Së fundi është bërë e qartë nga shumë përfaqësuesë politik të komunitetit serb në Republikën e Kosovës se ata kanë shfaqur gatishmërinë për të qenë pjesë e qeverisë e cila pritet të formohet nga koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo gatishmëri e shfaqur nga ana e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë përfaqëson jo vetëm një rritje të vetëdijes politike të komunitetit në fjalë por njëkohësisht paraqet edhe një mundësi të përbashkët për të dy palët: shtetin e Kosovës por edhe për komunitetin serb në Kosovë. Kjo së pari reflekton pozitivisht për legjitimitetin e institucioneve të Kosovës. Më pas, dëshmon një vullnet për të përmirësuar qasjen e komunitetit serb ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe u kontribuon të dy shteteve në rrugën e tyre për integrim të mëtejshëm në strukturat evro-atlantike.
Vlen të theksohet që disa politikanë eminentë të komunitetit serb në Kosovë kanë dëshmuar që janë pro hyrjes në qeverinë e re të Kosovës. Këtu kemi të bëjmë me emra si Slobodan Petrović, nga Partia e Pavarur Liberale, dhe Nenad Rašić, si bartës i koalicionit serb të quajtur “Liria”. Të dy këta liderë kanë folur me tone pozitive që janë të hapur për bashkëpunim me qeverinë e re dhe që liderët e rinj të Kosovës paraqesin një elitë premtuese politike për vendin. Me tone pozitive është theksuar edhe fakti që kualiteti i jetesës së serbëve në Kosovë do përmirësohet përmes përfaqësimit nga njerëz adekuat. Për më tepër, edhe Lista Srpska si fituese e 96% të votave të komuniteti serb beson që ka legjitimitetin për të qenë pjesë e qeverisë së Kosovës, por që ka hasur në rezistencë nga ana e kandidatit për kryeministër që fitoi më së shumti vota, Albin Kurti. Mund të themi që këto elemente përgjithësisht i kontribuojnë legjitimitetit të përceptuar të qeverisë së Kosovës nga faktori ndërkombëtar si aspekt shumë i rëndësishëm i zhvillimit demokratik të vendeve.
Integrimi i vazhdueshëm i komunitetit serb në Qeverinë e Republikës së Kosovës paraqet jo vetëm një vetëdije të përmirësuar politike të komunitetit serb, por edhe një përpjekje reale të tyre për të përmirësuar qasjen ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Vullneti i shprehur nga politikanët e lartpërmendur dhe dëshira për të përfaqësuar serbët e Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme paraqesin veprime tejet konstruktive për përmirësimin e pozitës së serbëve në konfiguracionin politik të Republikës së Kosovës. Kjo dëshmohet shumë qartë me fjalët e Nenad Rašić-it, i cili thekson: “Mendoj që është një rast i madh jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, në kuptimin që kanë fituar një strukturë që nuk është e njollosur, por edhe për serbët, të cilët përmes procesit të komunikimit, bisedimeve dhe bashkëpunimit me Kurtin dhe Osmanin, do të mund të krijonim një korpus politik të Kosovës, autentik, i cili do të barte dhe merrte përgjegjësinë për të gjitha ato që po ndodhin. Deri më tash kemi qenë vetëm vëzhgues të heshtur të fatit tonë dhe ky është shans që kjo të ndryshojë”. Pra, vërehet një vullnet nga minoriteti serb në Kosovë për të funksionuar politikisht sa më mirë nën ombrellën e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Një aspekt tjetër që ndërlidhet me vullnetin e komunitetit serb për të pranuar qeverinë e re të Republikës së Kosovës është që veprime të tilla nga të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, i kontribuojnë imazhit të dy shteteve dhe rrjedhimisht edhe vullnetit të komunitetit ndërkombëtar për t’i shtyer përpara proceset integruese të dy shteteve. Në këtë rast kemi të bëjmë me përfitime të cilat janë strategjike dhe afatgjate për Kosovën dhe Serbinë. Duhet theksuar që këto veprime paraqesin përpjekje të cilat meritojnë të inkurajohen duke qenë se i kontribuojnë të dy shteteve.
Është bërë tanimë e qartë nga ana e komunitetit serb për vullnetin e tyre për t’u bërë pjesë e koalicionit të ri qeveritar dhe ky hap shënon njëkohësisht edhe mundësi të re për të dy shtetet, Kosovën dhe Serbinë. Integrimi i komunitetit serb në konfiguracionin politik të Republikës së Kosovës i kontribuon të dy shteteve në shumë aspekte duke përmirësuar legjitimitetin e përceptuar të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke bërë integrimin e mëtejshëm të serbëve në strukturat politike të Kosovës dhe mbi të gjitha duke ndihmuar të dy shtetet në proceset evro-atlantike. Një hap i tillë është shpresëdhënës për një të ardhme me raport më konstruktiv mes komunitetit serb dhe shtetit të Kosovës.