Policia nuk ka prova se incidenti në Gojbulë është i motivuar etnikisht

Policia e Kosovës i ka thënë New Perspektivës se nga hetimet e zhvilluara deri në këtë fazë lidhur me rastin e raportuar të rrahjes së një trembëdhjetëvjeçari të komunitetit serb në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë “nuk janë siguruar dëshmi se mund të jetë i motivuar etnikisht”.

0
499

Në fillim të muajit u raportua për një incident në fshatin Gojbulë, të komunës së Vushtrrisë, në të cilin ka pësuar lëndime një 13-vjeçar i komunitetit serb, Nikola Perić.

„Kur po luaja futboll me fëmijë të tjerë dhe me vëllezërit e mi, përnjëherë na sulmoi një grup shqiptarësh. Kur fillova të ikë, ata më mbërritën dhe më rrëzuan për toke. Më shqelmuan, ma këputën zingjirin e qafës në të cilin ishte një kryq dhe e shkelën. Jam frikësuar pak,” citohet Nikola se i ka thënë portalit Gračanica Online.

Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petković, i cili po qëndron në vizitë në Kosovë, e ka vizituar familjen e Nikolës, për të cilin thotë se “është rrahur nga ekstremistë shqiptarë, vetëm sepse është serb, se mban emrin e mbiemrin serb dhe sepse mban kryq ortodoks, i cili i është hequr nga gjoksi dhe i është shkelur”. Petković thotë se presidenti Aleksandar Vučić, në Bruksel, “para zyrtarëve evropianë ka folur për rastin e Nikolës së vogël, ua ka treguar fotografitë e tij dhe plagët e tij”.

New Perspektiva ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të mësuar më shumë për incidentin. Në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës thuhet se “rasti në fshatin Gojbulë ka ndodhur derisa disa fëmijë kanë qenë duke luajtur në oborrin e shkollës të këtij fshati dhe bazuar në deklarimet e fëmijëve si dhe nga lëndimet e lehta trupore që ka marrë viktima, sulmuesit kanë qenë të moshës së njëjtë me viktimën.”

Policia thotë se e ka trajtuar rastin në bashkëpunim dhe koordinim me prokuroritë kompetente dhe (bazuar në kodin penal të RKS-së) rasti është klasifikuar si lëndim i lehtë trupor.

“Nga hetimet e zhvilluara deri në këtë fazë, nuk janë siguruar dëshmi se rasti mund të jetë i motivuar etnikisht,” thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për New Perspektivën.