundit. Dorën në zemër, ky problem ka ekzistuar edhe më heret, por gjatë njëzet viteve të fundit ka qenë nën ndikim të madh të “normalizuesve” të sotëm. A thua sa është një proces i tillë me të vërtetë i qëndrueshëm? Logjika ime (jo domosdoshmërisht e saktë) është që ky proces duhet të fillojë nga poshtë lartë, nga fundi i piramidës kah kulmi. Duhet të rrjedhë me një rrugë të natyrshme. Duhet mbase së pari fqinjët që jetojnë pranë njëri-tjetrit të kenë një marrëdhënie normale midis veti, të ndihmojnë njëri-tjetrin, e pastaj të kujdesen së bashku për qytetin e tyre (para së gjithash ta konsiderojnë qytet të përbashkët), pastaj më vonë do të jenë në gjendje edhe të kujdesen për shtetin e vet (apo çfarëdo që e konsiderojnë këtë territor). Kur gjendja është e tillë, as politikanët nuk do ta kishin pasur asnjë problem që në mënyrë normale të bashkëpunojnë në dobi të të gjithëve. Ky është sipas mendimit tim procesi i natyrshëm i normalizimit. I gjatë. I mundimshëm. i pasigurtë. Përplot pengesa. Por i vetmi proces i natyrshëm dhe i qëndrueshëm.
E çka kemi ne? E kemi procesin të kthyer për së prapthi. Proces ku liderët u dërguan në një dhomë dhe iu tha që duhet të merren vesh për këtë, këtë dhe këtë. Dhe kështu disa herë. Çfarë mjetesh janë përdorur për një gjë të tillë? Paj ato mjete të lashta, të njohura që nga kohërat e largëta: shkopi dhe karrota! Karrota në të cilën jemi ‘peshkuar’ të gjithë ne nga këto hapësira. Por këtu ekziston edhe një lëshim i vogël. Ajo karrota me kohë ka filluar të kalbet nga brenda. Ndoshta bile pak më e kalbur e me këtë edhe nuk është edhe gjithaq e ëmbël si dikur. Çka kemi si rezultat të këtij procesi? Kemi mjaft marrëveshje, një mal me letra dhe kryetituj gazetash, disa fitore me nga 5 : 0, disa “njohje” historike të Kosovës nga ana e Serbisë, e në thelb – ASGJË. E kemi marrëveshjen për vendkalimet (kufitare/administrative, si të dëshironi) e cila pjesërisht po zbatohet dhe e cila prodhon ndonjë tension të ri çdo 2-3 muaj. E kemi marrëveshjen për Bashkësinë e komunave serbe, e cila u prezantua tek serbët si arritja më e madhe në negociata. Apo ndoshta nuk e kemi? Aha, po, megjithatë nuk e kemi. Arritja më e madhe e negociatave ndërkombëtare, marrëveshja e nënshkruar dhe e ratifikuar megjithkëtë disi përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, instancën më të lartë politike të shteteve të vogla të këtushme, të njërës nga palët në ato negociata ndërkombëtare. Çfarë dobie kanë njerëzit nga kjo marrëveshje? Paj serbët patën disa të shtëna në pronat e tyre në enklavat anëkënd Kosovës, një përkujtues i mirë i një shteti shumëetnik, tolerant e demokratik, kurse shqiptarët në anën tjetër patën bllokimin e plotë të Parlamentit, demonstrata konstante dhe trazira nëpër rrugë, arrestime të deputetëve dhe qytetarëve; pra edhe një përkujtues i mirë i një shteti shumëetnik, demokratik dhe tolerant.
Ndërkohë, në Bruksel, normalizuesit me të vërtetë janë përpjekur që të na tregojnë se sa e kalbur është karrota. Serbia praktikisht mbeti e bllokuar në procesin e euro-integrimeve, paradoksalisht, por me hapjen e kapitullit 35 në negociatat me BE-në. Si është e mundur të jesh i bllokuar në negociata e që ato formalisht vetëm sa kanë filluar? Paj në rastin e Serbisë kjo është e mundur. Serbia nuk do të përmbyll negociatat pa mbylljen e kapitullit 35, e ai formalisht përfundon me një dokument obligatues të nënshkruar midis dy palëve e praktikisht me njohjen e Kosovës nga Serbia si shtet të pavarur. Kush nga politikanët serbë do të kishte guxim apo marrëzi që ta bëjë këtë, unë me të vërtetë nuk mund të parashoh këtë.
E çka me karrotën për Kosovën? Liberalizimi i vizave? Mundet, por kur të plotësohen 8 kushte të Komisionit Evropian. Pra, edhe kjo karrotë është e kalbur. E tani e kemi situatën që një njeri i mbështetur me të madhe në veprimet e tij nga ana e normalizuesve fton në protesta kundër po atyre. E kemi situatën që opozita tashmë katër muaj po proteston kundër tij, për shkak të pritjeve të mëdha të paplotësuara lidhur me anëtarësimin në UNESCO dhe liberalizim të vizave (e di, e di, nuk po protestojnë ata për këtë, por le ta themi këtë në një mënyrë më të mirë).
Sido që të jetë, tri palë, asnjëra e kënaqur, për askend nuk u bë më mirë, për më tepër, për të gjithë është më keq, pritjet e paplotësuara, entuziazmi është zhdukur. Çka do të lind nga kjo? Kaos? Nuk di…por kam frikë.