Pajtimi, përgjegjësi me peshë ndaj gjeneratave të reja

Deri më sot, sallën e vogël për takime në Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur e kanë vizituar rreth 450 pjesëtarë të familjeve të të pagjeturve. Nuk ka rëndësi nëse janë shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, ashkali apo egjiptasë. Ai i pret të gjithë si njerëz. Zoti Qerkini dhe bashkëpunëtorët e tij nuk u kërkojnë asgjë më shumë mysafirëve, veç të flasin me njëri-tjetrin.

0
1938

(Ky artikull është botuar për herë të parë më 14/02/2018

Para shtatë viteve, në Norvegji, në një takim me disa organizata serbe nga Serbia, Bajram Qerkini do t’i jipte dy mundësi grupit shqiptaro-serb në të cilin përkiste: ata ose mund të vazhdonin ta këqyrnin njëri-tjetrin si armiq dhe të mos flisnin kurrë ose mund ta pranonin se ndanin hallin e njëjtë – atë të të pagjeturve, dhe të flisnin e të punonin së bashku. Grupi, në të cilin bënin pjesë tre serbë, një tjetër kosovar dhe vetë zoti Qerkini ishin pajtuar për të dytën. Të njëjtat mundësi do t’u parashtronte edhe shumë të tjerëve përgjatë viteve në vazhdim. Për vete, ai ishte përcaktuar njëherë e mirë.

Që atëherë, bashkë me njërin prej serbëve të atij grupi, Milorad Trifunović, z. Qerkini do të vazhdonte të punonte drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve gjatë konfliktit të fundit në Kosovë. Në mungesë të mbështetjes, këta të dy do ta themelonin vetëm vitin e kaluar Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur. Qendra e vogël, e stacionuar në Prishtinë, ka veç tri zyre, por deri më sot i ka mirëpritur rreth 450 pjesëtarë të familjeve të të pagjeturve shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, ashkali e egjiptasë.

Poshtë beretës së zezë karakteristike, fytyra e z. Qerkini sikur i ka përzënë rrudhat e pleqërisë. Veç rrathët e ënjtur poshtë syve të futur në gropë mbajnë më shumë histori dhe dhimbje se sa njëmijë letrat e palosura në dollapet e zyrës së tij.

Në zyrën e tij, z. Qerkini i mban fotografitë e tre familjarëve të tij të humbur gjatë periudhave 1912, 1945 dhe 1999. Ndër njëmijë e gjashtëqind emra të personave ende të pagjetur gjatë konfliktit të fundit në Kosovë figuron edhe emri i djalit të tij. Reshat Qerkini, atëherë 28 vjeç. Z. Qerkini, si shumë prindër me fatin e njëjtë, ende nuk ka një vend ku t’i çojë lule më të shtrenjtit të tij. Por ai ka vendosur që të bëjë aq sa mundet që mos të lejojë që të përsëriten konflikte të tjera. Kurrë më! “Jom nalë edhe kom mendu çka na bjen t’u e mendu gjithë t’keqen, edhe çka na bjen t’i kthehemi t’ardhmës dhe punës,” thotë z. Qerkini. Nganjëherë gjërat e mëdha nisin me një filxhan kafe. Sipas tij, njerëzit kanë nevojë të ulen dhe të flasin.

Shtatorin e kaluar, z. Qerkini, së bashku me mikun e bashkëpunëtorin e tij, z. Trifunović, i kanë ulur për të biseduar rreth tridhjetë nëna shqiptare, serbe, boshnjake, rome, ashkali e egjiptase, të cilat ende nuk i kanë gjetur familjarët e tyre. Ai tregon se edhe pse në fillim ato s’e kanë shkëmbyer asnjë fjalë mes vete, z. Qerkini u ka bërë me dije se ato e ndajnë dhimbjen e njëjtë dhe duke mos biseduar me njëra-tjetrën nuk mund ta zhbëjnë të kaluarën. Të njëjtën gjë ua thotë edhe familjarëve të tjerë që ende ngulin këmbë se nuk do të flasin asnjëherë me serbët. E kaluara nuk mund të kthehet mbrapa e as të përmirësohet, megjithatë, ai është i vendosur se së bashku mund t’ua lënë një të ardhme më të mirë gjeneratave të reja.

Z. Qerkini ende i tingëllojnë në vesh fjalët frymëzuese të princit të Britanisë së Madhe, Charles, i cili e kishte vizituar Kosovën marsin e kaluar. Familjet e të pagjeturve ishin prekur nga kërkesa e tij që të takohej me ta. Z. Qerkini tregon se si princi Charles u kishte treguar se ai kishte humbur ngjashëm një njeri shumë të afërt dhe se e kuptonte dhimbjen e tyre. “Njeriu që e ka zemrën e prektë, din me ta shnoshë tanën,” thotë z. Qerkini. Princi Charles e kishte përqafuar mbesën e tij dhe i kishte ftuar familjarët e të pagjeturve në residencën e tij në Britani të Madhe. Bashkë me përfaqësuesit e tjerë të familjeve të të pagjeturve, z. Qerkini do të pritej nga princi Charles dhe do t’i jehonte gjatë në mendje zëri i tij që u kishte thënë familjarëve se e kaluara nuk mund e as nuk duhet të harrohet, por nuk duhej të përsëriteshin krimet e njëjta dhe se palën tjetër duhej ta shihnin si qenie njerëzore dhe jo si armik. “Kur nuk e dimë çfarë u ka ndodhur të dashurve tanë, ajo dhimbje është e pafund – nuk ka ilaç për dëshpërimin tonë… Vetëm pajtimi ofron garancinë që fëmijët dhe nipërit e mbesat tona nuk do t’i përjetojnë agonitë e njëjta që i ka duruar gjenerata jonë,” kishte thënë princi Charles në një fjalim para tyre në Londër. Ai u kishte premtuar familjarëve të pranishëm se do të angazhohej edhe me influencën e tij për këtë çështje dhe z. Qerkini beson se ka ndryshime pozitive në trajtimin që e marrin ata nga ndërkombëtarët që nga ai takim.

Z. Qerkini mendon se për çështjet e mëdha duhet nisur nga poshtë. Deri më sot, sallën e vogël për takime në Qendrën Burimore e kanë vizituar rreth 450 pjesëtarë të familjeve të të pagjeturve. Nuk ka rëndësi nëse janë shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, ashkali apo egjiptasë. Ai i pret të gjithë si njerëz. Z. Qerkini me bashkëpunëtorët e tij nuk u kërkojnë asgjë më shumë mysafirëve, veç të flasin me njëri-tjetrin. Z. Qerkini është i përcaktuar se ngadalë kështu do të hapë dyer të vogla për gjeneratat e ardhshme. “Nëse kemi mbështetje, na kemi me ba ma shumë se që munet me ba qeveria,” thotë plotë optimizëm ai. Në mars, ai do t’i mbledhë të rinjtë dhe do t’u flasë për pajtimin dhe drejtësinë. Gjeneratat e reja nuk duhet të përjetojnë agoni të ngjashme dhe, për ta arritur këtë, z. Qerkini u ka hedhur supeve të tij, edhe ashtu të rënduara, një pjesë të përgjegjësisë në ecjen e gjatë e të vështirë nëpër rrugën që çon drejt pajtimit.