Negociatat vazhduan pas një kohe të gjatë, pritjet janë pak a shumë të njëjta edhe nga njëra edhe nga pala tjetër, deklaratat të ashpra, pa mëdyshje dhe, natyrisht, kundërthënëse, e negociatat megjithatë teknike… apo prapëseprapë politike, mbetet ta shohim. Natyrisht, pa maska, si këto modernet, kirurgjike, ashtu edhe ato figurativet, negociuesit së pari u ulën ndaras, e mandej së bashku me përfaqësuesin e BE-së që të fillojnë përsëri apo të vazhdojnë atë të filluarën në procesin i cili dalngadalë po fillon të bëhet monoton dhe shumë pak produktiv në terren.
Derisa pala serbe pohon se negociatat janë të natyrës teknike dhe se po zhvillohen vetëm që të zgjidhen çështjet jetike të popullatës së mbetur serbe në Kosovë, por edhe që të zgjidhen problemet ekonomike mes të dyja palëve, në anën tjetër pala kosovare po vendos kërkesa të cilat nuk kanë kurrfarrë lidhje me negociatat teknike. Njohja e Kosovës nga ana e Serbisë prapë erdhi në agjendë, megjithëse vetëm përmes deklaratave të palës kosovare, thuajse kjo është një çështje teknike e jo politike. Por ndërrimi i tezave dhe shmangia e përgjigjjes se çka saktësisht është temë e negociatave është bërë shprehi e palës kosovare, kështu që po krijohet përshtypja që dikush nga ekipi kosovar nuk ka guxim që t’i tregojë opinionit publik kosovar se negociatat janë teknike dhe se nuk duhet pritur kurrfarë zgjidhjesh pompoze.
Në këtë kohë krize të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, negociatat thjesht ranë në hije të gjithë asaj që aktualisht po na ndodhë të gjithë neve. Secili lajm që nuk ka të bëjë me koronavirusin apo luftën kundër të tij thjesht nuk e ka atë peshën informative kështu që edhe nuk është e çuditshme që lajmi për vazhdimin e negociatave kaloi pothuajse pa u vërejtur dhe pa pompë të madhe mediale gjë e cila pritej të ndodhte pas një kohe aq të gjatë. E vetmja gjë që në këtë moment do të mund të na shqetësonte është nëse negociatat brenda natës shndërrohen nga teknike në politike e që nën këtë hije të merren vendime të cilat gjithashtu nuk do të përcilleshin si duhet nga mediat dhe nuk do të kishin në mënyrë të duhur gjykimin nga opinioni publik. Por, të mësuar me gjithçka që ka ndodhur deri tani, na mbetet të presim dhe të ndjekim çfarë do të thotë Beogradi dhe çfarë do të thotë Prishtina pas çdo raundi të negociatave dhe pastaj të nxjerrim një mes nga kjo si përfundim, sepse konkluzion të përbashkët edhe nuk ka pasur asnjëherë.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.