NP Interview: Dušan Gajić, korrespondent, Bruksel

0
183

Në kuadër të një cikli bisedash, New Perspektiva ka zgjedhur të bisedojë këtë herë me dy korrespondentë që raportojnë nga Brukseli: me Dušan Gajić-in, korrespondent i RadioTelevizionit të Serbisë, dhe me Augustin Palokajn, korrespondent i KOHA-s së Prishtinës, dhe Jutarnji Listit, të Zagrebit. Tema që kemi zgjedhur për bisedë është aplikimi kohë më parë i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Fillimisht, Gajić i përgjigjet pyetjes pse Kosova nuk mundet apo nuk duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, natyrisht sipas këndvështrimit të Beogradit:

Gajić: Në reagimet e Beogradit ndaj njoftimit dhe vendimit të qeverisë së Prishtinës për të kërkuar anëtarësim në Këshillin e Evropës, ceket kjo në fakt paraqet një tjetër shkelje të integritetit territorial të Serbisë. Ajo që përmendet në Beograd si argument kundër një veprimi të tillë është se ai në një farë mënyre cenon frymën e dialogut që zhvillohet nën kujdesin e Bashkimit Evropian, se ai përfaqëson një lloj lëvizjeje të njëanshme dhe se në këtë mënyrë vihet në pikëpyetje vazhdimi i dialogut dhe se në njëfarë mënyre cenohet edhe stabiliteti. Prandaj, në Beograd shihet si një nga përpjekjet që, pavarësisht se çfarë po ndodh në kuadër të këtij dialogu, të forcohet pozicioni ndërkombëtar dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës, duke kujtuar se përpjekje të ngjashme kanë pasur edhe anëtarësimet e mëparshme në organizata të tjera ndërkombëtare. dhe promovimi i njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të statusit të Kosovës ishte tashmë burim tensionesh dhe problemesh të caktuara, jo aq të vogla, në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. 

NP: Çfarë do të përfitonte Kosova nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës, që e bën Serbinë kaq kundër saj?

Gajić: Unë besoj se, nëse nuk gabohem, kjo do të ishte ndoshta lëvizja më domethënëse në skenën ndërkombëtare, anëtarësimi më domethënës në një organizatë ndërkombëtare. Këshilli i Evropës bashkon një numër të madh të vendeve anëtare evropiane dhe jo anëtare, dhe në një farë mënyre shihet si një hap i parë fillestar në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Pra, Këshilli i Evropës aktualisht mbledh 45 vende, në mos gaboj, pas daljes së Rusisë. Edhe pse është e vështirë të imagjinohet se Kosova në situatën aktuale mund të përparojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ky duket si një hap i imagjinueshëm dhe diçka që Kosova mund ta arrijë. Pra, sa i përket pranimit të pavarësisë së Kosovës, do të ishte një hap i rëndësishëm. Kosova tashmë është pjesë e disa organizatave që janë në kuadër të Këshillit të Evropës, siç është Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, pjesë e disa organizatave të tjera ndërkombëtare, por ky do të ishte një hap i madh. Dhe, nga ky këndvështrim duhet parë kundërshtimin e Beogradit. Dhe, mbi këtë bazë ishin edhe bisedimet që janë zhvilluar më herët, dhe moratoriumi në fakt, nga njëra anë për fushatën e njohjeve të udhëhequra nga Beogradi, dhe nga ana tjetër, për paraqitjen e kërkesave për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Është pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit, të cilën Beogradi po ashtu pretendon se Prishtina po e shkel duke kërkuar anëtarësim në Këshillin e Evropës, edhe pse me dispozitat e marrëveshjes kjo nuk qëndron sepse në fakt është një moratorium i pothuajse një viti më parë, ndërsa është e diskutueshme nëse mund të flitet për frymën e asaj marrëveshjeje. Por, fakt është se burimi i tensioneve në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës ishin në fakt përplasjes në skenën ndërkombëtare për anëtarësimin në Interpol dikur, që çoi në bllokadë në Beograd, në retorikë të shtuar dhe në probleme të ndryshme.  Pra mund të kuptohet, nga njëra anë, dëshira e Prishtinës për të avancuar drejt njohjes më të gjerë ndërkombëtare, por nga ana tjetër, ka nevojë që në një farë mënyre të koordinohet dhe të mos shihet si një veprim i njëanshëm, sepse lëvizjet e njëanshme çojnë në lëvizje të reja të njëanshme dhe përshkallëzim. 

NP: Por, a nuk do të përfitonin edhe serbët e Kosovës nga kjo, pasi Serbia pretendon se të drejtat e tyre duhet të mbrohen?

Gajić: Ky ishte edhe një nga argumentet se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të përmirësonte gjendjen e sundimit të ligjit, pra të drejtat e pakicave dhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë. Por kjo, nga këndvështrimi i Beogradit, nuk është një argument që has në ndonjë mirëkuptim të veçantë, domethënë nuk duket se ka ndonjë logjikë thelbësore në të, sepse nga njëra anë tashmë ekziston anëtarësimi i Serbisë në Këshillin e Evropës. dhe, nëse synohet që kompetencat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, të përdoren si një lloj faktori korrigjues, si ndonjë adresë të cilës iu drejtohen qytetarët në rast se nuk respektohen të drejtat e tyre, si një instancë e fundit, ata mund ta bëjnë këtë tashmë. Pra, në këtë kuptim, vështirë se mund të shihet si diçka që mund të përmirësojë gjendjen e serbëve në Kosovë. Nga ana tjetër, është diçka që është instancë e fundit. Por, është e mundur që Kosova, për shembull në procesin e pranimit dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duhet të tregojë se si funksionojnë të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë në realitet, prandaj kjo mund të ketë njëfarë ndikimi, ndoshta në vetë procesin e marrjes së anëtarësimit. 

NP: Sa të suksesshme mendoni se priten të jenë përpjekjet e Serbisë për të parandaluar që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës?

Gajić: Ne kemi parë se, në disa kontekste më të gjera, jashtë kontekstit të Evropës, përpjekjet e Serbisë ishin të suksesshme, nëse kjo mund të atribuohet vetëm si rezultat i përpjekjeve, le të themi, të diplomacisë serbe, kur bëhet fjalë për disa organizata të tjera si Interpoli, UNESCO, ku kërkesat e Kosovës ishin të pasuksesshme. Pastaj, nëse i shikojmë numrat dhe matematikisht, shohim se tani shumica e nevojshme prej dy të tretave në Këshillin e Evropës ekziston dhe se, në një farë mënyre, vrulli për këtë lëvizje të Prishtinës ishte edhe dalja e Rusisë nga Këshilli i Evropës, e cila realisht nuk e kishte të drejtën e vetos, por ishte një faktor ndikues. Tani, aq më tepër, shanset rriten edhe më shumë. Megjithatë, është një procedurë që kërkon kohë, dhe ka të ngjarë që ngjarjet në dialog dhe mënyra se si zhvillohet ai dialog do të ndikojnë në nivelin e mbështetjes nga disa vende me ndikim, si Gjermania dhe disa të tjera, e të cilat ne e dimë që në parim mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por, sigurisht që do të shikohet dinamika e procesit që po zhvillohet në Bruksel, nëse momenti i anëtarësimit të mundshëm është diçka që mund të rrezikojë disa procese të tjera apo jo. Pra, pavarësisht faktit që në letër ka një shans real, nuk jam i sigurt se do të shkojë aq mirë dhe shpejt. Në çdo rast, procedura mund të zgjasë disa muaj dhe ndoshta më shumë se një vit.

NP: Nga kontaktet tuaja në Bruksel dhe Strasburg, si mendoni se do të zhvillohet kjo në të ardhmen, ose le të themi në muajt e ardhshëm?

Gajić: Epo, siç thashë pak më parë, mund të thuhet se sipas logjikës së shifrave, tani ka shanse të mira që të ketë një përgjigje pozitive për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Mirëpo, besoj se do të ketë ende shumë angazhim diplomatik dhe se kjo është një fushë që do të ndikohet nga ngjarjet në procesin e negociatave që po zhvillohet nën ombrellën e Brukselit, Miroslav Llajqakut, dhe se dinamika e dialogut dhe shanset eventuale për të arritur apo për të mos arritur përparim, si dhe ndoshta pozicioni i Serbisë karshi disa çështjeve të tjera gjeopolitike, në lidhje me sanksionet, për shembull, ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, e gjithë kjo mund të luante një rol në këtë çështje, në kuptimin që, për shembull, mbështetja e vendeve me ndikim evropian të mund të rritet për iniciativën e Kosovës, si rezultat i presionit ndaj Serbisë ose si një lloj mesazhi për sjelljen e Serbisë në raport me luftën në Ukrainë dhe pozicionin e Rusisë. Dhe, siç thashë, është një procedurë që kërkon kohë dhe, pavarësisht nëse kërkohet një shumicë prej dy të tretash, do të ketë patjetër punë, mendoj, që Prishtina t’i bindë të gjitha vendet anëtare të Këshillit. të Evropës se është një faktor dhe për ta mbështetur anëtarësimin e saj. Pra, nuk mendoj se duhet të presim ndonjë rezultat të shpejtë, procedura mund të zgjasë dhe shpesh zgjat më shumë se një vit dhe besoj se do të jetë e ngjashme edhe në këtë situatë.