Paefektshmëria e ndërmjetësimit në dialog nga ana e Bashkimit Evropian

Bashkimi Evropian duhet të kuptojë më mirë nevojën e një roli më aktiv në procesin e dialogut që nënkupton një lloj ndërmjetësimi të fokusuar drejt nxitjes së palëve drejt arritjes së një marrëveshje.

0
380

Një element i rëndësishëm por shpesh i marrë si i mirëqenë në çështjen e dialogut është edhe vetë efektshmëria e ndërmjetësimit në procesin e dialogut nga ana e Bashkimit Evropian. Gjer më tani kemi patur një prirje për të menduar që progresi i dialogut është kushtëzuar nga veprimet e Kosovës dhe Serbisë, por është e rëndësishme që një pjesë të progresit të ngadaltë të dialogut t’ia atribuojmë edhe mungesës së efektshmërisë nga vetë ana e Bashkimit Evropian. Mungesa e konsistencës sa i përket kërkesave të parashtruara, një qasje relativisht joagresive dhe vështirësitë që prodhohen nga raporti me liderët e shteteve përkatëse kanë bërë që dialogu të vazhdojë të vonohet dhe përgjithësisht të jetë joproduktiv deri në këtë pikë. 

Një karakteristikë e dallueshme sa i përket procesit të dialogut është edhe një mungesë e përgjithshme e konsistencës jo vetëm sa i përket veprimeve të palëve, por edhe nga ana e agjendës së shtruar nga vetë Bashkimi Evropian mbi atë së çfarë në fakt është dashur të përmbushin shteti i Kosovës dhe ai i Serbisë. Me përjashtim të çështjes së njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë si tezë e këtyre bisedimeve dhe së fundmi të çështjes së Asosiacionit të komunave, mund të konkludojmë që dialogu nuk është shoqëruar me ndonjë agjendë të qartë dhe konsistente dhe që opinioni publik nuk është i mirëinformuar mbi atë se cilat janë pritjet konkrete për Kosovën dhe Serbinë. Në këtë drejtim, kjo lloj mungese e pritjeve të qarta dhe mbi të gjitha konsistente mbi atë se çfarë secili shtet duhet të përmbushë në drejtim të arritjes së një marrëveshje ka bërë që dialogut t’i mungojë drejtimi dhe si rezultat është prodhuar një zhagitje që përgjithësisht mund t’i atribuohet vështirësisë së BE-së në menaxhim të këtij procesi.

Së dyti, është e rëndësishme që kur bëjmë një matje të efektshmërisë së procesit të dialogut të deritanishëm nga ana e Bashkimit Evropian të përdorim edhe një standard krahasimi. Më saktë, ne mund të krahasojmë Bashkimin Evropian si drejtues primar të procesit të dialogut me ndërmjetësimin e pjesshëm por gjithsesi më efektiv të bërë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst, vetë fakti që SHBA në periudhën e Presidentit Donald Trump ia doli që t’i “detyrojë” Kosovën dhe Serbinë të pajtohen për Marrëveshjen e Shtatorit të vitin 2020, dëshmon që lidershipi amerikan ka ditur në fakt që për nevoja të dialogut të jetë praktikisht më vendimtar. Lidhur me këtë, analisti politik, Dushan Janjić, është shprehur në këtë mënyrë: “Nuk jam një fans i politikës së tij, por për aktivitetet e Trumpit dhe Grenellit, lidhur me Marrëveshjen e Washingtonit, duhej të themi “Bravo”. Është një shembull i mirë se si njerëzit pragmatikë, të fuqishëm dhe të uritur, shtypin njerëz të ngjashëm (nuk po mendoj për Hotin) të firmosin marrëveshje. Lajçak për fat të keq nuk ka mundur ta bëjë këtë, duhet të mendojmë se si do të funksionojë Bashkimi Evropian, kush do ta bëjë këtë në BE, sepse Amerika nuk mund të jetë lojtari i vetëm në këtë rast.” Pra, krahasuar me BE-në, qasja më agresive në drejtim të sforcimit të një zgjidhje, ndonëse joperfekte, ka prodhuar më shumë rezultat se ndërmjetësimi më pasiv i Bashkimit Evropian.

Një pjesë e mungesës së efektshmërisë së Bashkimit Evropian në ndërmjetësimin e dialogut i atribuohet edhe mungesës së aftësisë së përfaqësuesve të këtij institucioni për t’iu qasur edhe përfaqësuesve të shteteve respektive. Kjo ka qenë më e shprehur kur vlerësojmë sidomos mungesën e efektshmërisë së përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për të shtyrë shtetin serb në bërjen e ndonjë koncesioni relevant. Po ashtu, ardhja e Albin Kurtit si politikan me përkrahje të gjerë popullore ka rezultuar që ky i fundit të ketë një qasje të ngurtë sa i përket qëndrimeve të tij duke bërë që përgjithësisht progresi i procesit të dialogut të jetë tejet i limituar. Në këtë mënyrë, ndonëse shtetet pjesëmarrëse pa dyshim që ndikojnë në situatën, është dashur një rol më vendimtar nga ana e Bashkimit Evropian për të përdorur pak më efektivisht nxitjet dhe ndëshkimet konform arritjes së një marrëveshjeje.

Përfundimisht, ndonëse rrallë është diskutuar mbi efektshmërinë e ndërmjetësimit të dialogut nga faktori ndërkombëtar, e më saktë nga ana e Bashkimit Evropian, një pjesë e mungesës së rezultateve i atribuohen mungesës së një ndërmjetësimi efektiv nga ky mekanizëm. Bashkimi Evropian duhet të kuptojë më mirë nevojën e një roli më aktiv në procesin e dialogut që nënkupton një lloj ndërmjetësimi të fokusuar drejt sforcimit të arritjes së një marrëveshje. Progresi i deritanishëm i dialogut dëshmon të kundërtën e kësaj, por nëse mund të shpresojmë për finalizim të këtij procesi, atëherë BE duhet të jetë më insistuese në kërkesat ndaj palëve pjesëmarrëse.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.