Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, gjithçka është bërë më e qartë dhe disi më e zhveshur se më parë – u hoqën dorezat diplomatike dhe u vunë ato të boksit. Shumë vetë i kanë zëvendësuar rrobat e tyre me uniforma e ata që nuk e kanë bërë këtë, ata i kanë porositur ato që t’iu qepen sipas masës. Ironike, por për fat të keq, e vërtetë. Evropa ka hyrë në diçka që të gjithë ia kishin frikën, por shpresonin se një gjë e tillë nuk do të ndodhte, megjithatë, ndërsa ia kishin frikën, ata nuk bënë asgjë për të parandaluar që kjo gjë të mos ndodhte. Sido që të jetë, dembelizmi i diplomacisë dhe marrëzia e politikës kanë çuar deri tek ajo që në truallin evropian tani po zhvillohet një luftë e mirëfilltë dhe atë jo një konflikt i kufizuar, siç do të donin të thoshin disa analistë të caktuar, por një luftë e vërtetë me të gjitha atributet dhe pasojat e saj.
E gjithë kjo mund të ishte shmangur sikur të gjitha palët të ishin ulur në tryezë dhe të kishin negociuar, por dikush diku vendosi se me negociata nuk do të merrnin atë që dëshironin, kështu që vendosën të përdornin luftën. Fajtorë për konfliktin janë të gjithë, pa rezerva, dhe shumë janë dakord me këtë, të paktën ata që ende guxojnë të flasin hapur e që të mos sanksionohen për fjalën e thënë. Është e qartë se dikush gaboi në përllogaritje – Ukraina, sepse mendoi se ishte e sigurt, ndërsa Rusia sepse mendoi se gjithçka do të kalojë pa pasoja. Mirëpo, sa më shumë që po kalon koha, po shohim se lufta në Ukrainë i duhej kryesisht Evropës për t’i disiplinuar shtetet e saj dhe për të krijuar një raport të ri politik të bazuar në kërcënimin real. E gjithë kjo të kujton një sistemim të madh politik të Evropës dhe rivendosje të qëndrimeve të vjetra e ringjallje të idesë së një Evrope edhe më fort të lidhur. Por doli se në disa segmente nuk ishte e mundur pa Rusinë; mungesa e madhe e energjisë, dhe mbi të gjitha e grurit, shkaktoi një krizë që nuk mbahet mend prej kohësh në Evropë. Premtimet se gjithçka do të zgjidhet ka kohë që kanë rënë në ujë sepse nevojat e tejkalojnë shumë prodhimin e atyre që u përmendën.
Edhe pse do të mund të thuhej se kjo nuk na prek neve, është e qartë se situata në Evropë dhe në botë tani po ndikon shumë edhe në rajonin tonë – prapë po shfaqen ato politika që ushqejnë egon e tyre me frikën dhe pasigurinë e dikujt për të nesërmen. Akuzat kundër njëri-tjetrit janë bërë i vetmi fjalim dhe qëndrim i pranueshëm politik, dhe çdo dashamirësi karakterizohet si shkatërruese dhe kërkohet qartë të merret anë. Armatosja e Serbisë me sisteme të mbrojtjes kundërajrore nga Kina, edhe pse fryt i marrëveshjes shumë kohë përpara luftës në Ukrainë, po definohet si përgatitje për luftë, megjithëse çdo person normal e di se çdo sistem i mbrojtjes kundërajrore, sipas përkufizimit, konsiderohet armë ekskluzivisht defanzive. E thënë thjesht, nëse një aeroplan armik nuk ngrihet në ajër, sisteme të tilla nuk reagojnë, dhe nëse një aeroplan i tillë megjithatë ngrihet, atëherë ai është sulm, dhe përgjigja ndaj sulmit quhet mbrojtje. Ky përshkrim në shikim të parë duket i panevojshëm, por duke dëgjuar deklaratat e disa politikanëve, duhej thënë me fjalë të thjeshta që ta kuptojnë të gjithë dhe mbi të gjitha ata vetë. Përderisa furnizimi i përmendur është dënuar, fillimisht u publikua dhe më pas u demantua që Britania e Madhe po e furnizon Kosovën me sisteme NLAW dhe Javelin kundër armëve të blinduara. Por për këtë po heshtet dhe askush nuk po e shpjegon pse.
Ndërsa një pjesë e Evropës po merret me luftën në Ukrainë dhe është e kthyer në atë drejtim, nga ana tjetër, një pjesë tjetër duket sikur me qëllim dëshiron të ndotë rajonin tonë deri në atë masë sa do të kishte nevojë për pastrime të mëdha. E pra, zotërinj të mi të nderuar, ne e kemi paguar pjesën tonë në ato luftëra shumë kohë më parë, dhe atë tejet shtrenjtë. Ndoshta jo të gjithë, por një pjesë e mirë e tyre kanë nxjerrë mësim dhe disa gabime thjesht nuk guxojnë të përsëriten.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.