Photo Legend: Brexit-i dhe Ballkani Perëndimor

Brexit-i mund të ketë shkaktuar qëndrime kontraverse mes disa politikanëve dhe analistëve të Ballkanit Perëndimor, por, megjithatë, integrimi në BE mbetet një ndër opsionet më të mira për këtë regjion.

0
1234

Brexit-i mund të ketë shkaktuar qëndrime kontraverse mes disa politikanëve dhe analistëve të Ballkanit Perëndimor, por, megjithatë, integrimi në BE mbetet një ndër opsionet më të mira për këtë regjion.

Referendumi i mbajtur në Mbretërinë e Bashkuar më 23 qershor, nga i cili doli fituese fushata për largim nga BE, ka nxitur deklarata kontraverse mes politikanëve, analistëve dhe ekspertëve politikë në Ballkanin Perëndimor. Përderisa disa parti kanë bërë thirrje hapur që shtetet respektive të bëhen më skeptikë ndaj Evropës dhe i janë referuar Bashkimit Evropian si një projekt i dështuar, qëndrimi i përgjithshëm mbetet se e ardhmja e të dyjave, Kosovës dhe Serbisë, është në Bashkimin Evropian. Në anën tjetër, ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare janë më të shqetësuar nga shtrirja e mundshme e ndikimit rus në politikën dhe ekonominë në Ballkan.

Analisti amerikan Daniel Serwer tha se Brexit “do t’i hapë derën ndikimit më të madh rus” dhe se Putini definitivisht do të përpiqet për t’i shtyrë këto vende që të mos anëtarësohen në BE (euractiv). Gazetarë të tjerë dhe politikanë po ashtu bënë deklarata politike që thonë se Rusia do të ushtrojë presion në vendet e përmendura me qëllim të rritjes së ndjenjave kundër integrimit në BE. Euroskepticizmi do të përbëjë vështirësi, sidomos meqë rajoni i Ballkanit aktualisht po ballafaqohet me shumë probleme si kriza e refugjatëve, radikalizmi, tensionet etnike, etj. Duke e përdorur Brexit-in si arsyetim, partitë e djathta mund t’i shtyjnë agjendat e tyre, të cilat kërkojnë që shtetet e Ballkanit të mos marrin pjesë në përpjekjet e përbashkëta të EU-së, si politikat e përbashkëta që zbatohen nga shtetet e tjera të Bashkimit Europian. Euroskepticizmi tek qytetarët serbë nuk është diçka e re – anketimi i fundit i Eurobarometrit ka treguar se Serbia është një prej shteteve më euroskeptike në regjion, me 22% të qytetarëve që besojnë se integrimi evropian është negativ për vendin.

Çuditërisht, pak vëmendje i është kushtuar asaj se si qytetarët e Bashkimit Evropian e përceptojnë tani zgjerimin e Bashkimit Evropian, dhe nëse pas Brexit-it është rritur numri i atyre që e kundërshtojnë zgjerimin e BE-së. Më herët, në një anketë tjetër të Eurobarometrit, doli se 49% e qytetarëve të Bashkimit Evropian nuk e përkrahnin zgjerimin e mëtejmë, përderisa vetëm 39% e tyre ishin në favor të zgjerimit të mëtejmë. Duke marrë parasysh Brexit-in dhe rritjen e përgjithshme të partive të djathta euroskeptike, është po ashtu interesante të hulumtohet nëse këto shifra kanë ndryshuar në favor apo kundër zgjerimit të Bashkimit Evropian. Në disa shtete si Gjermania, Austria apo Finlanda, numri i atyre të cilët e kundërshtojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian i afrohet 70% – shit. Pastaj, është akoma e paqartë se si Bashkimi Evropian do të veprojë mëtej në negociatat e anëtarësimit që tashmë kanë filluar me Serbinë apo në procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën. Brexit mund t’i vonojë këto bisedime të rëndësishme, që definitivisht do të kishin efekt në marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, por gjithashtu do t’i ngadalësonin proceset e reformës konform legjislacionit të BE –së, që tashmë kanë nisur në disa shtete të Ballkanit si Bosnjë, Serbi dhe Kosovë.

Por sa do t’i lëkundë Brexit marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, sidomos mes BE-së dhe Kosovës, Serbisë dhe Bosnjës? Kjo mbetet të shihet, por tashmë ka sinjale nga liderët e vendeve se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vučić, deklaroi se ky është “tërmeti më i madh që e ka goditur Evropën që nga rënia e murit të Berlinit”, dhe se qeveria e Serbisë nuk do t’i përmbushë kërkesat e partive të ekstremit të djathtë për të mbajtur një referendum mbi integrimin në Bashkimin Evropian: “Përgjigja ime është shumë e qartë: nuk do të ketë referendum pavarësisht numrit të iniciativave për këtë” (euractiv). Serbia e zhvillon shumicën e biznesit/tregtisë me Bashkimin Evropian, andaj, nuk mund thjesht ta injorojë integrimin. Veç kësaj, kriza e refugjatëve i ka mbyllur shumë njerëz brenda kufirit serb, dhe kështu Serbia ka mbetur duke kërkuar ndihmë për t’ia dalë këtij fluksi.

Liderët kosovarë përgjithësisht kanë deklaruar se janë të befasuar dhe të “pikëlluar” për ikjen e Britanisë. Do të jetë veçanarisht sfiduese për rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE, meqë Mbretëria e Bashkuar ka qenë një ndër mbështetësit më të zëshëm të këtij procesi. Komentet e presidentit aktual të Kosovës, Z. Thaçi, kanë qenë të një linje me ato të liderëve të vendeve të tjera se Brexit mund të vë një precedent të keq dhe se mund të ketë një efekt dominoje tek shtetet e tjera anëtare, të cilat mund të dëshirojnë ta konsiderojnë pozicionin e tyre pas Brexit-it. Ai madje shkoi edhe më larg duke thënë se “Brexit do ta nxisë kolapsin e BE-së” dhe se blloku “pa Britaninë do ta humbiste kuptimin”. Sidoqoftë, komenti i tij më kontravers ishte se ai beson se Brexit do të nxisë anëtarët e tjerë të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, ta njohin atë. Sidoqoftë, është e paqartë përse mendon ai ashtu, kur të kihen parasysh çështjet e brendshme politike e etnike me të cilat ballafaqohen Spanja, Qipro dhe Greqia – sidomos me ato grupe etnike që vazhdimisht kërkojnë pavarësi apo autonomi.

Si përfundim, Brexit-i mund të ketë shkaktuar qëndrime kontraverse mes disa politikanëve dhe analistëve të Ballkanit Perëndimor, por, megjithatë, integrimi në BE mbetet një ndër opsionet më të mira për këtë regjion. Ballkani Perëndimor ballafaqohet me shumë sfida, përfshirë mosmarrëveshje territoriale, tensione ndëretnike, mospranim të krimeve të luftës, vështirësi në implementimin e marrëveshjeve reciproke të tregtisë (sidomos Kosova dhe Serbia), andaj kërkesat e legjislacionit dhe politikave të BE-së shihen si stabilizues i çështjeve politike dhe financiare brenda regjionit. Shumica e marrëveshjeve tregtare tashmë janë arritur bazuar në modelet e dhëna nga Bashkimi Evropian dhe kjo tregon se interesat dhe aspiratat e vërteta duhet të synojnë të zhvillojnë mëtej lëvizjen e lirë brenda regjionit, por edhe me shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Së fundmi, lejimi i anëtarësimit të këtyre shteteve në BE pa i shtrënguar edhe më shumë kushtet e pranimit, do t’ia bënte më vështirë Rusisë dhe mbështetësve të saj të ushtrojnë ndikim mbi këtë regjion.